Vijojnë homazhet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” për Kryepeshkopin Anastas

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë vijojnë homazhet për Kryepeshkopin Anastas. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bëri të ditur se homazhet për Kryepeshkopin do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës së sotme.
Ditën e sotme në katedralen e Kishës Ortodokse ka qenë edhe Baba Mondi, Kryegjyshi Botëror Bektashi, i cili shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos duke shtuar se ai ishte një njeri bashkëpunues me të gjithë komunitetin fetar dhe se po largohet duke lënë pas një vepër të mirë për kishën dhe shqiptarët. “Ngushëllime Kishës Ortodokse dhe Zoti e pastë në parajsat e veta”, tha Baba Mondi.
Homazhe në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” ka kryer edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn e cila mbante në duar edhe një buqetë me lule. Gjithashtu homazhe kanë kryer edhe deputetë të ndryshëm e figura të njohura të jetës politike në vend.
Ndërkohë shërbesat lutësore (Agripnia) u mbajtën mbrëmë deri pas mesnate në Katedralen e Ngjalljes, ku në mes të kishës qëndroi trupi i Kryepeshkopit të ndjerë Anastas.
Katedralja ka qëndruar e hapur gjatë gjithë natës dhe qindra besimtarë kanë shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit kryepeshkopit.
Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore. Klerikët do të mbajnë meshë përshpirtjeje me turne e pa ndërprerje deri nesër, kur trupi i kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur në kriptën e nëndheshme, brenda Katedrales. Ceremonia do të drejtohet nga Mitropoliti i Korçës, Joan, i cili u vendos nga mbledhja e Sinodit të Shenjtë si kujdestar i fronit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
1 nga 4