Edi Rama kontroll mbi prononcimet e deputetëve për mediat
Figurat e PS shmangin komentet për mungesën e Fatos Nanon
Figura të rëndësishme të Partisë Socialiste, deputetë, anëtarë partie si dhe funksionarë të ardhur së fundmi aty kanë vënë status quon në raportet e tyre me mediat gjatë komenteve të shkëputura për ceremoninë jubilare të 20 vjetorit të themelimit të PSSH.
Ajo që opinioni publik priste nga ky event ishte qoftë edhe një sqarim i vogël se pse në këtë ceremoni simbolike u lanë jashtë disa prej figurave më të rëndësishme të Partisë Socialiste, themelues dhe kontribuues në transformimin e PPSH-së në 12 qershor 1991 në PSSH, madje edhe liderin historik të së majtës politike, Fatos Nano. Por kjo nuk ndodhi. Subkoshienca e linjës aktuale që udhëheq Partinë Socialiste kishte ndarë detyra të posaçme që asnjë prej 700 pjesëmarrësve në ceremoninë që u zhvillua të “Sheratoni”, të mos komentonte mungesën e ftesës për Fatos Nanon. Madje, u mësua se edhe media selektive gjatë raportimeve të tyre shmangën komentet rreth mungesës së Nanos, Metës apo edhe deri te Moikom Zeqo.
Në lidhjet “live” nga ceremonia jubilare e 20 vjetorit të PS-s, deputetë si Pandeli Majko, Bashkim Fino dhe Vasilika Hysi shmangën çdo koment lidhur me këtë lloj organizimi, të ngjashëm me një aktivitet personal, për sa kohë mbrapshtësia e kryesisë socialiste kishte lënë jashtë ata që themeluan këtë forcë politike.
“Jam i bindur se PS i ka të gjitha mekanizmat e vetë-ekuilibrimit të saj, tha Pandeli Majko gjatë një interviste televizive, duke shtuar se “PS-në, dhe të duash ta nxjerrës jashtë sistemit nuk e nxjerrë dot, është forca e parë politike”.
“Vendimi i Gjykatës do t’u jap zgjidhje shumë problemeve që kanë të bëjë me situatën në vend. Por kur them se duhet drejtësi them duhet drejtësi. Nuk them se drejtësi quhet ajo që them unë”, u shpreh Majko, duke atakuar Kolegjin Zgjedhor me këtë rast.
Ai ka theksuar se Partia Socialiste nuk mund të nxirret jashtë sistemit duke qenë se është forca kryesore në vend. Ndërsa në lidhje me vendimin e Kolegjit, ka shtuar se drejtësia duhet të jepet ashtu siç duhet.
“Presim vendimin e Gjykatës dhe derisa presim atë, komentet nuk kanë kuptim të jepen para se ato të shprehen. Jemi shpresëplotë se gjykatësit janë qytetarë të kësaj shoqërie dhe do të arrijnë të kuptojnë funksionimin dhe mos funksionimin e saj. Nuk mendoj se moraliteti sot është një kostum i vjetër që duhet të hidhet në kosh të plehrave”, u shpreh Majko në një intervistë televizive gjatë ceremonisë së zhvilluar dje në hotel “Sheraton”.
Deputeti i PS-së ka folur dhe për zhvillimet gjatë 20 viteve në këtë parti, duke e krahasuar atë me një familje, që ka edhe grindje dhe ditë të bukuar.
“Ajo që mund të thosha unë për këtë familje socialiste, është se ashtu si çdo familje ka pasur ditë të bukura dhe ditë gri. Kjo i bënë të veçanta fitoret dhe humbjet. Ne dhe fitoret, dhe humbjet i kemi pasur të mëdha”, tha ai.
Duke folur për ceremoninë e djeshme, Majko u shpreh se “sot ishte një moment, ky moment nuk përfaqëson gjithë historinë e PS”.
Por, kjo reprezalje çudibërëse që vjen nga ngrehina e Edi Ramës (jo nga ajo e Pezës) ngjason me, “atë hajdutin që nxjerr të zotin nga shtëpia”.
Prandaj, Partia Socialiste është kthyer në një “plaçkë tregu”, ku realizon pikësynimet e tij politike Edi Rama dhe shpura e tij kleptokratike.