Gazheli: Doganat mblodhën 2,3 miliardë euro në 2024-ën

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli ishte i pranishëm në konferencën e nivelit të lartë për integrimin ekonomik rajonal, “Empower, Integrate, Grow”, organizuar nga GIZ, e cila u mbajt në Mal të Zi.
Konferenca mblodhi së bashku drejtorët e doganave të rajonit, zyrtarë të Bashkimit Europian, politikbërës, udhëheqës biznesi dhe ekspertë për të diskutuar mbi arritjet në tregtinë rajonale si dhe për të eksploruar hapat e ardhshëm drejt integrimit të mëtejshëm me tregun e vetëm të BE.
Kreu i DPD-së, Gazheli, gjatë fjalës së mbajtur në këtë konferencë, shprehu angazhimin e administratës doganore në procesin e integrimit në fushën e doganave, me qëllim arritjen e standardeve të unionit doganor europian.
Nga ana tjetër ai veçoi se, rritja e të ardhurave doganore ka qenë e qëndrueshme vitet e fundit, duke arritur një tjetër rekord për vitin 2024, me rreth 2.3 miliardë euro të ardhura, që përkthehen në më shumë fonde për buxhetin e shtetit, për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale etj. /j.p/
1 nga 2