Flaka e olimpizmit mbërrin në Sarandë
Saranda dhe Delvina lënë prapa edhe mjaft qytete e rajone të tjera, me traditë më të hershme sportive. Prej ditës së djeshme, ky rajon është bërë me komitetin e vet rajonal olimpik. Grupi nismëtar për krijimin e këtij komiteti, i kryesuar nga gazetari sportiv Xhorxhi Vasili, ka përgatitur takimin themelues të këtij forumi, që u mbajt në sallën e konferencave të hotel “Butrintit” në Sarandë. Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Agim Fagu, ka veçuar faktin që një komitet rajonal olimpik nuk e kanë ende qytete të mëdha e të zhvilluara në vend, ndërkohë që arsyeja përse kjo është realizuar në Sarandë lidhet me punën e mirë që bëjnë pushteti vendor dhe arsimi në këtë rreth. Praninë e presidentit Fagu në këtë takim, kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar, Edmond Gjoka, e ka shpjeguar me cilësitë sportive që ka prodhuar Saranda, ndërkohë që ka vlerësuar edhe praninë e emrave që kanë bërë historinë sportive të rajonit. Ai theksoi se prej vitit 2003, investimet nga bashkia janë 7-fishuar. Kryebashkiaku i Delvinës, Dhurim Alinani, siguroi se Komiteti Olimpik Rajonal do të ketë mbështetjen e të gjitha institucioneve shtetërore. Nënprefekti Gjergji Mano tha se fryma e olimpizmit është ajo që jep shansin për t’i bashkuar njerëzit. Bordi i Komitetit Olimpik Rajonal, me pjesëmarrje nga Saranda, Delvina e Livadhjaja, zgjodhi si president Eduart Mehmetin.
#