E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, thellohet konflikti Mash-Rektorat

23/09/2009  Në rast të refuzimit për regjistrimin e 400 studentëve do të kërkohet shkarkimi i rektorit

Çelet për herë të parë një degë profesionale për kujdesin ndaj moshës së tretë

Thellohen më tej përplasjet ndërmjet Universitetit të Vlorës dhe Ministrisë së Arsimit. Pavarësisht urdhrit të nxjerrë nga MASH-i pak ditë më parë për regjistrimin automatikisht të 400 kandidatëve fitues në degët e këtij universiteti sipas listave të dërguara nga APRIAl-i, rektori i këtij institucioni ka refuzuar sërish pranimin në auditorët e fakulteteve të fituesve me notë mesatare nën gjashtë. Përkundrejt këtij refuzimi kreu i ri i arsimit, Myqerem Tafaj, edhe një herë tjetër ka pohuar se fituesit do të nisin vitin akademik në degët ku janë përzgjedhur, duke shtuar se në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi do të kërkohet shkarkimi i rektorit të universitetit të Vlorës. Vendimi është konfirmuar nga vetë Tafaj gjatë vizitës së zhvilluar dje me rastin e hapjes për herë të parë në vendin tonë të degës për shërbimin social dhe kujdesin ndaj moshës së tretë.

Përplasjet

Deklaratat

Lidhur me këtë problem, që prej ditësh ka nxjerrë në protesta 400 maturantët fitues, Tafaj ka pohuar se të gjithë do t’u drejtohen auditorëve të fakulteteve në ditën e parë të vitit akademik. Sipas Tafajt, në rast se do të vijojë kundërshtimi nga ana e universitetit, do të ndërhyhet me një tjetër rrugë ligjore: atë të propozimit për shkarkim të rektorit të universitetit të Vlorës, kërkesë të cilën do t’ia paraqesë Presidentit të Republikës. “Studentët janë regjistruar. Pra, është bërë regjistrimi paraprak. Ata trajtohen si gjithë të tjerët që janë regjistruar për regjistrimin përfundimtar. Jam i sigurt se Universiteti i Vlorës do t’i regjistrojë studentët. Rektori do t’i pranojë në auditor”, - ka deklaruar ministri Tafaj.

Arsimi profesional

Për herë të parë në Shqipëri çelet një degë e arsimit të mesëm profesional për shërbimin social dhe kujdesit ndaj moshës së tretë. Me rastin e fillimit të mësimit në këtë degë Myqerem Tafaj së bashku me Bernd Borchardt, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, vizituan dje shkollën e mesme profesionale të Agrobiznesit në Kamëz. Së shpejti do të ndërtohet një godinë e re për shkollën profesionale të Kamzës, një investim prej 5 milionë euro, që do të realizohet për 3 vjetët e ardhshëm. “Kjo në mënyrë që këtu në bashkinë e Kamzës të ngrihet qendra më e madhe e arsimit dhe e formimit profesional në shkallë vendi, një qendër e standardeve evropiane. Bashkia e Kamzës dhe periferia e Tiranës ka nevojë shumë të madhe për arsimin dhe formimin profesional. Për këtë shkak kjo do të jetë edhe qendra më e madhe e këtij sektori në shkallë vendi.”

“Aktualisht 22 për qind e nxënësve që përfundojnë arsimin e detyruar vijojnë shkollën e mesme profesionale. Në programin tonë të qeverisë synojmë që ta rritim këtë shifër me 10 për qind më shumë. Por të themi që me ndryshimin e sistemit nga 8+4 në 9+3 ne na duhet të bëjmë një sistem më atraktiv, tërheqës, në mënyrë që nxënësit dhe prindërit të marrin vendimin për të ndjekur arsimin profesional, si një alternativë ndaj arsimit të përgjithshëm”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›