Erjon Braçe: Jo arnim të statutit për nevoja personale
Intervista / Nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, paralajmëron protesta popullore për mbrojtjen e votës
Anëtari i kryesisë thekson se përpjekja për të përjashtuar Ramën nga gara nëpërmjet ndryshimeve statusore, është praktikë puniste
Braçe: Socialistët e Beratit votojnë Edi Ramën
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka refuzuar të marrë pjesë në mbledhjen e fundit të kryesisë, për shkak se s'ka qenë dakord me thirrjen e saj nga disa individë, të cilët sipas tij, u përpoqën ta përdorin atë për interesat e tyre personale.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli," numri dy i grupit socialist komenton zhvillimet e fundit politike në gjirin e socialistëve, duke shprehur hapur se jo vetëm ai, por të gjithë socialistët e Beratit e mbështesin kandidaturën e Edi Ramës për kryetar partie.
Ai u përgjigjet edhe atyre zërave brenda selisë rozë, të cilët në ditët e fundit janë përpjekur të fajësojnë PS-në dhe kreun e saj si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve, duke iu përmbajtur në këtë mënyrë idesë së tij se zgjedhjet u vodhën prej Berishës.
Z. Braçe, dje, Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që kongresi i nesërm të zhvillohet pjesërisht i mbyllur, pavarësisht kërkesës së disa drejtuesve të lartë të kësaj force për ta zhvilluar atë të hapur. Mos kemi të bëjmë në këtë rast me një vendim që e çon PS-në drejt izolimit, duke kufizuar kështu demokracinë e brendshme dhe lirinë e të shprehurit të delegatëve?
Kongresi i Jashtëzakonshëm i PSSH-së do të jetë i hapur për medien dhe gjithë publikun. Do të dëshmojmë hapur për krimin elektoral, me fakte e prova të grumbulluar me mund, në kushtet e një pushteti që ka kapur shtetin dhe ka kufizuar çdo burim informacioni që bën transparencë mbi zgjedhjet!
Kemi luftuar me KQZ-në për këtë, me Kolegjin, madje dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, institucioni mbase më influent në zgjedhje, i implikuar direkt në mënyrë kriminale në këto zgjedhje, përmes nxjerrjes nga burgjet të vrasësve që menaxhuan territore elektorale së bashku me kandidatët e Sali Berishës në garë! Këto janë fakte! Publiku duhet të dijë të vërtetën për to!
Njëherësh, kongresi do të jetë i hapur dhe për arsyen për të cilën mblidhet: Nominimin e kandidatëve për kryetar të PSSH-së, platformat e tyre! Natyrisht, dhe projektin për të ardhmen e PS-së! Nuk them që çdo shqiptar, por të paktën 620 mijë shqiptarë që na votuan në zgjedhje, presin me interes nga PS-ja strategjinë e saj ngritur mbi votat e tyre, për t'i dhënë fund regjimit më të korruptuar sot në Evropë, në kulm të të cilit, pa dëshirën e popullit qëndrojnë familjet Berisha-Meta!!
Pra, PS-ja gëzon brenda saj liri të plotë, me rezervën e përhershme që vjen nga socialistët e thjeshtë për shpërdorimin e saj, shpesh! Banaliteti që ka për simbol KPD-në e famshme i ka neveritur të gjithë!
Ndërkohë që të gjithë bashkë, si çdo shqiptar, zyrtar, punëtor, fshatar, të papunë, gra, pensioniste, të rinj, sipërmarrës, pronarë e ish-pronarë, sindikalistë, po ndjejmë kufirin asfiksues për liritë tona themelore, të garantuara nga sistemi demokratik e ekonomia e tregut, por të kufizuara deri në fyt, nga standardi kriminal i Sali Berishës për zgjedhjet, korrupsioni familjar ekonomiko-financiar dhe i të drejtave pronësore i dy partnerëve të rinj, mbledhur për plaçkë në qeverinë e vjetër!! Besoj se çdo shqiptar i ndershëm e ndjen këtë kufi në grykën e tij!!
Një tjetër vendim i kryesisë ishte dhe ai që ndryshimet statutore të kërkuara nga një grup anëtarësh të Asamblesë Kombëtare, të mos miratohen në këtë kongres. Duke qenë se ju nuk morët pjesë në këtë mbledhje, si e shihni këtë vendim dhe cili është gjykimi juaj për përmbajtjen e këtyre ndryshimeve të propozuara?
Po më pyesni për dy gjëra njëherësh. Së pari: unë nuk mora pjesë dje në mbledhje për arsye parimore. Cilido individ i zgjedhur në PS, nuk mund të thërritet në apel për nevoja personale të kujtdo! Për më tepër në mënyrë ultimative!
Unë nuk dëshiroj t'i nënshtrohem kësaj praktike që buron nga nevoja personale të vogla dhe materializohet përmes shantazhit! Forumet nuk mund të vihen në lëvizje kështu. Për to ka rregulla të shkruara, të cilat i bëjnë këto forume të qëndrueshme e jo të deformueshme nga cilido individ! Nëse nuk ndodh kështu, atëherë dhe demokracia e brendshme nuk funksionon më mes nesh!
Por besoj nuk kam humbur gjë. Lexova mediet dhe ju them sinqerisht që nuk kisha pikën e dëshirës të ndaja opinione me të zgjedhur që lanë detyrat nga 1 muaj deri dy vjet me radhë!
Të të bëjnë moral të tillë të mandatuar është e tepërt! Njëherësh besoj se kryesia e një partie nuk duhet t'i lejojë vetes të bjerë në banalitetin e skenave të dashurisë, ku, ai që s'ka forcë të jetë i drejtë, si argument, formulon dashurinë për tjetrin dhe ky tjetri, i inatosur, bën refuzimin verbal që nuk ekziston në klubin e bllokut apo në zyrën e fundit të Sali Berishës në PS, atë në katin e Jozefinës!
Mbi të gjitha, mbeta keq kur pashë në ç'nivel kishin shkuar batutat politike: Tamam ai që ka pranuar si të ligjshme e të ndershme punën e një banditi elektoral në KQZ, sulmon pa asnjë shkak e pa nisur asnjë procedurë për zgjedhjet në PS, një zyrtar të PS-së, një djalë fisnik e punëplotë, si Genc Gjoncaj.
Turp! Së dyti: Kryesia e PS-së ka vlerësuar nevojën e një reforme statutore që modernizon më tej PS-në! Natyrisht, e konsultuar me çdo anëtar të PS-së. Por, dhe duke refuzuar arnime statutore që vijnë nga nevoja personale të karrierës! Mendoj se askush nuk mund të marrë e gëzojë mandate duke ndryshuar rregulla!
Më thoni, si mund të pranohen propozime ultimative që eliminojnë garën brenda PS, rikthejnë emërimin si praktikë bazë! Por dhe faktorizojnë, pa pyetur dhe duke refuzuar vullnetin e popullit socialist, përjashtimin?!
Në brezin praktik, dje degjova njërin nga kandidatët të thotë se nuk kish patur ndërmend të kandidonte (për shkak të mandatit të shkurtër 2 vjet), propozimi statutor përjashtonte nominalisht nga gara Edi Ramën (praktike thelbësisht puniste), duke lënë në garën farsë vetëm një njeri, emërimi për të cilin është i pashmangshëm! Ku ndodh kjo?
Megjithatë, Kryesia e PS-së nuk ka hedhur poshtë asgjë! Brenda reformës statutore të vlerësuar si nevojë dhe këto propozime do të shqyrtohen! Insistimi ultimativ për t'u miratuar tani, tregon se ato nuk vijnë si nevojë demokratike, por si nevojë personale për emërimin e dikujt dhe përjashtimin e dikujt tjetër! Kjo duhet refuzuar si kthim i rëndë prapa!!
Z. Braçe, PS-ja është futur tashmë në një debat të hapur lidhur me arsyet e humbjes së saj dhe qëndrimin që duhet të mbajë PS-ja për rezultatin e zgjedhjeve. Si do ta gjykoni debatin e deritanishëm?
Po, ka një debat! Besoj që kongresi - një forum shumë më i gjerë e përfaqësues se Asambleja - do ta çojë deri në fund, duke shprehur ndjeshmëritë e analizën e çdo socialisti të përfshirë në zgjedhje! Unë besoj dhe duke marrë dhe vendimet e duhura! Në fakt, ky duhet të jetë debati real që duhet të bëjë PS.
Besimi tek zgjedhjet, tek ndryshimi me votë, është rrënuar!! Së pari, ky debat duhet të jetë me atë që bëri zgjedhjet, i vrau me një fushatë shtetërore antiligjore, shpërdoruese të çdo aseti, qindarkë a të mirë publike pa përjashtim, kërcënuese për çdo shërbëtor të shtetit-mësues, edukator, mjeke, infermier, polic, ushtarak etj., me bukën e gojës, me atë që bleu, vodhi, deformoi vullnetin e shqiptareve shprehur me votë, që shfuqizoi me dhunë, jashtë Kuvendit, garantët ligjorë, kushtetues, të transparencës mbi zgjedhjet, mbi çdo votë: Me Sali Berishën!
Për fat të keq, Sali Berisha i ka ikur këtij debati! Atë e kanë zëvendësuar disa prej nesh! Nuk dua të akuzoj askënd si kaubojs të Sali Berishës, nuk dua të jem jo etik me kolegët, me të cilët ndaj angazhimin në PS! Por kjo është e vërteta!
Nevoja personale për të hequr Edi Ramën nga gara, nuk mund ta bëjë vjedhjen standard të pranueshëm; deformimin e vullnetit të zgjedhësve, standard evropian; përdorimin kriminal të aseteve dhe parave publike, praktikë të mirë evropiane; kërcënimin e shërbëtorëve të shtetit me bukën e gojës, formë legale të nxitjes së pjesëmarrjes në zgjedhje; mbulimin e territorit elektoral nga vrasës të liruar nga burgjet, praktikë shembullore të lirisë, barazisë e ndershmërisë në zgjedhje!
Ju vazhdoni t'i përmbaheni qëndrimit tuaj se PS-ja nuk u bë dot forcë qeverisëse për shkak të manipulimeve, apo ky rezultat ishte produkt edhe i paaftësisë së kësaj force në hartimin e një strategjie fituese?
Pa as më të voglin dyshim tashmë, rezultati i zgjedhjeve është ai që na caktoi Sali Berisha, jo ai që materializon vullnetin e shqiptarëve shprehur me votë! Çdo socialist, unë si ata, nuk mund të pranojmë një rezultat të caktuar nga Sali Berisha! Kjo është dhe diferenca me disa prej nesh!
Mes tyre dhe një qylaxhi që gjithë analizën e tij, si nevojë personale për pafajësi ndaj një faji që nuk ia atribuon askush, e ndërton të shtrembër vetëm mbi rezultatin që na caktoi Sali Berisha!
Kjo irriton dhe më shumë të gjithe ata si ne që morën pjesë në zgjedhje! Nga të gjitha analizat që ne kemi bërë, është në dritë të diellit fakti që rezultati i fiksuar i këtyre zgjedhjeve është produkt i një procesi kriminal, ku pushteti e shteti janë një, të pandarë, të pasur me paratë publike e të dhunshëm me potencialin kriminal nën administrim, për të caktuar rezultatin e zgjedhjeve. Kjo ka ndodhur!
Në termat e Kodit Zgjedhor, realiteti ligjor është ky: Janë shkelur nenet 20, 21, 22 të "Kodit për funksionimin e organit kryesor të administrimit të zgjedhjeve, KQZ", duke e kthyer atë në një instrument tërësisht politik; janë shkelur nenet 32, 33, 34, 35 të "Kodit për ngritjen, funksionimin, vendimmarrjen e institucioneve vendore të administrimit zgjedhor", duke ndërhyrë politikisht e deformuar deri në njëanshmëri vendimmarrjen në to; janë shkelur nenet 49, 50 për "Përgatitjen e listës së zgjedhësve, si dhe njoftimin me shkrim të çdo zgjedhësi", duke e manipuluar masivisht atë; është shkelur neni 59 për zgjedhësit e posaçëm, veçanërisht nëpër burgje; është shkelur neni 62 për caktimin e qendrave të votimit, kompetencë e pushtetit vendor, e rrëmbyer arbitrarisht nga KQZ-ja partizane apo më keq, kompetencë e shpërdorur politikisht nga drejtuesit vendor, duke caktuar qendra votimi të paligjshme; janë shkelur nenet 72, 73 për dokumentet e kandidimit dhe verifikimin e tyre për kandidatë të PD-së, të cilët mbetën në detyrat e tyre vendore e qendrore duke përdorur postin publik në favor të tyre, partisë së tyre duke rishkelur edhe me ligjin; janë shkelur nenet 88, 89, 90 për ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore, përdorimin e burimeve njerëzore të administratës publike, si dhe financimi e regjistrimi i fondeve jo publike, duke u kthyer në instrumentin bazë të kërcënimit, intimidimit të zgjedhësve, si dhe blerjes së votës; janë shkelur nenet 93, 94, 95 për caktimin e qendrave të votimit, qendrave të numërimit, ngritjen e grupeve të numërimit që kondicionuan një numërim të keq e shumë të keq të votave në 1/3 e tyre; janë shkelur nenet 99, 100 për dërgimin dhe administrimin e materialeve nga KQV deri në KZAZ, që u bënë një nga faktorët kyç në deformimin e rezultatit; janë shkelur nenet 105, 106, 108, 110 për paraqitjen dhe votimin në qendrën e votimit që bëri të mundur jo vetëm votimin familjar, por dhe votimin në largësi, deri nga vende të ndryshme të Evropës që nuk u paraqitën kurrë në ato qendra votimi; janë shkelur nenet 116, 117, 118, 119, 121, 122, 123 për numërimin, vlerësimin, nxjerrjen e tabelës së rezultateve që kanë deformuar rrënjësisht rezultatin në disa zona vendimtare për rezultatin final të mandateve; janë shkelur nenet 134, 136, 138 për ankimimin mbi rezultatet e nxjerra, rinumërimin e rivlerësimin e votave të caktuara me ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin final të zgjedhjeve.
Mund të ketë njeri që të pranojë keto zgjedhje? Di të them që këto zgjedhje duhen ndëshkuar! Sali Berisha duhet të kuptojë që ne nuk do t'i njohim kurrë këto zgjedhje, do t'i kundërshtojmë me çdo mjet të mundshëm!
Sali Berisha, që prej javës së parë të shtatorit do të mësojë se ky vend nuk do të gjejë qetësi derisa krimi elektoral të ndëshkohet ligjërisht, penalisht, e derisa çdo shqiptar të bindet se ky krim nuk do të ndodhë më kurrë! Sali Berisha duhet të mendohet mirë!
Do të përballet me çdo kundërshtim, me çdo protestë, në çdo institucion, në çdo hapësirë publike, duke nisur nga ajo para zyrës së tij, që do të shkojë deri në mosbindje civile ndaj pushtetit të tij kriminal, nëse pengon ndeshkimin e ketij krimi! Nuk do të ketë qeveri në pune deri sa të ndodhe ky ndeshkim! Do të ketë përballe 620 mije shqiptare, më së paku, kudo nëpër Shqipëri!
Ka qëndrime publike të drejtuesve të ndryshëm të PS-së, se me këto zgjedhje dështoi filozofia e Ramës për të sjellë PS-në në pushtet. Komenti juaj?
Po, i kam dëgjuar! Por ishim tek njohja e zgjedhjeve! Nga të gjithë ata që kam dëgjuar, asnjëri prej tyre nuk jep ndonjë provë që këto zgjedhje ishin të lira, të ndershme e të barabarta! Nuk kanë prova për këtë! Qoftë edhe një të vetme!
Akuzat ndaj këngës së Edi Ramës, ironia me të edhe pse mbushin rreshta të tërë nëpër gazeta pro qeveritare, nuk dëshmojnë për zgjedhje të ndershme e nuk mjaftojnë për t'i pranuar ato!
Loja me numrat si dhe palo analiza me numrat që na caktoi Sali Berisha, sërish në rreshtat e gazetave pro qeveritare, nuk dëshmojnë për zgjedhje të ndershme e nuk mjaftojnë për t'i njohur ato!
Arsyetimet mbi demokracinë e brendshme, të cilat, për hir të së vërtetës duhen formuluar në krah të kundërt, për emërimet zemërgjera jashtë gare, në kryesi e sekretariat, të cilat treguan hapur që nuk funksionojnë, nuk dëshmojnë për zgjedhje të ndershme e nuk mjaftojnë për t'i njohur ato!
Po përsëris, gjykimi për zgjedhjet duhet të nisë e mbarojë më atë që ndodhi në zgjedhje, jo tek nevoja personale për të goditur Edi Ramën! Projekti i Edi Ramës u votua, nuk u kundërvotua!
Është votuar më shumë se çdo projekt tjetër në Shqipëri! Shqiptarët kanë besuar në të më shumë se në projektin e Sali Berishës! Janë mbi 12 mijë shqiptarë më shumë në këtë anë! Po t'i numërojmë, janë 72 mijë më shumë se katër vite më parë! Për këtë, PS-ja është rikthyer të jetë forcë e parë e më e madhja në vend!
Pas këtij rezultati, a ka më të drejtë legjitime, por edhe morale Rama që të mbrojë tezën e tij të "politikës së re"?
Përse jo? Sot më shumë se kurrë! Por jo thjesht Rama! Gjithë PS-ja! Përmes saj duhet përçuar derë më derë e kokë më kokë, me më shumë vendosmëri, përkushtim e dashuri, nevoja ulëritëse e këtij vendi për ndryshim!
Për ndarje me të shkuarën që po kalbet çdo ditë e më shumë! Për shkatërrim të këtij pushteti kriminal e familjar që po kriminalizon e po tkurr në nivelin e familjeve në pushtet, shtetin tonë! Natyrisht që kjo betejë ka që nga 1912 që vazhdon!
Por tani jemi në shekull tjetër! Ndaj, kjo betejë është jetike! Familjet në pushtet po rrëmbejnë gjithçka! Po rrënojnë gjithçka, çdo pushtet tjetër! Çdo institucion të ngritur me sakrifica! Çdo të drejtë civile, politike, ekonomike e pronësore të fituar pas betejash me regjime të dhunshëm e kufizues absolut!!
Dje, Sali Berisha sulmoi e vendosi të dhunoje pa asnje shkak real një tjetër pushtet të zgjedhur, pushtetin vendor, thjesht dhe vetem sepse nuk është pushteti i tij! Ndërkohë, drejtësia po jep shpirt përballë luftës së Sali Berishës për ta pasur nën kontroll. Sikur të qe kaq, do kishte shpresë! Por emërimet e tij të dhunshme në Kuvend kanë bërë që të përflitet shitja e vendeve në gjykata.
Ato nga ana e tyre janë poshtëruar qysh kur Sali Berisha po nxjerr prej burgjeve, një nga një, vrasës për të menaxhuar territorin elektoral!! Pardje, zëvendësi i tij mendjekuq tha se u ka marrë fshatarëve 65 mijë metër katror tokë, pa asnjë proces transparent, pa proces gjyqësor, tërësisht në mënyrë antikushtetuese!
Dy ditë para tij, Sali Berisha tha se do t'u marrë pronarëve tokat nëse ata nuk i shohin më si njësi ekonomike, nuk kanë para për t'i punuar, tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën.
Me anë tjetër, për nevoja të klientëve të tij ekonomike, po ky Sali Berisha u tha pronarëve legjitimë, se tokat e tyre, në kundërshtim me ligjin, do t'ua shesë borgjezëve të rinj! Njëra, vajza e tij në Gjirin e Lalëzit, ku mban stërvilën e saj të verimit!
Kjo hapur! Sepse nën dhe, aty ku Sali Berisha dhe familja e tij po luajnë prej katër vitesh me interesat e tyre ekonomike, zaptimi ka mbërritur në bregun e jugut! Aty po vendosen vërtet rekorde! Plazhet më të bukura të jugut po pushtohen, ekonomikisht po blihen.
Me hir e me pahir, plazhi i Kakomese u pushtua, plazhi i Gjipesë po ashtu është blerë, Jala dhe për pak kohë mbetet e lirë, por tashmë jashtë kontrollit të Bankës Botërore! Në Orikum e Radhimë zaptimi nuk po ndalet, ndërsa banorët e vjedhur po meken nga letrat dërguar Mbretit Sali! Nëse të drejtat pronësore po tjetërsohen kështu, liria ekonomike po zbythet nga ky vend!
Monopolizimi i çdo cepi të tregut, marrja e çdo biznesi fitimprurës nga familja, në fillim, minimumi me 20 %, përdorimi i administratës fiskale për të rrënuar konkurrentët, ndikimi i vendimmarrjes qeveritare për të ndarë licencat, lejet, të mirat publike, pasurinë shtetërore vetëm në disa familje po bën të padurueshme gjithçka! Tregu është bërë sa zyra e Kryeministrit!
Ekonomia po rrënohet, e shkërmoqur jo aq nga mashtrimet e Madoff-it, se sa nga shpërdorimet elektorale të Gallofit! Dje pranoi se të ardhurat kanë rënë me 165 mln USD, deficiti është rritur në 443 mln USD e se buxheti i shtetit ka rënë! Arka e shtetit eshte bosh!
Të gjitha këto po ndodhin në ditët e zhurmës së kongresit! Disa po thërrasin me mburrje se "po trazojnë PS-në", se "po të mos ishim ne në PS nuk do të ndodhte gjë prej gjëje", se "po i japin PS-së kauzë"! Por Berisha vazhdon nën këtë këngë të tyre kauzën e tij! Ndaj kjo histori duhet të marrë fund tani! Jo në favor të Sali Berishës, por të shqiptarëve që kërkojnë tek PS forcën për të reaguar!
Ditët e fundit, edhe ju personalisht jeni vënë në qendër të akuzave të PS-së së Kuçovës si përgjegjës për humbjen e mandatit të pestë të PS-së në këtë qark. Si do t'u përgjigjeshit këtyre deklaratave?
Bëtë mirë që më pyetët! Në fakt janë dy palë që më akuzojnë! Gazeta proqeveritare nuk thotë gjithë të vërtetën! Të parët, nuk janë socialistët e Kuçovës! Socialistet e Kuçoves janë të fyer, të poshtëruar nga ai reagim!
Zotërinjtë për të cilët më pyesni, janë pushtetmbajtesit e Kuçovës, janë përfituesit kryesorë nga pushteti që kanë krijuar prej vitesh socialistët me votë, janë shpërdoruesit më të mëdhenj të pushtetit të socialistëve, por nuk janë socialistë!
E lanë PS-në 35 dite para ditës së zgjedhjeve! Ikën nga PS, shkuan në një parti tjetër! Nuk përtypën dot që klani i tyre ekonomiko-financiar që përfiton çdo gjë në atë qytet, prej dhjetë vitesh, në kurriz të socialistëve, të shkatërrohej. Kishin kapur çdo gjë, pushtetin politik, pushtetin vendor, pushtetin parlamentar! Për këtë çdo e mirë ekonomike kalon prej tyre!
Edhe lekët e funeralit të çdo kucovari të mirë që ndahet nga kjo botë! Donin ta ruanin të paprekur! Por socialistët nuk e duronin më këtë. Ne u bëmë zëdhënësit e tyre, i dhamë forcë zërit të tyre.
Ata ishin bërë me kohë zëdhënësit e qytetarëve! Të gjithë bashkë, derë më derë, treg më treg e njeri më njeri, shpjeguam, u ndamë me ta, i luftuam dhe bashkë i dhamë PS-së një pushtet të ri, të ndryshem nga ai i tyre. Bindem e na besuan, në të gjithe Kucoven, gati 9000 njerëz, 40% më shumë se PD-ja dhe ata bashkë! Beteja vazhdon!
Pushteti do të jetë i kuçovarëve të thjeshtë! Ne do të jemi deputetët e tyre jo te pushtetit! Më akuzojnë se kam luftuar fort, madje më fort se duhej, për të mbledhur vota për PS-në! Po, e kam bërë e do ta bëj deri sa Zoti të më japë forcë e të më mbajë gjallë! Po ç'duhet të bëjë një anëtar i Kryesisë së PS-së? Të shkruajë përralla?
Apo të shesë vota për tjetër parti, qofte dhe e koalicionit? Nuk do e bej kurrë! Detyra ime është t'i shërbej çdo socialisti e çdo qytetari që më ka votuar! Së dyti, më akuzojnë se nuk kam arritur objektivat! Nisen gjithnje nga rezultati që na caktoi Berisha!
Dua të them se unë kurrë nuk i kam parë njerëzit në Qarkun e Beratit si numra! Janë shumë më tepër se kaq! Maskarai që i sheh si numra, plotesues të objektivave të tij, për të më mbyllur gojën mua, fyen ata deri në poshterim! Kanë punuar me shpirt, me zemër, kanë sakrifikuar çdo gjë, kanë paguar qindarka nga të tyret për aktivitetet tona, kanë arritur rezultatin më të mirë që nga 1992-shi! Po, i kanë vjedhur!
Hapini kutitë e votimit dhe atje është rezultati dhe objektivi i realizuar! Nuk mund t'i bëjë humbës socialistët në Berat as Arbeni (Ristani), as Ferdiu (Poni), as Pilo (Keri), as Arturi (Kurti), as cilido pehlivan tjetër si dhe me ta! Fituan në 90% të qendrave të votimit, në 40 gradë celsius, maskarai i PS-së nuk mund t'i bëjë dot humbës pas kondicionerit të zyrës ku përqeshi zgjedhjet.
Rama dhe Malaj duket se do të jenë tashmë dy kandidatët e vetëm potencialë që do t'i shkojnë kësaj gare deri në fund. Si do t'i vlerësonit dy kandidaturat dhe a keni ju një preferencë që mund ta shprehni hapur se cilën prej tyre mbështesni?
Po flasim për kryetarin e PS-së! Po pyesni një të zgjedhur të socialistëve! Për këtë arsye nuk ka votë personale, por delegim të vullnetit të socialistëve atje ku unë militoj, në Berat! Ne votojmë Edi Ramën!
Kundërshtarët e kryetarit aktual, Edi Rama, kundërshtojnë rikandidimin e tij, me argumentin se ai bie në kundërshtim me frymën e statutit. Vlerësimi juaj për këtë rast?
Cilën germë të statutit? Germën që nuk kufizon kandidimin e që duan të ndryshojnë?
Nuk ka asnjë kufizim statutor! Po, shoh që ka vullnet për të zëvendësuar garën me emërimin.Ju thashë, kjo nuk duhet lejuar, ështe kthim pas! PS-në, forcën më të madhe në vend, nuk mund ta udhëheqë një i emëruar!
Cilido që kërkon të bëhet kryetar në PS, duhet të votohet në popullin socialist! Kjo nuk është garë për të mundur njëri-tjetrin! Edi Rama nuk ka kërkuar këtë! As e ka marrë mundimin të mundë njeri në PS, nuk e ka bërë me askënd në këto katër vjet!
Përkundrazi, po shoh që ka individë që s'di për ç'arsye afishohen e shiten nëpër media, prezantohen si "kundërshtari i Ramës", "grupi kundërshtar me Ramën"! Ne nuk po zgjedhim atë që bën më mirë kundërshtarin e tjetrit! Kush kërkon këtë do mbetet në ishull! Ne po zgjedhim kryetarin e PS-së!
Pas mbledhjes së djeshme të kryesisë, Ben Blushi, i cili kishte pranuar në Asamblenë e PS-së së Korçës kandidimin për kryetar partie, u tërhoq. A është kjo një lëvizje taktike e tij për të deligjitimuar garën e mëtejshme për kryetar partie?
Nuk komentoj vendimet personale të askujt! Janë zgjedhje sovrane të secilit!
Nisur nga debatet e deritanishme që, për hir të së vërtetës edhe në kryesi kanë qenë shumë të ashpra, çfarë prisni të ndodhë në Kongres?
Pres që kongresi të marrë vendimin përfundimtar për zgjedhjet! Natyrisht që besoj shumë se do shprehim vullnetin e shumicës së shqiptarëve për të mos njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve, për të mos njohur legjitimitetin e Parlamentit e të qeverisë së dalë nga pushteti i dy familjeve!!
Natyrisht, ndërtimi i një fronti opozitar, më të gjerë se PS e koalicioni i saj, përtej kufijve tanë ideologjikë, me synim ndëshkimin e krimit elektoral dhe rikthimin e legjitimitetit të zgjedhjeve, është jetik!!
Pres që kongresi të formësojë të ardhmen e PS-së! Nuk mendoj se PS ka arsye të pranojë si të ardhme të saj tkurrjen. Përkundrazi, duhet të projektojë zgjerimin në kategori sociale, që kufizimi i lirive politike ekonomike e sociale po i largon përditë e më shumë nga pushteti i familjeve kriminale e po i kthen në viktima të një regjimi antipopullor!!
Pres që Kongresi të vendosë piketat e duhura që, PS-ja, nga pikëpamja organizative të jetë në aksion në çdo cep të vendit, në çdo familje e me çdo njeri që kërkon të ndryshojë këtë mizerje jete që bën këtu!! Pres që kongresi të nominojë kandidatët, t'i hapë rrugë garës e një palë zgjedhjeve të lira, të ndershme e të barabarta në PS!! Por të gjitha këto të ndodhin sa më shpejt! Koha po kalon, ne duhet të jemi në betejë!
A mos vallë me këtë debat që është hapur, PS-ja rrezikon një çarje tjetër?
Nuk do të ndodhë një gjë e tillë! Kush do të synojë çarjen, do të mbetet vetëm! Socialistët janë të neveritur prej politikes që ndan në PS!
Në skenë këto ditë është shfaqur edhe ish-kryetari Nano, i cili është takuar me kandidatin Malaj. Si e shihni rolin e tij në këtë situatë?
Nuk kam parë gjë! Koha ime ka qenë e mbushur me detyrën! Ju tregova që Berisha po vjedh gjithçka! Detyra ime është të dokumentoj e t'u them shqiptarëve se si po i vjedh ai!
Për Ramën
"Po flasim për kryetarin e PS-së! Po pyesni një të zgjedhur të socialistëve! Për këtë arsye nuk ka votë personale, por delegim të vullnetit të socialistëve atje ku unë militoj, në Berat! Ne votojmë Edi Ramën!!"
Për kandidimin
"Cilën germë të statutit? Germën që nuk kufizon kandidimin e që duan të ndryshojnë? Nuk ka asnjë kufizim statutor! Po, shoh që ka vullnet për të zëvendësuar garën me emërimin. Ju thashë, kjo nuk duhet lejuar, ështe kthim pas! PS-në, forcën më të madhe në vend, nuk mund ta udhëheqë një i emëruar!"
Për kryesinë
"Unë nuk mora pjesë dje në mbledhje për arsye parimore. Cilido individ i zgjedhur në PS, nuk mund të thërritet në apel për nevoja personale të kujtdo! Për më tepër, në mënyrë ultimative! Unë nuk dëshiroj t'i nënshtrohem kësaj praktike që buron nga nevoja personale të vogla dhe materializohet përmes shantazhit! Forumet nuk mund të vihen në lëvizje kështu."
Për Blushin
"Në brezin praktik, dje dëgjova njërin nga kandidatët të thotë se nuk kish patur ndërmend të kandidonte (për shkak të mandatit të shkurtër 2 vjet), propozimi statutor përjashtonte nominalisht nga gara Edi Ramën (praktikë thelbësisht puniste), duke lënë në garën farsë vetëm një njeri, emërimi për të cilin është i pashmangshëm!!"
Për zgjedhjet
"Sali Berisha duhet të kuptojë që ne nuk do t'i njohim kurrë këto zgjedhje, do t'i kundërshtojmë me çdo mjet të mundshëm! Sali Berisha, që prej javës së parë të shtatorit do të mësojë se ky vend nuk do të gjejë qetësi derisa krimi elektoral të ndëshkohet ligjërisht, penalisht, e derisa çdo shqiptar të bindet se ky krim nuk do të ndodhë më kurrë!"
Për garën
"Kjo nuk është garë për të mundur njëri-tjetrin! Edi Rama nuk ka kërkuar këtë! As e ka marrë mundimin të mundë njeri në PS, nuk e ka bërë me askënd në këto katër vjet!
Përkundrazi, po shoh që ka individë që s'di për ç'arsye afishohen e shiten nëpër media, prezantohen si "kundërshtari i Ramës", "grupi kundërshtar me Ramën"! Ne nuk po zgjedhim atë që bën më mirë kundërshtarin e tjetrit! Kush kërkon këtë, do mbetet në ishull! Ne po zgjedhim kryetarin e PS-së!"
Për protestat
"Sali Berisha duhet të mendohet mirë! Do të përballet me çdo kundërshtim, me çdo protestë, në çdo institucion, në çdo hapësirë publike, duke nisur nga ajo para zyrës së tij, që do të shkojë deri në mosbindje civile ndaj pushtetit të tij kriminal, nëse pengon ndëshkimin e këtij krimi! Nuk do të ketë qeveri në punë deri sa të ndodhë ky ndëshkim!"
Për "politikën e re"
"Përse jo? Sot më shumë se kurrë! Por jo thjesht Rama! Gjithë PS-ja! Përmes saj duhet përçuar derë më derë e kokë më kokë, me më shumë vendosmëri, përkushtim e dashuri, nevoja ulëritëse e këtij vendi për ndryshim! Për ndarje me të shkuarën që po kalbet çdo ditë e më shumë! Për shkatërrim të këtij pushteti kriminal e familjar që po kriminalizon e po tkurr në nivelin e familjeve në pushtet, shtetin tonë!"
Për peticionin
"Socialistet e Kuçovës janë të fyer, të poshtëruar nga ai reagim! Zotërinjtë për të cilët më pyesni, janë pushtetmbajtësit e Kuçovës, janë përfituesit kryesorë nga pushteti që kanë krijuar prej vitesh socialistët me votë, janë shpërdoruesit më të mëdhenj të pushtetit të socialistëve, por nuk janë socialistë!"