E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara e 11 majit, Rama: Do votojmë për të hyrë në BE, apo do shkojmë pas mustaqeve madhështore të Kujtim Gjuzit

Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një takim në Durrës.

Ai kërkoi votën e qytetarëve për garën e 11 majit. Rama tha se është i lumtur që 56% e grave dhe vajzave, në tërësi, votojnë PS-në.

Kryeministri u ndal edhe tek turizmi, ku u shpreh se një milion italianë, vitin e kaluar, kanë ardhur të bëjnë pushime në Shqipëri.

Rama deklaroi përpara qytetarëve se kanë dy rrugë në këto zgjedhje, të votojnë për të shkuar drejt BE-së, apo të votojnë për të shkuar pas asaj ‘të mustaqeve madhështore’ të Kujtim Gjuzit.

Rama: Imagjinoni ju tani të keni 9 burra e të jeni vetëm. Imagjinoni, çfarë t’i bëni asaj shtëpie. Ja, kështu ishte Shqipëria. PS kishte vetëm 12% gra, tani ka 40%. Jam shumë krenar që 56% e grave dhe vajzave, në tërësi, votojnë PS-në. Tek burrat është pak më ngushtë. Çfarë të them unë për ata burra që votojnë ‘kënetën’? Janë çyryk komplet! Si të shkosh e t’i japësh votën ‘kënetës’? Si mund të votosh ‘kënetën’ kur ke një fëmijë në shtëpi? Me PS-në, ti fëmijës tënd, kur të shkojë 18 vjeç e të dojë të studiojë jashtë, i jep pasaportën evropiane.

Më shumë duan të vijnë italianët të bëjnë pushime këtu, sesa ne shqiptarët në Itali. Një milion italianë, vitin e kaluar, kanë ardhur të bëjnë pushime në Shqipëri. Çfarë do bëjmë ne më 11 maj? Do votojmë për të shkuar drejt BE-së, apo do shkojmë pas asaj ‘të mustaqeve madhështore’ të Kujtim Gjuzit?

Në këto tre javë do bëjmë gjithçka, që të mos e harrojmë kurrë. Këto zgjedhje do t’i mbajmë mend, siç mbajmë mend zgjedhjet e marsit ’92.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›