Gara për drejtorin e RTSH-së, Zhupa: Të papranueshme procedurat ekstraligjore të Këshillit Drejtues

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa foli sot gjatë punimeve të këtij komisioni për procesin e garës që ka nisur për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Radio Televizionit Shqiptar. Zhupa tha se ky proces garues është bërë me presionin e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, pasi sipas saj tendenca ka qenë të mbahej në detyrë një drejtor i komanduar.
“Ligji është shumë i qartë, ata që kalojnë kriteret që vendos ligji duhet të jenë në garë. Kush fiton nga ata që është në garë, është atribut i Këshillit Drejtues për të shqyrtuar CV, platformën dhe kontributin në media dhe atë që mund të japin në RTSH. Por, është e papranueshme dhe e paligjshme që anëtarët e Këshillit Drejtues të shpikin procedura ekstraligjore, të krijojnë votime për kriteret”, tha Zhupa.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike, kriteret janë aty për t’u përmbushur dhe vlerësuar. “Nga informacioni që kemi nga 10 kandidatë, 5 i plotësonin kriteret dhe kalonin në fazën tjetër dhe 5 të tjerët nuk i plotësonin kriteret. Pesë kandidatët që plotësojnë duhet të votohen nëse zgjidhen apo jo drejtorë. Këto janë shpikje antiligjore, pasi ky komision ka përgjegjësi për Këshillin Drejtues sepse jemi ne që i zgjedhim dhe i shkarkojmë ata”, cilësoi ajo.
“Jemi ne që i japim paratë publike RTSH-së. Ajo nuk është pronë private e anëtarëve të Këshillit, e askujt atje të komanduar apo të pakomanduar, të askujt që luan fije sa andej këndej, por pronë publike e shqiptarëve që paguajnë nga buxheti i shtetit 23 milionë euro në vit”, tha Zhupa.
Në cilësinë e kryetares së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Zhupa kërkoi që të thirren në një seancë llogaridhënieje, të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së.
“Të çohet një shkresë zyrtare në emër të komisionit në pikën e parë të ketë ndalimin e menjëhershëm të të gjitha procedurave dhe të mos ketë asnjë marrje vendimi në këtë garë që konsiderohet nga Kuvendi i Shqipërisë e paligjshme dhe duhet të ketë mbikëqyrje parlamentare. Në pikën e dytë të ketë datën dhe orën në të cilën ata do të sillen në seancën dëgjimore”, u shpreh ajo.
Zhupa theksoi se nuk ka asnjë ndërhyrje në garë, asnjë preferencë për kandidatë të caktuar, por është përgjegjësi e komisionit që të kontrollojë zbatimin e ligjit. /j.p/
Komisioni i Medias, foto: Florian Abazaj 1 nga 3