E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Andrea Chenier", sfida e dirigjentit

Për dirigjentin, bukuria e një shfaqjeje operistike qëndron në faktin se ndërthurja e zërit (muzika), fjalës (libreti), veprimit skenik (aktrimi) dhe imazhit (skenografi, kostume, projeksion etj.), është kur të gjitha shfaqen para publikut me një harmoni të dukshme e mbi të gjitha që ndihet. Të dielën në mbrëmje, dirigjenti Edmond Doko ka drejtuar Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit për operën "Andrea Chennier", e cila vjen premierë për publikun shqiptar. Ka pranuar ta drejtojë, duke e parë si një sfidë me veten, por edhe sepse është një vepër që "i afrohet më shumë natyrës sime". Dirigjenti thotë se për artistët e operës, realizimi i një shfaqjeje është rezultat formimi të mundimshëm shumëvjeçar e provash të lodhshme deri në stres, dhe që përballja e artistëve me skenën dhe spektatorin, jo gjithmonë rezulton me suksesin e dëshiruar. Ky kërkim i vazhdueshëm për përkryerje e sukses përbën dhe "magjinë" ende të pazbuluar të operës.

Z. Doko, të dielën në mbrëmje, ju drejtuat orkestrën për operën "Andrea Chenier", e cila po shfaqet në Teatrin e Operës dhe Baletit. Përse e zgjodhët këtë vepër?

Në radhën e shfaqjeve të këtij sezoni më intrigoi sigurisht edhe shfaqja të cilën drejtova "Andrea Cheneir". Mund të ishte zgjidhje tjetër, siç është një operë po kaq madhështore, "Falstaf" i Verdit që do të vihet në skenë diku nga muaji qershor, por "Andrea Chenier" ishte më afër natyrës sime. Ajo është një vepër romantike dhe që të jep dorë për të dhënë maksimumin, edhe duke qenë e vështirë. Ndaj e pranova si një sfidë profesionale, e cila sigurisht që realizohet më mirë edhe falë bashkëpunimit me orkestrën me kolegun italian Vito Klemente dhe me stafin e këngëtarëve tanë, ku vetë vepra veçon kryerolet e Madalenës dhe të Chenier, të interpretuara me mjeshtri nga Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Armaldo Kllogjri. "Andrea Chenier" u rikthye në vëmendje të publikut të operës pas interpretimit të paarritshëm deri më sot të rolit të Madalenës e sidomos të aries "La mamma e morta" nga miti Maria Callas. Por dhe portretizimi muzikor nëpërmjet arieve shumë të bukura të Gerarit e Chenier, të gërshetuara me veprim dramatik muzikor gati të simfonizuar e bëjnë operën sfidë për këngëtarë, orkestër e dirigjent.

Si e vlerësoni ju këtë vepër që është ngjitur premierë në skenën tonë?

"Andrea Chenier" është një operë pak e njohur për publikun tonë, ajo vjen premierë tek ne, por është një nga veprat më të njohura të repertorit operistik botëror. Sfidat janë për këngëtarët në radhë të parë, sidomos për rolin e tenorit dhe do të vazhdoja me partin orkestral, i cili konsiderohet ndër partet më të vështirë. Sigurisht, do bashkohen me mendimin tim edhe kolegët e mi të orkestrës që për këtë shfaqje është bërë maksimumi dhe është arritur një nivel i admirueshëm. Përgjithësisht shkolla veriste është intriguese si për përmbajtjen jashtë klisheve të teatrit tradicional operistik dhe gjuhës muzikore që ngelet edhe sot një gjuhë e pasur në kolor orkestral në harmoninë avangarde dhe në temporitmin e zhdërvjellët, karakteristika këto jo vetëm të Umberto Giordano-s, autorit të veprës, por edhe të gjithë rrymës veriste ku është e pranuar botërisht se përfaqësuesi kryesor i saj është Puçini. E përmend Puçinin, sepse sfida e drejtimit të "Andrea Chennier" m‘u bë më e lehtë sepse përveç preferencave profesionale kam pasur fatin të drejtoj tri vepra të Puçinit "Madame Butterfly", "Tosca" "Turandot" (seleksion) sikurse dhe veprat "Kavaleria Rustikano" dhe "Paliaçio".

Z. Doko, si e shihni dirigjimin, ç‘është ai për ju?

Drejtimi si profesion është shumë intrigues. Ai ka tri dimensione shumë të rëndësishme: të dish të ruash raportin midis autorit të veprës, midis trupës, që janë këngëtarët, orkestra etj., si dhe të dish të ruash raportet me publikun. E thënë në një mënyrë më të kuptueshme për lexuesin, është si një central që merr mesazhe diku dhe i përcjell diku tjetër. Mendoni për një çast që mesazhet që vijnë nga autori t‘i përcjellësh e t‘i realizosh keq. Do të thotë që i ke bërë dëm autorit dhe ia ke përcjellë keq publikut. Interpretimi i vërtetë i këtyre mesazheve artistike varet shumë nga niveli i bashkëpunimit me artistët. Kështu që kodifikimi i këtyre marrëdhënieve është sa teknik aq edhe njerëzor. Nuk është e lehtë si dhe çdo punë tjetër komunikimi me trupat, është një problem disi delikat, ku për të marrë maksimumin duhet ndërtuar një balancë e mirë për thithjen e aftësive profesionale, në mënyrë që interpretimi të jetë në funksion të kënaqësive për publikun.

A kemi dirigjentë të rinj sot? Si është niveli i tyre në këndvështrimin tuaj?

Më duhet të bëhem disi kritik. Të paktën në informacionin tim nga Akademia e Arteve ka vite e vite që dirigjentët e diplomuar (diplomohen çdo vit mbi pesë) nuk kanë staturën e nevojshme për të përballuar drejtime trupash siç janë koret, orkestrat frymore, ansamblet e ndryshme etj. Nuk është as sa pesë gishtat e dorës numri i tyre që janë aktivizuar në karrierat e tyre, qoftë edhe modeste. Për mendimin tim, është problem më shumë i shkollës se sa i hapësirave që krijojnë institucionet artistike.

Si ka ndodhur që ju i jeni kushtuar muzikës?

Kam filluar muzikën që 5 vjeç e gjysmë, falë pedagogut tim të shquar, Fotaq Filipeu. Të falënderoj që më bën këtë pyetje se nuk më është dhënë shumë rasti ta them këtë, më pëlqen të flas më shumë për ata që kanë kontribuar për mua. Fotaq Filipeu, për ata që e njohin vërtet historinë e muzikës shqiptare, është laureat i konservatorit të Athinës në vitet ‘30 dhe i konservatorit superior të Parisit në ‘35. Ka qenë një nga muzikantët e kohës, shumë i kulturuar, ishte njëkohësisht violinist, kitarist, kompozitor dhe dirigjent. Ai zbuloi talentin tim dhe u mor me përgatitjen time për tetë vite me radhë në qytetin tim të lindjes, në Lushnjë. Më pas, përfundova Institutin e Lartë të Arteve, por sigurisht në formimin tim ka ndikim prof. Sandër Çefa, Robert Papavrami dhe pa diskutim pedagogu im i nderuar Mustafa Krantja. Por lista mund të jetë edhe më e gjatë, sepse disiplinat artistike për të formuar dirigjentin janë disa.

Prej disa vitesh tashmë, jeni angazhuar edhe në ringjalljen e Orkestrave Frymore në disa qytete të Shqipërisë, në një kohë që jeni edhe kryetar i Klubit Kombëtar të Orkestrave Frymore. Përse i shihni me kaq interes bandat?

Bandat frymore janë themeli i muzikës profesionale në Shqipëri. Bandat i kanë fillimet në vitin 1878, pra kanë një histori mbi 100-vjeçare. Në fillim të shekullit XX, bandat u përhapën në qytete kryesore të vendit dhe më pas, në vitet ‘50-‘60 pothuaj në të gjitha qytetet. Kultura e orkestrave frymore është një nga traditat më të shkëlqyera të muzikës shqiptare dhe si e tillë duhet të ruhet e të zhvillohet. Në vitet ‘90 pati një shpërbërje të tyre dhe pothuaj u zhdukën. Me kolegë të mi, pedagogë, instrumentistë të shquar të orkestrave tona krijuam Klubin Kombëtar të Orkestrave Frymore e dalëngadalë u munduam që nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, ku më kryesori është Festivali i Orkestrave Frymore (që këtë vit është në edicionin e katërt të tij), të rifaktorizonim këtë kulturë dhe t‘i bënim një pjesë të rëndësishme të realitetit muzikor e kulturor të vendit tonë. Jam i lidhur me orkestrat frymore, pasi kam punuar jashtë si dirigjent jo vetëm i orkestrave simfonike, orkestra apo kore, por si dirigjent i bandave, një faktor tjetër që më bën të jem më i angazhuar në këtë ringjallje. Banda, ndryshe nga orkestra, ka një veçori që e bën më të afërt me publikun, sepse luan çdo lloj muzike dhe e servir shumë më thjeshtë produktin e vet artistik se formacionet e tjera. Ato lëvizin rrugëve, parqeve, shesheve, kudo, shkojnë te publiku. Por bëjnë koncerte edhe në salla të mbyllura, edhe pse misioni i tyre është më popullor, prandaj është e nevojshme që t‘i ruajmë e t‘i zhvillojmë.

Në ç‘pikë ndodheni në këtë "betejën" tuaj?

Na gëzon fakti që të paktën në qytete kryesore, orkestrat frymore gëzojnë një ringjallje, do të përmendja këtu Shkodrën, Korçën Beratin, Elbasanin, Vlorën e Fierin e sigurisht ka një interes në rritje edhe nga autoritetet lokale e kolegët tanë në qytete të tjera. Të mos harrojmë që përveç kostos njerëzore, e cila nuk na mungon, orkestra frymore ka edhe një kosto financiare, e cila duhet përballuar nga institucionet lokale. Por besojmë ashtu sikurse vendi zhvillohet në të njëjtat nivele, edhe bandat do të përmirësojnë si përgatitjen e tyre ashtu edhe imazhin.

Si keni menduar ta organizoni festivalin e sivjetshëm, i cili pritet të zhvillohet në korrik në Sarandë?

Festivali i sivjetshëm do të ketë një dimension të ri. Do të marrin pjesë të gjitha bandat e vendit tonë, sikurse edhe ansamble të ndryshme frymore. Ndërkaq do të ketë një pjesëmarrje më të madhe edhe nga rajoni e më gjerë. Kemi marrë konfirmime nga Greqia, Holanda dhe Italia. Por ajo që është më e veçantë për këtë edicion është që ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që të shtrijmë festivalin jo vetëm në Sarandë, ku do të zhvillohet në gjashtë net, nga data 7 deri më 12 korrik, por ta shtrijmë dhe në qytete afër saj siç është Delvina, Ksamili dhe Himara.

Si dirigjent, cilat janë angazhimet tuaja pas përfundimit të shfaqjes së operës "Andrea Chennier" në TKOB?

Në axhendën time të afërt kam një koncert shumë të rëndësishëm me orkestrën shtetërore filarmonike të Athinës, që është orkestra më e madhe greke ku do të drejtoj një program premierë, "Trumpet Uverturë" të Medelsonit, si dhe veprën për violinë e violonçel të Saint Sans, ku solistë do të jenë dy instrumentistë shqiptarë Suela Piciri dhe Astrit Selita. Koncerti mbyllet me simfoninë e parë të Weber-it. Është menduar që koncerti të zhvillohet në një nga sallat më të njohura të Athinës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›