Arvizu-Meta: Shqipëria ka mundësi të mëdha, SHBA-të do investojnë
Tiranë- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu ishte sot në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim sëbashku me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë ku u takuan me liderin e kësaj force politike Ilir Meta.
Pas përfundimit të takimit ku dhanë edhe një konferencë për shtyp, punësimi dhe rritja ekonomike e vendit, prioritete të premtimeve elektorale të LSI-së, ishin në qendër të takimit, u shprehën Meta dhe Arvizu.
Nga ana e tij, ambasadori Arvizu tha se amerikanët kërkojnë hapësira të reja për investime dhe se tregu shqiptar përbën një mundësi e mirë për investime.
“Falënderoj zotin Meta për kohën që mori gjatë kësaj periudhe tranzicioni shumë të ngarkuar me pune. Kemi folur për punësimin dhe ekonominë, punësimin dhe ekonominë, punësimin dhe ekonominë. Si amerikan jemi realist për sa i përket arsyeve gjeografike, traditës dhe historisë që disa nga partnerë strategjikë të Shqipëria si Italia, Greqia, Austria, Turqia etj, kanë disa avantazhe për të qenë investitorë të mëdhenj këtu. Por amerikanët janë gjithmonë në kërkim të oportuniteteve dhe mundësive të reja. Ajo që unë kuptoj qartë sa herë që flas me investitorë amerikanë është se në Shqipëri ka mundësi të mëdha investimi. Cilësia e forcës së punës, edukata për etikën e punës është shumë e lartë. Ne kemi biseduar sa i përket përmirësimit të klimës së biznesit. Na duhet më shumë qartësi, më shumë transparencë, më shumë parashikueshmëri. I urojmë gjithë të mirat qeverisë së re dhe ne jemi të bindur se z. Meta dhe partia e tij kanë një rol tepër të rëndësishëm për të luajtur në qeverisjen e re”,- u shpreh zoti Arvizu.
Ndërsa për kreun e LSI-së, zotin Meta rëndësi të veçantë ka tërheqja e investitorëve të huaj, e cila sipas tij ndihmon në rritjen ekonomike dhe punësimin e shqiptarëve.
“Ishte një kënaqësi sepse ndajmë qëllime të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, e cila duhet të bazohet në një situatë ekomomike më të mirë, në një klimë biznesi më të mirë dhe në mundës të reja për investitorët e huaj, në mënyrë të veccanta ata amerikanë për të zgjeruar prezencën e tyre në vendin, për të qenë shembull pozitiv për tërheqjen e investimeve të tjera nga Amerika, Evropa etj në Shqipëri. kjo do të ndihmojë në rritjen ekonomike të vendit, do të ndihmojë në rritjen e punësimit të qytetarëve tanë dhe do të përmirësojë edhe imazhin e Shqipërisë akoma më tej. Ndaj unë dua të shpreh edhe një herë tjetër falënderimin për të gjitha idetë e Dhomës Amerikane të Tregtisë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe me qeverinë e ardhshme, në mënyrë që kjo klimë biznesi të përmirësohet në mënyrë thelbësore, ligjet të zbatohet dhe hapësirat dhe mundësitë për investimet e huaja në Shqipëri të shtohen me shpejtësi”,- u shpreh zoti Meta.
Përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë, gjatë takimit kanë falenderuar kreun e LSI-së për mbështetjen e tij për vijueshmërinë e bashkëpunimit.