Protestuesi: ku ta marrim borxh?
Revista Time shpall protestuesin si njeriun e vitit për vitin 2011. Një nga ato pak herë kur kapërcehet mbi individin si shprehje e një ideali, në idealin vetë, që mbulon një mënyrë të jetuari të vitit prej një shumice përfaqësuese individësh. Dhe vendoset kështu të vlerësohet një koncept, aksion njerëzor, praktikë shoqërore që ka qenë shkak për ndryshimin disa herë të formave se si lidhemi me njëri-tjetrin në këtë planet, dhe masa e njerëzve prapa tyre pa mbetur tek individi prijës apo iniciator. Nuk merrem me faktin se cilët kanë qenë burrat e vitit (e më pas, politikisht më korrekt, personat e vitit), ose se sa e kanë merituar ata këtë nder, por mbetem tek fakti se protestuesi, mendoj të jetë ndoshta zgjedhja më demokratike dhe e merituar e kryer ndonjëherë nga Time. Ndoshta një tjetër koncept për mua i një niveli të lëvdueshëm, sido që jo kaq revolucionar sa protestuesi, do ishte ai i vitit 2006: Ti- që Time ta kushtonte TY, si projektues dhe krijues i lirë i përmbajtjes në Internet: mediat sot janë ti vetë, sado e thjeshtëzuar dhe utopike qoftë kjo ide. Më pas, në të njëjtën linjë ideore, unë do radhitja zgjedhjen e shumicës së heshtur ose Amerikanët e shtresës së mesme të 1969. Ndoshta do ta radhitja të dytën në zgjedhjet e mia, sikur kjo të mos ishte vetëm për amerikanët e mesëm, por për të gjithë të pagojët e botës. Ndër 85 herët kur Time ka bërë zgjedhjen e vet, vetëm 5-6 herë zgjedhjet u takojnë grupeve, dhe nja dy herë objekteve jo-njerëzore që në mënyrë rrënjësore lidhen me njerëzit: një numër kushtuar Tokës në rrezik dhe një tjetër kompjuterit. Mendoj se forca sugjestive e grupeve të zgjedhur, është në shumicën e rasteve më e lartë sesa ajo e individëve. (Ka gjithnjë diçka të rastësishme apo fatlume tek qenia e heroit individual, që stë le mjaft shteg për mobilizim mendor dhe shpresë mbarësociale.) Por, siç thashë që në fillim, asnjë nga grupet nuk ka forcën simbolike të protestuesit, që në njëjës ka vetëm formën gjuhësore. Duhet të jemi krenarë si njerëz që patëm fatin të jetojmë një vit me lëvizje të tilla madhore nga Shtetet e Bashkuara tek India, nga Spanja tek Rusia, e nga Kanadaja në vendet arabe. Pavarësisht sa problematike mund të jenë veç e veç këto lëvizje, dhe sa jetëgjata do jenë apo çfarë do sjellin ato, ne të gjithë si qytetarë të botës, asistuam një moment përpjekjeje të dukshme e sakrifikuese grupesh gjigante të species sonë për një botë më të mirë, që në fund të fundit na takon edhe neve që sprotestuam.
- Çfarë rri prapa (ose përpara) protestuesit?
Po të vërejmë portretin e protestuesit në kopertinën e Time, shohim një grua me një kapuç leshi që interpretuar në formë shenje tipike, do i takonte atij lloj kapuçi që vesh një pjesëtar i ri, i shtresave të ulëta, rebel, i pabindur, i egërsuar e protestues kundër ndrydhjes; ose ndoshta edhe një i ri i edukuar e punësuar mirë që i bën eko po atyre idealeve të rebelimit, një njeri cool që pëlqen fjalavjen muzikën rap; nën kapuç vërehen një palë sy të bukur gruaje, do thoja sy tipikë të një gruaje arabe; nën sy shfaqet pjesa e poshtme e nikabit (që përforcon të qenët në atë pjesë të botës) që duket si e shkrirë me kapuçin për të formuar mbulimin tradicional që gratë i bëjnë fytyrës në shumë nga vendet arabe. Time kërkon kështu në mënyrë simbolike dhe me shijen e mediave të sotme, të shkrijë në një, protestuesin nga bota Perëndimore (Kanada, USA, Spanjë, Greqi) me atë nga bota arabe ose me përfaqësuesit e pranverës arabe (Pranvera arabe them se është një nga ato figura gjuhësore që, sa më shumë që përdoret aq më tepër e dëmton idealin e njerëzve që derdhën energji ndërtuese në këto revolucione paqësore, dhe i jep vrullit konkret të lëvizjeve, veçantinë absurde, të sheqerosur e të vakët të kadifes, portokallit pishave apo pranverës. Por po e përdor këtu vetëm si term përshkrues, e pa shumë dëshirë.) Protestat në botën e Amerikës Latine, të Azisë e Rusisë, u rrinë diku në mes këtyre pikave më të spikatura të protestave botërore. Por përse grua? Dihet sa e vrullshme (ndoshta, për disa që e shohin botën vetëm me syze, edhe e papritur) ka qenë pjesëmarrja e grave në lëvizjet e 2011 në shumë nga vendet arabe që ngritën krye. Por besoj se zgjedhja e atyre syve shpues, të bukur e të revoltuar, është më tepër një zgjedhje për hir të simbolikës shoqërore ende të gjallë në gjithë planetin, atë të gruas si qenia përjetësisht e shtypur nga shumë shtresa e drejtime, që sot do shpagim. Pa zënë me gojë këtu si shkak, edhe huanë e vjetër ndaj gruas, të bërë baltë për gati një shekull, të vetë revistës Time, që e bën një individ grua protagoniste të vitit, vetëm katër herë në 85 herët e veta, dhe e përfshin atë në grupe të lëvduarish, vetëm dy-tri herë të tjera.
Prapa simbolit të personit me impaktin më të madh në botën e 2011-ës rri protestuesi në Tunizi, Egjipt, (Libi), Siri që është në këmbë kundër mungesës së lirisë, brutalitetit të shtetit, vjedhjes së votës e korrupsionit; ai në Indi, Meksikë e Kili, kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë së pasanikëve e pushtetarëve, elitave kroniste; ai në lëvizjet Pushto nëpër gjithë botën perëndimore dhe Të indinjuarit e Madridit, kundër pabarazisë e padrejtësisë sociale dhe ekonomike, kundër konsumerizmit dhe korporatave të pangopura e pa kontroll; athinasi dhe thesaliasi, kundër korrupsionit, qeverive të papërgjegjshme dhe shtypjes sociale të shumicës që paguan çmimin; Rusia, që dukej deri para pak vjetësh e dashuruar me birin e saj post-komunist Putin, kundër përjetësimit të pushtetit nëpërmjet rikandidimit pafund të së njëjtës fytyrë që kurrë s do ti ikë kontrolli duke u kamufluar herë si president e herë si kryeministër, dhe kundër pseudo-demokracisë lindore që vjedh vota me dhunë e marifete; madje edhe Kina vetë lëvizi këtij viti kundër korrupsionit shtetëror, mungesës së zërit për njerëzit e thjeshtë, varfërisë!
- Por sa jemi ne të përfaqësuar tek protestuesi simbolik i Revistës Time?
Duhet të ishim në zemër të tij, për vetë bazën materiale e ideologjike të lëvizjeve. Në fund të fundit lëvizjet e këtij viti lidhen nga emëruesi i përbashkët i rrebelimit kundër varfërisë, mungesës së demokracisë së vërtetë dhe korrupsionit të elitave ekonomike e politike. Por, sido që Shqipëria i ulëret pikërisht këto dukuri që e kanë mbërthyer shoqërinë tonë e po i marrin frymën, ne nuk ndajmë aspak atmosferën rrebeluese të botës jashtë nesh. Me keqardhje për jetën e atyre personave që u vranë më 21 janar, mund të them se ne si Shqipëri nuk kemi asnjë lidhje me protestuesin botëror, që rrebelohet pa udhëheqës e natyrshëm si njeri i nëpërkëmbur, që shenjon fytyrën e vitit 2011. Kultura jonë e protestës është e nivelit mesjetar, dhe sistemi ynë politik ushqen ideologjikisht përforcimin e imazhit të protestuesit si figurë qesharake, e çmendur, i papjekur dhe i papërgjegjshëm, e manipuluar nga armiku politik i radhës, rrugaç e kriminel, armik i demokracisë, e, në rastin më të mirë, qenie që sdi çkërkon ose që ka harruar të marrë tabletat për kontroll hormonal ditën që i bashkohet protestës. Ne nuk kemi respektin minimal për atë që proteston. Qytetari ynë ndien detyrën civile
