Gara për kandidatin republikan në Iowa, fiton me 8 vota diferencë Romney. Michele Bachmann e "Tea Party" tërhiqet nga gara

Ka përfunduar me fitoren e ngushtë të ish- guvernatorit të Massachussets Mitt Romney gara për kandidatin republikan në shtetin federal të Iowa në SHBA. Romney fitoi me vetëm 8 vota diferencë ndaj ish- senatorit nga Pensilvania Rick Santorum. I treti u rendit kongresmeni Ron Paul, i ndjekur nga kandidatët Newt Gingrich, Rick Perry e Michelle Bachmann.
Partitë në SHBA kandidatët e tyre për president i zgjedhin përmes një zgjedhjeje paraprake në shtetet federale përkatëse. Javën e ardhshme do të zgjidhet kandidati republikan në shtetin New Hampshire.
Për demokratët procesi i nominimit është këtë radhë thjesht një formalitet, sepse nuk ka kandidat kundër për presidentin Barack Obama.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të zhvillohen më 6 nëntor.
Bachmann tërhiqet nga gara për në Shtëpinë e Bardhë
Kandidatja republikane (e vetmja femër) për garën e Shtëpisë së Bardhë, përfaqësuese e konservatorëve të lëvizjes, Tea Party, Michele Bachmann u tërhoq nga gara, pas rezultateve të votimit brenda partisë në shtetin e Iowas.
Favoritja e Tea Party e njoftoi vendimin e saj në Iowa, ku ajo doli e gjashta në garën e parë prej së cilës, pritet të zyrtarizohet kandidati republikan përballë Barack Obamës, i cili është ish guvernatori i Massachussets, Mitt Romney.
Pasi anuloi fushatën në Karolinën e Jugut, Bachmann njoftoi përmes një konference shtypi tërheqjen nga kandidimi. “Njerëzit në Iowa folën qartë dhe unë vendosa të hap rrugën”- tha ajo.
Nuk është e qartë nëse ajo do të mbështesë ndonjë kandidat tjetër, por gjithsesi Bachmann tha se nuk ka asnjë peng dhe se do të vazhdojë betejën e saj në të mirë të vendit, kundër Obamës.
...