E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Jam gati të lë mandatin për ministre

Deputetja socialiste e qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiu tha dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se nëse do t’i kërkohej, do ta linte mandatin e deputetes për një post ministri. Ajo argumenton se: “Posti ministror është një përfaqësim që i bën nder kujtdo individi që i ofrohet. Detyra e ministrit është përtej së majtës dhe së djathtës, në shërbim të interesave të qytetarëve shqiptarë. Nëse do të kisha një ofertë të tillë, do të isha e gatshme ta pranoja detyrën, duke lënë mandatin e deputetit për të qenë ministre me kohë të plotë në funksion të detyrës”, - tha Spahiu. Ajo shpjegon edhe mënyrën se si PS-ja do të realizojë premtimet e saj në lidhje me sistemin shëndetësor.
Znj.Spahiu, ky rezultat që arriti PS-ja dhe koalicioni i saj u cilësua si surprizë këtë herë. Cilët ishin sipas jush, faktorët që ndikuan në këtë rezultat kaq të thellë?
Qeveria në largim, që u ndëshkua me votat e 1 milion shqiptarëve, nuk arriti t’i përmbahej shumicës së premtimeve që ajo bëri në 2005-ën kur erdhi në qeveri. Mosmbajtja e premtimeve ndaj qytetarëve shqiptarë dhe qëndrimi në pushtet me vota të vjedhura në dy palë zgjedhje, si në 2009 dhe në 2011, e ktheu qeverinë në oborrin e interesave familjare të pushtetarëve. Kultura e mosndëshkueshmërisë, kapja e gjyqësorit, militantizmi partiak në administratë sipas modelit parti-shtet dhe një sërë denoncimesh të tjera që ne kemi bërë gjatë këtyre tetë viteve, sollën një pakënaqësi të tejskajshme në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Qytetarët me votën e tyre plebishitare në 23 qershor besuan te Programi i Rilindjes për një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet qytetar-përfaqësues, si dhe në modernizimin dhe demokratizimin e vendit.
PS-në tashmë e pret një punë e vështirë, drejtimi i qeverisë së re, e cila merr përsipër, duhet thënë, një arkë mjaft të boshatisur, ashtu siç edhe e keni denoncuar ju si PS. A i druheni faktit se me këtë gjendje të borxheve dhe situatës financiare mund të mos i realizoni premtimet tuaja për 4 vjet?
Programi i Rilindjes është një program i bazuar në resurset ekzistuese të vendit. Shqipëria ka resurse të mjaftueshme, si ato natyrale, njerëzore dhe gjeopolitike, të cilat, me një vizion të qartë dhe miradministrim mund të vihen në efiçencë të plotë për të arritur uljen e borxhit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Një nga shkaqet kryesore që ka çuar në ulje të rritjes ekonomike dhe në nivele alarmante papunësinë është pikërisht keqadministrimi i resurseve të vendit dhe mospasja e një vizioni afatgjatë. Ulja e korrupsionit në administratën publike dhe zhvillimi i sektorëve elitarë si turizmi, bujqësia, pasuritë natyrore dhe energjetika, do të rrisin konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon dhe do të mundësojnë thithjen e investimeve të huaja. Këto dhe shumë politika të tjera të përcaktuara në Programin e Rilindjes do të bëjnë të mundur balancimin e borxhit dhe rritjen e mirëqenies, falë edhe mirëfunksionimit të administratës sipas vizionit tonë.
A do të pranonit ju të linit mandatin e deputetit për postin e ministrit, një vendim që duket se është marrë tashmë? Si e cilësoni këtë vendim?
Posti ministror është një përfaqësim që i bën nder kujtdo individi që i ofrohet. Detyra e ministrit është përtej së majtës dhe së djathtës, në shërbim të interesave të qytetarëve shqiptarë. Nëse do të kisha një ofertë të tillë, do të isha e gatshme ta pranoja detyrën, duke lënë mandatin e deputetit për të qenë ministre me kohë të plotë në funksion të detyrës. Në pikëpamjen time, kjo përgjegjësi është më gjithëpërfshirëse dhe më impenjative për të zbatuar Programin e Rilindjes, për të cilin jemi mandatuar si mazhorancë.
Ju deri më tani keni qenë tepër e angazhuar për pjesën e programit që ka lidhje me shëndetësinë. Ju lutem, a mund të na sqaroni konkretisht, si do të funksionojë dhe si do të realizohet premtimi për një shëndetësi falas?
Me programin e PS-së për shëndetësinë ne synojmë të ndërtojmë një sistem shëndetësor sipas modelit të Sistemit Shëndetësor Kombëtar (“Beveridge”), që në thelb do të thotë financim i sigurt i sistemit shëndetësor me anë të taksimit të përgjithshëm, mbulim të plotë (universal) me shërbim shëndetësor, bazë të të gjithë shtetasve shqiptarë që banojnë në territorin e Shqipërisë, ofrim të shërbimit shëndetësor pa pagesë në pikën e shërbimit (ambulanca, qendra shëndetësore, poliklinika, spitale etj.), sistem shëndetësor të decentralizuar dhe kosto-efiçient.
A do të jetë kjo e mundur brenda 4 vjetëve?
Ky model që ne synojmë nuk është një fantazi, por një realitet që funksionon me shumë sukses prej 70 vjetësh në disa vende të botës, si në Britani, Kanada, Danimarkë, Suedi, Spanjë etj. Është e vërtetë që modeli i Sistemit Shëndetësor Kombëtar (“Beveridge”) është më i ri nga modeli “Bismarch”, që mbështetet në kontributet financiare për të marrë shërbim shëndetësor. Por po kaq i vërtetë është fakti që në dhjetëvjeçarët e fundit, janë të shumta vendet (Italia, Spanja, Taiwani etj.), që të bindur në epërsinë e sistemit kombëtar kanë ndryshuar model, nga ai “Bismarch” në atë “Beveridge”. Nga ana tjetër, bindja jonë në realizimin e programit tonë qëndron në nevojën mëse të domosdoshme për të ndryshuar këtë xhungël që ende quhet “sistem shëndetësor”, - që po tmerron e sakrifikon shqiptarët, - që e trashëgojmë nga keqqeverisja e PD-së, e për t’i ofruar atij, një sistem shëndetësor cilësor e dinjitoz për çdo shqiptar, pavarësisht nga mundësia që ka për të paguar; nga kapacitetet tona njerëzore e profesionale të aftë për të realizuar me sukses këtë ndryshim të madh. Ne besojmë në vizionin dhe profesionalizmin tonë dhe do t’ia dalim.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›