E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara ne PS “Përballje në kuptimin e vërtetë të fjalës”

23/09/2009  Rama dhe Lakrori takim me anëtarët e PS-së së Tiranës

Kryeqyteti i vendit qe stacioni i radhës i dy kandidatëve për kreun e ri të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Maqo Lakrori. Gjatë këtij takimi kreu në detyrë i socialistëve, Rama, i mëshoi me forcë idesë së protestave, duke paralajmëruar organizimin e tyre në një kohë të afërt. Ndërkohë që kësaj përballje po i vjen fundi, pasi ka mbetur vetëm një takim tashmë për të përmbyllur një fushatë të tillë, në vlerësimin mbi mënyrën se si janë paraqitur dy konkurrentët u vunë re dy këndvështrime të të gjykuarit të kësaj gare. Kështu, nga ana e tij kandidati për kryetar i PS-së Maqo Lakrori gjatë gjithë takimeve në 11 qarqet e vendit nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka synuar pasqyrimin në mënyrë sa më të qartë dhe sa më të detajuar të platformës së tij. Pra, në gjithë fjalimet i tij në këto takime, sikundër ndodhi dhe gjatë përballjes së mbrëmshme, Lakrori ka parashtruar përpara anëtarësisë së PS-së, e cila nm 26 shtator do të zgjedhë kreun e ri sipas parimit “një anëtar, një votë”, mënyrën se si do të drejtohet kjo parti në rast se ai do të zgjidhet në këtë post. Krejt e kundërta ka ndodhur me kandidatin tjetër, aktualisht kryetar në detyrë i partisë, Edi Rama. E gjithë fushata është konceptuar prej tij si një tur takimesh për të sqaruar bazën socialiste për qëndrimin ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit dhe institucioneve të dala prej tyre. Madje, qëndruar në këtë pikë, Rama shprehu në mënyrë krejt të qartë se Partia Socialiste nuk do të heqë dorë nga bojkoti ndaj Kuvendit. Kjo do të ndodhë vetëm në rast të realizimit të kushteve të bëra publike nga PS-ja ndaj mazhorancës qeverisëse dhe Kuvendit. Për këtë arsye kreu në detyrë i PS-së vuri në dukje se “nuk ka bashkëpunim pa kushte”. Madje, duke shkuar më tej, Rama paralajmëroi “përballje jo vetëm me fjalime, por përballje në kuptimin e plotë të fjalës”. Njëkohësisht Rama u shpreh se “duhet të marrë një herë e mirë fund tradita e zgjedhjeve, ku bëhet çfarëdo me kutitë, me emigrantët, me listat, me emrat, me mbiemrat dhe me procesverbalet dhe ku nuk ka problem, sepse mjafton që njerëzit të bien dakord në qendrën e votimit dhe historia mbyllet aty, sepse kutitë nuk hapen më”. Gjithashtu, duke iu referuar pikërisht asaj pjesë brenda radhëve të PS-së që kundërshton linjën zyrtare të saj, konkretisht mendimin ndryshe, që kundërshton bojkotin e Kuvendit, Rama preferoi të ritheksonte dhe një herë arsyet se pse kjo parti do të vijojë të mbajë të njëjtin qëndrim. Sipas tij, PS-ja do të ishte e pranishme në Kuvend nëse vërtet do të funksiononte demokracia në vend dhe nëse do të kishte institucione vërtet demokratike. Për këtë arsye, në gjykimin e Ramës në kushtet që u zgjodh ai Kuvend, PS-ja nuk mund të shkojë të bëjë lodër në duart e Metës dhe të Berishës.

Gara

Qarku i Dibrës do të shënojë mbylljen përfundimtare të përballjes së dy kandidatëve për kryetarin e ri të PS-së, Edi Rama dhe Maqo Lakrori. Është parashikuar që ky takim të zhvillohet gjatë pasdites së sotme në qytetin e Peshkopisë.

Takimi

Gjatë ditës së djeshme axhenda e takimeve e kryetarit në detyrë Edi Rama parashikonte takime të ngjeshura, duke përfshirë këtu dhe takimin me ambasadorin suedez në Tiranë, duke synuar kështu informimin e faktorit ndërkombëtar mbi qëndrimin për zgjedhjet.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Rusmali, fton deputetët e PS-së

“Opozita të vij në Kuvend në emër të reformave të rëndësishme”

Bojkoti i socialistëve ka lënë pezull ligjin për Gjykatën Administrative

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka ripërsëritur ftesën e mazhorancës për të frekuentuar punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Pasi zhvilloi mbledhjen e pare të komisionit për këtë legjislaturë, Rusmali theksoi domosdoshmërinë e pranisë së opozitës në Kuvend për realizimin e reformave të mëdha në vend, sidomos në fushën e drejtësisë. “Reforma në drejtësi kërkon jo vetëm prezencë, jo vetëm bashkëpunim, por dhe kontribut real të opozitës, me qëllim që ajo të jetë reformë e qëndrueshme dhe afatgjatë. Sigurisht, kur ata të jenë bashkë me ne në komision, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që na takon si parlamentar, por do të kërkojmë dhe të gjithë kontributin e ekzekutivit që reforma në drejtësi të ecë përpara”, - theksoi ai. Në mënyrë të veçantë kreu i rimandatuar në krye të Komisionit për Çështjet Ligjore, përmendi ligjin për Gjykatën Administrative. “Ju keni përcjellë për opinionin publik kërkesën insistuese të komunitetit të biznesit që ky ligj të kalojë një orë e më parë. Ai ligj, për fatin tonë të mirë, është ligj emblematik për bashkëpunimin me opozitën. Me atë ligj ne kemi marrë gjithçka që opozita ka pasur si pretendim substancial për përmbajtjen e ligjit. Dhe është realisht për të ardhur keq që ai të flejë në sirtar dhe të mos miratohet në Parlament”, - tha Rusmali. Ligji në fjalë ka mbetur pezull pa u votuar që nga legjislacioni që shkoi për shkak të mungesës së konsensusit të opozitës. Ligji në fjalë kërkon një shumicë të cilësuar votash, 84 të tilla, të cilat mazhoranca qeverisëse nuk i ka. Në përfundim të fjalës së tij Rusmali, duke iu referuar përbërjes aktuale të Komisionit të Ligjeve, tha se komisioni i ka të gjitha potencialet për t’i dhënë vendit reformë sa më konkrete në sistemin e drejtësisë.

PS i përgjigjet Berishës

Tahiri: Ftesa ambulante, larg kushteve tona

Partia Socialiste vijon në qëndrimin e saj të palëkundur për të mos qenë pjesë e Kuvendit deri në plotësimin e kushteve të vëna prej saj ndaj mazhorancës qeverisëse. Madje, në përgjigje të ftesës së drejtuar nga kryeministri Berisha për ndërmarrjen e një hapi të tillë nga PS-ja, kjo e fundit edhe gjatë ditës së djeshme preferoi të lëshonte të njëjtin mesazh të ritheksimit të kërkesave ndaj maxhorancës dhe qeverisë për të bërë transparencën e plotë të procesit zgjedhor dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që abuzuan me administratën publike dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kështu, deputeti i PS-së Sajmir Tahiri gjatë një deklarate për shtyp deklaroi se “ftesa ambulante e zotit Berisha ndaj Partisë Socialiste për të hyrë në Parlament nuk është aspak serioze dhe për më tepër është ende shumë larg kërkesave legjitime që Partia Socialiste dhe shumica dërrmuese e votuesve shqiptarë kërkojnë”. Sipas tij, Partia Socialiste i kërkon kryeministrit Berisha të lexojë me realizëm raportin e OSBE-ODIHR-it dhe të reflektojë ndaj kërkesave të saj. “Këto janë kërkesa pa plotësimin e të cilave demokracia dhe shteti ligjor do të mbeten thellësisht të cenuara në legjitimitetin e tyre”, - u shpreh Tahiri gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›