E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Duka: Dhuna në Pogradec, e pajustifikuar

Për shefin e Federatës Shqiptare të Futbollit, skuadra liqenore ka qenë një nga ato që është “përkëdhelur” nga qeveria e futbollit në vend

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ku çështja kryesore ishte padyshim Xhani De Biazi, u gjet një moment që të pyetej edhe presidenti Armand Duka, në lidhje me dhunën e ditës së shtunë, ku viktimë ishte gjyqtari Enea Jorgji. Duka, në fjalën e tij, ishte i ashpër duke akuzuar klubin pogradecar për gjithçka ndodhi si dhe duke e cilësuar dhunën ndaj gjyqtarit sit ë pajustifikueshme. “Pogradeci ka qenë një klub që ka pasur një vëmendje ndryshe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Deri përpara ditës së shtunë, FSHF ishte një institucion korrekt, ndërsa pas të shtunës FSHF u bë e korruptuar. Ajo që më habit mua është sesi ka mundësi që pas më shumë se dy vjetësh që Pogradeci nuk njihte humbje në shtëpi, periudhë në të cilën nuk ka nxjerrë asnjë akuzë, gjen pikërisht një moment që humbi për të akuzuar FSHF-në. Ajo që mund të them është se çfarëdo lloj gabimi të ketë bërë gjyqtari, ajo që ndodhi në Pogradec është e pajustifikueshme”, u shpreh për mediat presidenti Duka.

Shefi Kastrati: Mbështes vendimin e arbitrave

“Ajo që ndodhi në Pogradec është një tjetër ngjarje e rëndë në futbollin Shqiptar. Është e papranueshme”. Ky është komenti i parë i Tahir Kastratit, presidentit të Shoqatës së Gjyqtarëve, për ngjarjen e ndodhur në Pogradec, ku në përfundim të sfidës ndërmjet vendasve të drejtuar nga Ylli Çekiçi dhe Teutës, gjyqtari Enea Jorgji u dhunua në tunelin e dhomave të zhveshjes. Tentativat për goditjen e tij nisën prej momentit kur ai po largohej nga fusha, ndërsa më pas, gjithçka u konsumua në ambientet e brendshme të stadiumit, aty ku mungonin edhe pamjet filmike. “Në bisedën që kam zhvilluar me gjyqtarin Jorgji, por edhe me delegatët dhe vëzhguesit mësova se përveç të tjerave, ai ka pësuar edhe një çarje pas një goditjeje me çadër. Do të diskutojmë për mënyrën si do të veprojmë dhe natyrisht që unë do të mbështes çdo vendim të arbitrave. Megjithatë, e them përsëri që dhuna është e papranueshme”, vlerësoi Kastrati. Gjithashtu, duke iu referuar po këtij rasti, Kastrati vuri në dukje se “ pashë ndeshjen dhe vendimi për 11-metërsh dukej i drejtë, por pavarësisht kësaj ne duhet të luftojmë fenomenin, pasi gjyqtarët nuk mund të dhunohen për çdo vendim të kontestueshëm, apo qoftë edhe për gabime njerëzore. Duhet gjetur një zgjidhje për këtë problem, nga të gjithë aktorët e futbollit. Nuk mendoj që një tjetër bojkot, apo ndërprerja e kampionatit nga ana e arbitrave, do të ishte zgjidhja më e mirë, por nevojitet bashkëpunimi i të gjitha palëve”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›