Celibashi pranon: Problematika në 532 QV me pajisjet e identifikimit elektronik

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi pranon se ka pasur problematika relativisht të shumta të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve
Në një deklaratë për median në orën 10:00, Celibashi tha se janë 532 QV ku identifikimi nuk po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit.
“Ka pasur problematika relativisht të shumta të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve. Në 4469 QV procesi i identifikimit të votuesve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit. 205 QV të cilat sipas informacionit në kohë reale na tregojnë që në këto pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim në kohë reale informacion prej tyre. Janë 531 QV që nuk kemi informacion. Që do të thotë, në të gjitha këto QV, PEI nuk funksion, apo funksionon pjesërisht nuk e kemi. Po komunikojmë me këto QV”
Për të mos penguar procesin e identifikimit është urdhëruar që ai të bëhet në mënyrën tradicionale në ato QV që janë hasur probleme.
“Nuk kishim pse të humbasim kohë.
Arsyet?
“Është shumë herët për të thënë arsyet. Mund të lidhen memosparqitjen e operatorëve, mungesën e njohurive të disa operatorëve. Mund të jetë dhe mosfunksionimi i pajisjes së identifikimit” tha Celibashi.
Nënkryetarja e KQZ-së, Pelinku tha se peshën më të madhe e kanë zënë probleme teknike
“Numri 532 i QV është sigurisht i lartë. Panorama e parë që kemi është se peshën më të madhe e zënë problemet teknike të këtyre QV. Sa i takon problemeve teknike ende po testojmë dhe po kërkojmë të kuptojmë çfarë nuk ka shkuar në këto qendra” tha Pelinku.
Problematikat e identifikimit elektronik a mund të sjellin shtyrje të orarit zyrtar të votimit, ora 19:00?
Ilirjan Celibashi: “Ligji e ka parashikuar qartë. Nuk mund të ketë automatikisht zgjatje të orarit të votimit. Nëse ka votues që janë në radhë për të votuar ata votojnë tej orës 19:00. Ligjëvënësi ka përcaktuar se edhe nëse ka ndërprerje të tilla jo detyrimisht ti mund të zgjasësh orarin e votimit.”
/rtsh.al/