Galeria Omer Kaleshi

Piktori me famë botërore Omer Kaleshi, i cili njihet më shumë si piktori i kokave, tash e tutje është më afër artdashësve kosovarë. Ata që janë të dashuruar pas ‘kokave’ të Kaleshit nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë Kosovës për të përjetuar artin magjik të njërit prej mjeshtërve më të mirë në Ballkan. Këtë mund ta bëjnë në Prishtinë, në kolegjin Iliria, ku të hënën u hap galeria e përhershme ‘Omer Kaleshi’, ku janë vendosur për t’u ekspozuar pikturat e mjeshtrit të lindur në Kërçovë të Maqedonisë e i cili jeton në Paris të Francës, piktura këto të dhuruara nga vet autori i tyre. Në ceremoninë e hapjes së kësaj galerie, në të cilën qe i pranishëm edhe vet piktori Kaleshi, u promovua edhe monografia kushtuar piktorit e shkruar nga studiuesi Jordan Plevnesh si dhe u bë e ditur se nga 21 shtatori hapet kolonia e parë e bienales ‘Omerika’, në të cilën do të marrin pjesë piktorë të njohur nga i gjithë Ballkani dhe nga disa vende të Evropës.
Presidenti i kolegjit Iliria, Mixhait Reçi, i cili hapi manifestimin, theksoi se kjo galeri nuk i takon vetëm këtij kolegji, por i përket të gjithë botës artistike të Kosovës dhe asaj shqiptare.
“Këtë aktivitet kolegji Iliria e realizon në shënim të 12-vjetorit të themelimit dhe 10-vjetorit të aktivitetit të tij si institucion, si dhe në shënim të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe në 80-vjetorin e autorit, Omer Kaleshi”, tha Reçi.
Ndërkaq, skulptori i njohur Luan Mulliqi, i cili e mbajti fjalën kryesore të këtij manifestimi, tha se kolegji Iliria me hapjen e galerisë së përhershme të pikturës së Omer Kaleshit, dëshmon se institucionet e Kosovës po përpiqen të krijojnë dhe afirmojnë vlera të denja artistike për shtetin tonë.
Fjalë rasti në këtë solemnitet mbajti edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka dhe ambasadori i Maqedonisë në Kosovë, Stojan Karajanov. Ishte jashtëzakonisht impresionuese fjala e akademikut dhe një prej njohësve më të mirë të artit omerian, një prej miqve më të shtrenjtë të Omer Kaleshit, shkrimtarit Luan Starova. Ai tha se nuk ka dyshim që vlerat e pikturës së Omer Kaleshit hyjnë në panteonin e vlerave pikturale evropiane dhe botërore.
Ndërkaq, duke folur për monografinë kushtuar pikturës së Kaleshit, gazetari dhe publicisti Qani Mehmedi tha se studimi i Jordan Plevneshit radhitet ndër studimet më të mira që kanë bërë autorë me nam për pikturën e Omer Kaleshit. Pasi përmendi autorë të ndryshëm që kanë shkruar për Kaleshin, në mesin e të cilëve janë edhe shkrimtarët shqiptarë Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja, pastaj poeti francez Bosque e kritiku Jak Lacarie, kritikët turk Kaja Osezegin e Nedim Gursel e shumë të tjerë në Ballkan dhe në Evropë, Mehmedi theksoi se studimi i Plevneshit paraqet një bazë të re për këtë kritik të ri të arteve pamore, të cilët do të merren me studimin e pikturës së Omer Kaleshi.
Kurse, drejtori i galerisë së arteve në Shkup, Klime Korobar, i cili udhëhoqi punimet artistike të ndërtimit të Galerisë ‘Omer Kaleshi’, tha se monografia e Plevneshit përveç vlerave studimore që ka, paraqet një kontribut të ri në kulturat ballkanike dhe në marrëdhëniet dhe ofrimet e tyre.
Në këtë manifestim të madh kulturor pati edhe disa pika muzikore të interpretuara nga mezosopranoja Besiana Mehmedi dhe të ekzekutuara nga Artan Hasani.