Galiani: E dua argjentinasin! PSG e Leonardo i hapin rrugën
“Do të bëj të pamundurën për të marrë Karlos Tevez”. Kështu është shprehur Adriano Galiani, administratori i deleguar i Milanit, duke i premtuar tifozëve kuqezinj sjelljen në Milano të sulmuesit argjentinas të Mançester Sitit. “Nëse Kasano nuk do të kishte pasur problemet që e prekën nuk do të kërkonim sulmues. Nuk duam ta blejmë Tevez-n, por duam ta marrim hua falas deri në qershor me të drejtë blerjeje më pas. Lojtari dëshiron të luajë për ne dhe jo me PSG. I kemi bërë një ofertë Mançester Sitit dhe shpresojmë që ta pranojnë”, u shpreh Galiani. “Në rast se nuk arrijmë të marrim Tevez, alternativa është Maksi Lopez. Kemi një marrëveshje me Katanian dhe të shohim se çfarë do të ndodhë deri në 31 janar”, shtoi administratori i deleguar kuqezi. Ndërkohë, duket se PSG është bërë mënjanë. Skuadra franceze do të bëjë ofertë për sulmuesin e Mançester Sitit, vetëm nëse tentativa e Milanit për transferimin e tij dështon, ka thënë ish-trajneri i Milanit, aktualisht drejtor sportiv te klubi francez. Kuqezinjtë planifikojnë ta huazojnë argjentinasin në janar, me opsionin për ta blerë në fund të sezonit, mirëpo drejtuesit e Sitit janë të interesuar vetëm për shitjen e tij. Nga ana tjetër, është thënë se PSG është gati të ndërhyjë për transferimin e Tevezit. Mirëpo, Leonardo thotë se ata nuk duan ta ‘vjedhin’ lojtarin nga duart e Adriano Galianit.