Gara për Tiranën, KQZ: Vendimi për votat e gabuara, i drejtë

Kolegji Zgjedhor ka rinisur shqyrtimin e kërkesë padisë së Partisë Socialiste për rezultatin e garës së Tiranës. Pas një pushimi prej 20 minutash, Kolegji ka dëgjuar përfaqësuesen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Dëshira Pasko e cila ka theksuar se vendimi numër 709 i marrë nga KQZ-ja për votat në kutitë e gabuara është i drejtë.
Sipas saj pretendimet e Partisë Socialiste për mospërputhje votash nuk qëndrojnë ndërsa ka kërkuar nga Kolegji të rrëzojë kërkesën e PS-së në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë më herët në fjalën e tij përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri argumentoi kërkesë padinë e socialistëve, që kërkon shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së, vendim i cili ndryshoi tabelat e rezultateve për kryeqytetin.
Ai sqaroi se PS kërkon pavlefshmërinë e vendimeve nr 710 dhe 711, të KQZ-së, përmes të cilave u shpall rezultati final për Tiranën, pas numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar.
Sipas tij, këto vendime janë marrë në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ të depozituara në KQZ ndërsa ka shtuar se ka mospëputhje të fletëve të votimit me numrin e votuesve.