E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gantar: Pavarësia e Kosovës, stabilitet në rajon

Lubjanë -Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mori pjesë në debatin e Kongresit të Lëvizjes Evropiane, i cili po i zhvillon punimet në Lubjanë të Sllovenisë, me temën “Organizatat e Shoqërisë Civile sfidojnë autoritetet publike”. Në Kongres po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve publike dhe të shoqërisë civile.

Duke marrë fjalën, Krasniqi, midis tjerash tha: “
Pjesëmarrja e shoqërisë civile dhe e qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe të krijimit të politikave, hapja e institucioneve dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile, përbëjnë themelin e demokratizimit dhe përparimit të shoqërisë në përgjithësi".

Më tej, Krasniqi tha se ngritja e një shoqërie civile të mirëfilltë, merr rëndësi të veçantë për vendet në transicion dhe me orientim evropian, siç është Kosova. “Si shoqëri dhe shtet i ri, po bëjmë përpjekje në partneritet ndërkombëtar, për të ndërtuar institucione transparente, të përgjegjshme dhe përfshirëse, me një shoqëri civile të gjallë, të lirë dhe aktive”-vijoi ai.

Në orët e pasdites, kryetari Krasniqi u prit nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, zoti Pavel Gantar. Të dy kryetarët, në një frymë miqësore, shkëmbyen informata dhe biseduan për thellimin e marrëdhënieve ndërparlamentare midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë. Të dy parlamentet, vitin e kaluar kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi.

Zoti Gantar shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis Sllovenisë dhe Kosovës, por edhe gatishmërinë për thellimin e tyre në të gjitha fushat, në shërbim të interesave të të dy vendeve dhe të bashkëpunimit e të paqes rajonale. Ai pavarësinë e Kosovës e vlerësoi, jo vetëm si shprehje të vullnetit të popullit, por edhe si kusht për stabilitetin dhe paqen rajonale.

Zoti Gantar premtoi se do të vë në shërbimin e Kosovës gjithë përvojën sllovene për të lehtësuar proceset integruese evropiane të saj. Kryetari Krasniqi i bëri ftesë zotit Gantar ta vizitojë Kosovën, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›