Gara për Tiranën/ Voton Sali Berisha: Ushtroni të drejtën e votës, mos dëgjoni Ramën

Kreu i grupit të “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Sali Berisha ka votuar në shkollën “Kosova”, në kryeqytet për garën që zhvillohet mes Belind Këlliçit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kreut aktual Erion Veliaj.
Pasi ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Berisha të ndjekur nga Argita, Shkëlzeni , Armina Mevlani dhe Jamarbër Malltezi, ish-kryeministri ka folur për mediat duke kërkuar që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Ndërsa nuk la pa akuzuar kryeministrin Rama duke e cilësuar armik të votës së lirë.
“Së pari, një thirrje nga zemra për të gjithë qytetarët shqiptarë; të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore.
Të gjithë ata që u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve që të rrinë në shtëpi të mos harrojnë se kjo është një nxitje dhe një apel i madh që ata të marrin sot pjesë në votim.
Ai që ka frikë votën ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj. Së dyti, ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim e bën gabimin edhe më të madh, ndaj le t’u prijë mençuria e tyre në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre dhe vendit të tyre.
Padyshim kjo është pranvera e ndryshimit. Nesër Shqipëria arkivon monizmin e shëmtuar në Shqipëri dhe kjo është një ditë fitoreje për shqiptarët”, është shprehur Berisha
I pyetur nëse ka rezerva për procesin, pasi as vetë Berisha nuk arriti të identifikohet nga pajisja, ish-kryeministri theksoi se “ka disa problematika që duhen të shqyrtohen. Pajisjet kanë pasur në një përqindje jo të vogël për mosfunksionim. Do të dëgjoni në darkë që do të thonë se na ndërhynë hakerat iranianë, por në fakt janë hakerat qeveritarë që ndërhyjnë. Ka disa qendra dhe rrethe, si për shembull në Durrës. Peshkaqeni famoz, Roni Shqopa, dhe disa drejtorë dhe përgjegjës të njësisë administrative kanë dashur të bëjnë xhambazin në qendrën e votimit por janë përzënë ashtu siç e meritojnë. E reja tjetër është se nëse i bini numrit të policisë ai nuk përgjigjet më. Ka marrë pushim sot policia” .
/rtsh.al/