Hetimet: Singapori është qendra e mafies së basteve
Policia italiane ka arrestuat ish-kapitenin e Atalantës, Kristiano Doni, pasi ky i fundit ka tentuar të arratiset
Mëngjesin e së hënës ka ardhur një tjetër goditje ndaj korrupsionit në futbollin italian. 17 persona janë arrestuar dhe gjenden në paraburgim, të akuzuar për mashtrim sportiv. Policia italiane mendon se kupola e trukimeve të ndeshjeve është në Singapor, ndërsa qendra e operacioneve ndodhet në Europën Lindore. Sipas ‘Gazzetta dello Sport’, një nga të arrestuarit është edhe futbollisti i njohur Kristiano Doni, ish-kapiten i Atalantës dhe ish-lojtar i përfaqësueses së kaltër. Ish-mesfushori aktualisht është i pezulluar nga drejtësia sportive, i akuzuar për trukimin e të paktën tre ndeshjeve të Serisë B në sezonin e kaluar. Sipas mediave italiane, pritet që edhe ish-sulmuesi i famshëm Xhuzepe Sinjori të jetë një nga të arrestuarit. Operacioni policor ka nisur në Kremona dhe arrestimet janë kryer në 10 qytete të ndryshme italiane.
Pas skandalit të basteve në Itali, fshihet një rrjet ndërkombëtarë që i ka shtrirë tentakulat e tij në shumë prej vendeve të mëdha evropiane. Ky fakt pranohet nga prokurori i Kremonës, Roberto Di Martino, i cili po merret me hetimin e skandalit të basteve në Serinë A, e cila bëri bujë gjatë kësaj vere në vendin fqinj. Sipas Di Martinos koka e rrjetit është në Singapor, dhe pas saj gjenden me qindra persona të cilët vënë në lëzivje shuma të mëdha parash të thata drejt celulave të shpërndara në mbarë botën dhe sidomos në vendet perëndimore. Di Martino theksoi se rrjeti është i përhapur dhe në vende të tjera si Gjermania, Zvicra, Kroacia dhe Finlanda, ku vetëm pak ditë më parë u arrestua një person, i cili ishte dënuar në Gjermani, dhe që kishte një skemë të saktë për mënyrën sesi funksionon gjërat me drejtuesit aziatik. Gjithashtu gjatë hetimit të prokurorisë së Kremoës, rezultoi se krahu i djathtë i drejtuesve nga Singapori në Itali, ishte i ashtëquajturi grup i “ciganëve”, që gjatë verës u përfolën dhe si trukuesit numër 1 të ndeshjeve në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, meqënëse pjesa më e madhe e kësaj bande ciganësh, përbëhet nga shqiptarë, rumun dhe bullgarë. Këta të fundit kanë tentuar gjatë muajit shtator dhe nëntor, që të manipulonin ndeshje të Kupës së Italisë, mes dy skuadrave të Serisë B, ku lojarëve i është ofruar një shumë prej 200 mijë eurosh për të trukuar rezultatin e ndeshjes. Di Martino bëri të ditur, se rrjeti nuk luante shuma të mëdha parash nga një person I vetëm, por vendoste bast nga 500 deri në 1500 nga qindra persona të ndryshëm.