Oerd Bylykbashi: Pranë qendrave të votimit, persona të paautorizuar. Do mbajnë përgjegjësi ligjore

Grupi politik i ‘Rithemelimit’ të Sali Berishës në Partinë Demokratike ka denoncuar një rast që sipas tyre persona të paautorizuar janë instaluar pranë qendrave të votimit dhe po tentojnë të intimidojnë votuesit.
Deputeti Oerd Bylykbashi ka deklaruar nga qyteti i Durrësit se çdo person që mendon se mund të ndikojë zgjedhësit do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Ai theksoi se ka probleme në zonat rurale ku është shkelur kodi Zgjedhor që ndalon administratën që të merret me zgjedhjet.
“Çdo individ që sot mendon se mundet të ndikojë mbi zgjedhësit ta dije se do të mbajë përgjegjësi ligjore. Ne i kemi raportimet të ndryshme. Ka probleme në zonat rurale, është shkelur rregulli që ndalon administratën që të merret me zgjedhjet. Ne do ta ndjekim hap pas hapi dhe do të bëjmë denoncimet e duhura.
Ka një urdhër të KQZ që ndalon prezencën e personave të paautorizuar në oborret dhe pranë qendrave të votimit”, është shprehur Bylykbashi.
Ndërkaq, më herët, Partia Demokratike ka denoncuar një rast në Bashkinë e Dimalit ku sipas saj kësaj force politike administratorët e njësive vendore, me urdhër të kryetares së bashkisë që kandidon në zgjedhje, po firmosin vërtetime për shumë qytetarë për të lejuar votimin familjar në kundërshtim me kodin zgjedhor.
“Në bashkinë Dimal, administratorët e njësive vendore të Bashkisë, me urdhër të kryetares së bashkisë që kandidon në zgjedhje, po firmosin vërtetime për shumë qytetarë për të lejuar votimin familjar në kundërshtim me kodin zgjedhor.
Vërtetimi për votim në emër të dikujt tjetër (në prani të tij) duhet të lëshohet nga eksperti mjeko-ligjor”, thuhet në denoncimin e publikuar në rrjetin social në Facebook, të Partisë Demokratike.
/rtsh.al/