Gara e 23 qershorit kryetaret partiake dhe perballjet e tyre ne qarqe

Debatet se kush do të jetë dhe nëse do të jetë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë të partive politike, tashmë quhet i ezauruar.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë depozituar listat 66 parti politike, nga të cilat 61 janë parti pjesëtare të koalicioneve dhe 4 të tjera do të garojnë më vete.
Vihet re se krerët e partive të vogla nuk do të garojnë të gjithë në Tiranë. Një pjesë e tyre kanë zgjedhur të garojnë në qarqe te tjera të vendit.
Po t’i hidhet një sy listave të kandidatëve për deputetë, kryetarët e partive kryesore politike gjenden në pozita të sigurta për fitore dhe përfaqësim në Kuvendin e ardhshëm.
Në kampin e djathtë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, kryeson listën në Qarkun Tiranë. Që prej sanksionimit të sistemit proporcional rajonal, në vitin 2008 në Kushtetutë, Berisha ka garuar në këtë Qark.
Ndërsa krerët e partive të tjera aleate të PD-së, në bazë të marrëveshjeve që kanë bërë me këtë forcë politike, do të jenë pjesë e listës së demokratëve.
Ata nuk renditen në krye të listave, por në pozicione të sigurta. Kështu, kreu republikan Ffatmir Mediu do të jetë i 4-i në listën e PD-së në Qarkun e Korçës, Shpëtim Idrizi i PDIU-së i 4-i në Tiranë, Dashamir Shehi i 7-i po në Tiranë, ndërsa Nard Ndoka i PDK-së do të jetë i 4-i në listën e PD-së në Shkodër.
Ndërkohë, edhe të majtët kanë bërë zgjedhjet e tyre. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama do të kryesojë listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Vlorës.
Po në këtë qark, do të kandidoje aleati i tij, Vangjel Dule, që kryeson listën e e PBDNJ-së. Ilir Meta, ka zgjedhur të drejtojë listën e LSI-së për qarkun Tiranë. Po në këtë Qark do të kandidojnë edhe Paskal Milo i Demokracisë Sociale dhe socialdemokrati Skënder Gjinushi.
Partia që nuk është bërë pjesë e asnjë koalicioni zgjedhor, FRD ka depozituar listat e saj. Kreu Bamir Topi do të jetë i pari në listën e Tiranës.
Duke i hedhur një vështrim listës së dy partive kryesore, vihet re një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të legjislaturës që po mbyllet, rreth 66, nuk do të jenë në Kuvendin që do dalë pas 23 qershorit. Nga demokratët, si pasojë e moskandidimit ose vendosjes në pjesën e ftohtë të listave, pritet të mos jenë më deputetë 35 ligjvënës, ose 50% e atyre që janë sot në Parlament. Nga selia rozë, si pasojë e të njëjtit fakt, nuk do të shkelin pragun e Kuvendit 4 vitet e ardhshme 25 deputetë ose 40% e e grupit ekzistues.