E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, romët dhe egjiptianët në protestë, kërkojnë sa më shpejt kartat falas

Rreth 70 përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian  kanë protestuar në zyrat e aplikimit në rajonin numër 2 të Bashkisë së Beratit për problemin e kartave të identitetit të cilat nuk kanë filluar të jepen falas, ashtu siç ka premtuar qeveria  për këtë kategori personash. Të indinjuar, romët janë shprehur të revoltuar për lënien në harresë të problemeve të tyre nga shteti aktual, duke u mashtruar së fundi dhe për dhënien e kartave falas. Protestuesit janë shprehur se muajin tjetër do të zhvillohen zgjedhjet, ndërsa për romët dhe egjiptianet nuk ka filluar ende ndarja e kartave. Kjo vonesë është quajtur nga protestuesit diskriminim nga shteti për tu hequr të drejtën e votës këtyre personave të cilët kërkojnë të pajisen sa më shpejt me karta. Përfaqësues romë dhe egjiptianë që marrin ndihmë ekonomike dhe pensionistë të kësaj kategori, kanë qenë të detyruar të blejnë kartën për të marrë përkrahjen dhe pensionet, ndërsa kërkojnë rimbursim 100 për qind nga shteti. Duke qenë në gjendje shumë të vështirë ekonomike, protestuesit thanë se për të përballuar jetesën janë të detyruar të dhurojnë gjak duke e shitur 400 gram me 3800 lekë. Kryetarja e dhuruesve të gjakut, Margarita Mihali, e cila ka mbështetur këtë protestë, bën të ditur se ka një numër të madh të personave romë dhe egjiptianë që ushqehen duke dhuruar gjak, ndaj shteti duhet të marrë masa për të ndihmuar këta njerëz në nevojë. Gjatë protestës, përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian u shprehen se me veprimin e kartave qeveria po i diskriminon, duke mos u dhënë të drejtën që të votojmë në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas kryetarit të Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, bëhet e ditur se për këtë kategori po punon një grup prej tre vetësh për të verifikuar numrin e saktë të tyre. Deri më sot, janë të identifikuar vetëm romët dhe egjiptianët që janë në listat e përkrahjes sociale, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar si dhe personat që janë përfaqësues të shoqatave të ngritur nga romët dhe egjiptianët numëri i të cilëve arrin rreth 2258 persona. Ndërsa për nisjen e ndarjes së kartave falas, sipas burimeve të bashkisë, ende nuk ka një vendim të qeverisë se kur do të fillojnë. Ndërsa forca të ndryshme politike si PS, LSI kanë mbështetur këtë protestë të romëve dhe egjiptianëve duke i tërhequr vëmendjen qeverisë për të trajtuar këtë shtresë si gjithë qytetarët e vendit tonë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›