Galiani, Milani i së ardhmes nis me blerjen e dy kampionëve
Të gjithë kundër krizës dhe limiteve strukturale, që zvogëlojnë mundësitë e klubeve italiane për të rivalizuar me "Big"-ët e kampionateve të tjera. Adriano Galiani ka zbuluar tashmë linjën e drejtimit të Milanit të sezonit të ardhshëm: dy kampionë për t‘u blerë në merkato dhe pastaj më shumë mbështetje te futbollistët e rinj. "Në përgjithësi, për të fituar duhet të kesh një klub të madh, një trajner shumë të aftë dhe një skuadër në nivel të lartë: Por është shumë e vështirë të rivalizosh me klube të tjera që shpenzojnë sa dyfishi ynë, si Real Madrid dhe paguajnë më pak taksa. Prandaj neve na nevojitet një strategji e veçantë, ka shpjeguar më tej administratori i kuqezinjve italianë. Gjatë këtyre muajve kemi qenë të kushtëzuar nga dëmtimet e shumta, por Milani nuk është për t‘u rindërtuar nga e para dhe prandaj vitin e ardhshëm do të ketë disa ndryshime të vogla për të vazhduar më pas në këtë rrugë që kemi ndjekur për më shumë se 20 vite. Do të kenë ndonjë përforcim, ndonjëri do heqë dorë nga futbolli për shkak të mbërritjes në limitet e moshës dhe do të rikthehen në skuadër të dëmtuarit e shumtë". Për sa u përket blerjeve të reja, do të ketë disa përforcime të nivelit të lartë (Agger, Aleks ose Kjaer për mbrojtjen, Adebajor për repartin e sulmit është emri më i kuotuar) dhe pastaj ka shumë të rinj cilësorë, që janë në xhiro nëpër Itali: në vëzhgim vazhdojnë të jenë si gjithmonë Paloski, Di Xhenaro dhe Abate, të cilët kanë shumë mundësi për t‘u rikthyer te Milani në sezonin e ardhshëm, ka nënvizuar Galiani. Kur ky grup drejtues ka marrë drejtimin e klubit në vitin 1986, kur Milan nuk kualifikohej as për në Kupën UEFA, ndërsa tani kemi lojtarë, që janë më të mirët në të gjithë botën". "Nëse një futbollist është kampion i ri si Kaka, ai integrohet menjëherë në lojë, në të kundërt mund të gjejë vend në çdo skuadër të mesit të tabelës. Kemi ambicie botërore dhe kemi arritur objektiva edhe falë maturisë së lojtarëve të mëdhenj me eksperiencë ndërkombëtare", ka nënvizuar ai. Megjithatë, përveç rikthimeve, mund të ketë edhe ndonjë të ardhur direkt nga ekipet e të rinjve: "Vitin e ardhshëm Albertazi (mbrojtës i datëlindjes 1991, që mund të luajë si në qendër edhe në krah) do të afrohet në skuadrën e parë: Besoj se ka mundësi për ta hedhur një hap të tillë. Gjatë këtyre viteve kemi gjetur shumë të rinj të zotë dhe shpresojmë të gjejmë të tjerë, që mund të bëjnë një hap përpara, për të fituar vendin e titullarit te Milani: të gjithë duhet të jenë lojtarë për Finalen e Champions", ka përfunduar Galiani.