E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara, Basha: PD-në, në piedestal të ri. Olldashi: LSI-ja po tenton të ndërhyjë

basha-dhe-olldahsiVlorë/Lushnje- Lulzim Basha, kandidati për kryetar të PD-së ka prezantuar sot platformën e tij në Vlorë, Shijak, Fushë-Krujë dhe Krujë. Në fjalën e tij para zoti Basha tha se me të baza e PD-së do të lartësohet në një piedestal të ri statutor.

Mijëra mesazhe nga themelues qëndrestarë dhe anëtarë të rinj të PD ma kanë mbushur zemrën që sot me optimizëm, jo vetëm sepse kanë mirëpritur projektin tim por sepse që sot kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bërë gjithçka që Partia Demokratike të kthehet një orë e më parë në drejtimin e ëndrrës tonë evropiane. Dua tju them sot nga Vlora, se në statutin e ri të PD, ne do ta lartësojmë anëtarësinë dhe bazën e PD, në një piedestal të ri statutor. Kjo nënkupton vendosjen me votë të çdo procesi, nga emërimet dhe përzgjedhjet e kryetarëve bazë të seksioneve, grup-seksioneve, degëve e deri tek përzgjedhja e më të mirëve mes nesh, për tu përballur në betejat tona politike, lokale dhe qendrore,-tha Basha.

Si partia që jep garanci që zëri i çdo anëtari të dëgjohet, që kontributi i çdo anëtari ndër vite e deri më sot, të përkthehet në meritë transparente para anëtarësisë, jemi gati të nisim që sot luftën opozitare më të paepur por dhe rrugëtimin tonë më të vendosur, drejt rikthimit si mazhorancë zyrtare në Shqipëri,-tha më tej Basha.

Ndërkohë kandidati tjetër për postin e kreut të PD-së, Sokol Olldashi tha nga qyteti i Lushnjes, Beratit, Kuçovës dhe Poliçanit se ka një përpjekje të qartë të segmentëve të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces.

Ka një përpjekje të tmerrshme nga vektorë të majtë, brenda shtypit shqiptar. Po ti shikoni takëmet e analistëve, të cilët nuk gjejnë kurrë asgjë, janë të njëjtët që e luftuan me të gjithë breshërinë e tyre Partinë Demokratike, para zgjedhjeve. Janë të njëjtët që tani po përpiqen të bëjnë diversion. Janë të njëjtët që na vodhën votat me paratë e pista që vodhën gjatë pushtetit tonë, të cilët po përpiqen të ndërhyjnë në këtë proces. Në Lushnjë, Berat dhe gjetkë ka një përpjekje të qartë edhe nga segmente të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces. Mbajini larg! Kjo parti është parti e demokratëve. Kjo parti është e grave dhe burrave të lirë që vendosin vetë me mendje të ftohtë se cila duhet të jetë e ardhmja e kësaj strukture, ku bëjnë pjesë të gjithë,-tha ai.

Në fjalën e tij zoti Olldashi u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në këtë proces dhe të gjithë bashkë të nisin veprimin më të fortë opozitar për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›