Gara në PS, kandidatët përfaqësues në të gjitha komisionet
Në kongresin e ditës së nesërme do të shfaqen pamje, që faktojnë manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit
Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, zbardh vendimet e Kryesisë së Partisë Socialiste
Gara për kryetarin e Partisë Socialiste që do të startojë pas kongresit të ditës së nesërme, do të jetë e barabartë për të gjithë kandidatët që do të konkurrojnë.
Kryesia e PS-së e mbledhur dy ditë më parë me kërkesën e 8 përfaqësuesve të lartë të saj, ndërmjet të tjerave konkludoi edhe në vendimin për të krijuar mundësi të barabarta konkurruese për të gjithë ata individë që do të garojnë për postin e kreut të partisë.
Përfaqësuesit
Një fakt të tillë e ka konfirmuar dje edhe zëdhënësja e këtij forumi drejtues, Mimi Kodheli, në një dalje të posaçme për mediat, duke deklaruar se çdo kandidat do të ketë mundësinë që të vëzhgojë nga afër të gjithë procesin e fushatës elektorale që do të hapet, zhvillimin e zgjedhjeve, numërimin e votave dhe shpalljen e rezultateve.
"Kryesia shprehu vullnet të plotë për të mbështetur dhe administruar një proces konkurrimi ndërmjet kandidatëve për kryetar të PS, konform Kodit Zgjedhor të partisë, duke u garantuar akses të plotë të gjithë kandidatëve nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, në të gjithë piramidën e strukturave që do të merren me organizimin e këtij procesi; pra votimin, numërimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve, përmes rregullave dhe kushteve të njëjta dhe të barabarta për secilin nga kandidatët", - tha Kodheli.
Bëhet fjalë për një hapësirë që do t'u krijohet konkurrentëve për kryetarë, që të atashojnë ose të kenë anëtarë në të gjithë piramidën e komisioneve zgjedhore në parti, të cilëve do t'u jepet akses i plotë për të vëzhguar çdo vendimmarrje në lidhje me këtë proces elektoral brendapartiak.
Përjashtim bën vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Partisë (KZP), i cili, meqenëse është një institucion i përhershëm, nuk do të mund t'i ndryshohen anëtarët. Në këtë rast, kandidatët do të mund të atashojnë vetëm përfaqësuesit e tyre, të cilët edhe ata do të kenë hapësirën e duhur të ndjekin nga afër vendimmarrjen e tij.
Ndërsa për sa i përket komisioneve të niveleve të dyta, pra Komisioni i Zgjedhjeve i Partisë së rrethit (KZPRR) dhe ato të niveleve të treta në nivel komune dhe bashkie apo qendre votimi, kandidatët do mund të kenë dhe anëtarë me të drejta të plota. Një masë e tillë mësohet se është bërë në kuadër të rritjes së transparencës për një garë zgjedhore brendapartiake të ndershme.
Kongresi
Në daljen e saj për mediet, zëdhënësja e kryesisë Mimi Kodheli ka bërë publike dhe vendimet e tjera të mbledhjes së fundit të kryesisë, në të cilën u diskutua rreth organizimit të Kongresit dhe procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS-së.
Sipas saj, në mbledhje u ra dakord që t'i sigurohet publikut transparencë e plotë për dy çështje kryesore, për të cilat është thirrur Kongresi i Jashtëzakonshëm, që kanë të bëjnë me hapësirën që do t'u krijohet mediave për të ndjekur raportin për procesin zgjedhor të 28 qershorit, ku siç mësohet, do të shfaqen dhe një sërë provash filmike që vërtetojnë atë që kjo forcë e ka cilësuar si masakra elektorale.
"Do t'u jepet mundësia shqiptarëve të shohin një pjesë të provave dhe fakteve që pohojnë katërcipërisht deformimin e procesit zgjedhor dhe të rezultatit që rrjedh prej tij", - tha Kodheli.
Nderkohë, ajo ka bërë të ditur se kongresi do të jetë i hapur gjatë seancës së dytë, ku dhe do të prezantohen platformat që kanë kandidatët për kryetar partie. Ndërsa, për sa u përket ndryshimeve statusore, Kodheli ka konfirmuar se kryesia ka vlerësuar domosdoshmërinë e kryerjes së tyre, por jo të ndikuar nga tensioni që shkakton një garë, siç është ajo për kryetarin e partisë.
Sipas Kodhelit, kongresi, në mbledhjen e tij të së shtunës do të vendosë për ngritjen e një komisioni të posaçëm për të mbledhur propozimet dhe për t'i paraqitur ato për diskutim në të gjithë linjën vertikale të partisë, nga qendra deri në bazë, për t'ia propozuar për miratim një kongresi të dytë, që me shumë gjasa mund të mblidhet në fund të këtij viti.
"Në kryesi mbizotëroi mendimi që është e nevojshme kryerja e një reforme statutore dhe e rregullave që normojnë funksionimin e Partisë Socialiste, e cila nuk duhet të jetë e diktuar nga ndërhyrje pjesore dhe në kushtet e emocionalitetit të konkurrimit politik.
Kryesia në shumicë gjykoi dhe konkludoi se kongresi duhet të hapë rrugë një procesi e analize, konsultimi dhe debati të gjerë në parti rreth kësaj reforme, proces i cili brenda një afati të arsyeshëm, t'i paraqitet kongresit të ardhshëm për miratim", - tha Kodheli.