Mirmjes Kosovë 2012: Atdhetë e mi!
Shqipëritë e mia janë metafora letrare dhe flenë në imagjinaren pra janë magjike
1. Prelud ose shoqëria që mungon
Kosova e vitit 2011 pati një pushtet të fortë si prodhim i një kaste të papërgjegjshme që e ka dominuar shtetin, në të gjitha segmentet e tij.
Por ky pushtet duke qenë përjashtues gati sa ia doli ta mundë shtetin.
Këtë e synon, por dua të besoj se këtë nuk do ta lejojnë qytetarët që e duan shtetin e tyre, mbi të gjitha, si mburojë, shtëpi me kopsht, krenari, ëndërr, kujtesë, kushtrim ndër luftëra apo ninullë ndër djepa…
Ky pushtet, më 2011-n i dha Kosovës rreth 30 kilometra autostradë dhe një tregim të madh, herë të thënë nën buzë e herë si trumbetë o deklaratë lufte: veriun.
Mitrovica u bë paradigmë për të gjitha mizoritë e pushtetit, sepse propaganda e pushtetit, rëndom e ruan një tregim të madh rezervë, si problem të pazgjidhur, për ta zhvendosur vëmendjen nga mjerimi masiv.
Kosova shtet është ëndrra e kosovarëve.
Shumë e kanë deshifruar kodin e kësaj ëndrre, do hala…
Mitrush Kuteli në poemën kosovare thotë: Jam shqiptar
e kosovar: Zot e krenar, – Zot e bujar – mbi këtë Dhe, që e kam fe e përmbi fe: e kam Vatan! E kam Atdhe!!
Adam Hassner, parafrazuar sipas Kalevi J. Holstit, mendon se në shtetin e fortë ka një autoritet neutral që garanton dhe siguron epërsinë e qytetarisë së përbashkët dhe dhënien e të drejtave kundër privilegjeve që bazohen mbi familjen, etninë apo fenë.
Variabli përcaktues është legjitimiteti, i konceptuar në dy drejtime: vertikali që krijon lidhjen (të drejtën për të qeverisur) midis shoqërisë, institucioneve politike dhe regjimeve dhe horizontali që përcakton kufijtë dhe kriteret e anëtarësimit në bashkësinë politike që qeveriset.
Epërsia e qytetarisë mbi etninë dhe fenë, ky është kombi im.
Kosova politike ngarend pas imazheve dhe formave të lidershipit partikular e jo pas përmbajtjes cilësore të shtetit-komb.
Por qytetarët nuk kanë arritur hala të bëhen shoqëri dhe të lidhin atë miqësinë qytetare, që e mban në këmbë një shtet dhe të gjallë një komb.
Filozofi erudit mes dy luftërave botërore Branko Merxhani vërente se Shqipëria u bë shtet-komb më 1912, ende pa u rritur si shoqëri.
U bëmë shtet, para se të arrijmë të plotësojmë formimin tonë si Shoqëri. Ky është shkaku që shteti ynë ka një shfaqje një-anëse paradoksale, dhe ky është kuptim i Neo-s që dhamë na në shprehjen shkencore Neo-Shqiptarisma.
Branko Merxhani: Etimologjia e nocionit Komb (kom) në gjuhën shqipe vjen nga gjuha arabe= kavm, që shpreh një bashkësi të ymetit, e që bazohet në fenë e përbashkët islame.
E, në atdhetë e mi nuk është islami feja e përbashkët.
Ndërkaq në kuptimin perëndimor kombin e shpreh termi Nation = bashkësi shoqërore me bazë lindjen, por me synim zhvillimin, modernizimin, për tu shndërruar në Njësi e rritur (term që e përdorin Altermatt dhe Schnapper), bashkësi politike e mbështetur në ligj (Kushtetutë).
Duhet të rritemi që të mos sillemi si kalamajtë tek luajnë te kali i Skënderbeut!
I njëjti definicion i Merxhanit vlen edhe sot për atdheun tjetër timin, Kosovën.
Ajo i ka kosovarët dhe shtetin, por nuk e ka një shoqëri!?
Ajo sundohet nga liria e të fortit. Të mendojmë për lirinë sall një çast, e të mos ngazëllehemi, mos ta marrim me hov, sepse liria, thënë poetikisht, do kujdes! Ajo lëndohet. A po funksionon dhe si, nëse doni ta dini shkoni pyetni të mundurit, të deklasuarit, pakicat etnike, fetare, kulturore e gjuhësore të frikësuara, se a do të jenë gjallë pas dy-tre brezave. Sepse çdo dy javë shuhet një gjuhë në planet, vërtet sipas UNESCO gjysma e 6.000 gjuhëve në gjithë botën kërcënohen nga shuarja!?
Robert D. Kaplan e thekson rastin e pushtimit të ishullit të Melosit nga athinasit, ashtu siç e përshkruan Tukididi: Athinasit pasi zbarkuan në këtë ishull, u ishin drejtuar banorëve të Melosit: ashtu sikurse ne, edhe ju e dini që, siç qëndrojnë punët, drejtësia është pyetje e cila bëhet vetëm prej atyre që janë të barabartë për nga forca, prandaj të fortit bëjnë atë që munden, ndërsa të dobëtit atë që duhet.
Çka duhet bërë?
Çka mbetet në fund?
Refuzimi…
2. Shumica e asaj që ndodh në të vërtetë nuk duket
Me këtë hov, po i sjell nga kujtesa e largët tashmë, e fëmijërisë sime tri rrëfime që i ka sajuar imagjinata e popullit për Shqipërinë, si ideal për tokën e babës (vatherlandin si koncept nacionalist) dhe lirinë…
Qysh si fëmijë kisha dëgjuar për kapërcimin e kufirit ilegalisht, natën, përmes vijave të përrenjve të thellë a përmes bjeshkëve që prekin qiellin…
Por për forma të vjetra, plot enigma e të padukshme dhe aq efikase, kjo më kishte ikur nga kujtesa e largët.
Këto copëza të mozaikut që na bëjnë me identitet duhet rikthyer e treguar; duhet hequr pluhurin e kohës, për mos me harrue…
Njerëzit për ta realizuar idealin e tyre kanë lëvizur malin, bjeshkën; ishin çuar varrit dhe tufën e bagëtive e kanë lëvizur, për t’i prishur kufijtë!
A ka forcë që ndal imagjinatën njerëzore?
Njerëzit kanë lëvizur malin dhe kapur për rrënjët e tij npikë të ditës dhe natën kanë zhvendosur hënën nga qielli mbi, në një kozmogoni tjetër për me dalë nShqipni.
Pra, së bashku me një krah mali kanë kapërcyer kufirin dhe me një krah tjetër mali janë kthyer sërish prapthi, te shpia.
A lëvizet mali?
Apo kjo u përket rrëfimeve të realizmit magjik?
Në çdo të vërtetë ka diçka magjike, se vërtet njerëzit kanë kaluar kufirin me malin në shpinë!?
Rrëfimi i parë i personazhit të parë fëmijërisë sime: “Prenim kaçubat, i lidhnim me litar në shpinë dhe ecnim këmbadoras (një zoo – ecje!?), ngadalë dhe padiktueshëm nga spiunët dhe rojat, sepse kujt i shkonte ndërmend te kjo mënyrë arkaike e ikjes. Edhe po të vërenin rojat se po lëvizin kaçubat (shpesh lëviznim në grup) do të iknin nga trishtimi i çudisë së lëvizjes së malit!?”.
Rrëfimi i dytë, personazhi i dytë anonim: “Kur një djalë tonin po e kërkonte hyqmeti, sajuam planin thuajse patëm një vdekje në shtëpi dhe po e varrosnim, me të gjitha ceremonitë. E kishim edhe hoxhën më vete dhe ca burra më të besueshëm!
Varret i kishim afër zonës kufitare, porse në atë varr të ri ne e varrosëm të gjallë atë djalin që e lypnin… Ç’është e vërteta i hodhëm përmbi fier e dushk dhe vetëm pak dhe, sa nuk do t’ia zinte frymën dhe aq sa mund ta ngrinte. Rojat ishin larguar, ngase natën kishin frikë të qëndronin afër varrezave, ndërsa ky i varrosuri ynë i gjallë u ngreh prej varrit më të rënë nata dhe doli matanë!”
Dhe rrëfimi i tretë autentik i personazhit autentik, që do të mbesë anonim: “Po, është e vërtetë. Jemi qepur me thonj në barkun e deleve dhe ogiçëve leshatorë dhe kemi qëndruar ashtu derisa tufa ka lëvizur duke kullotur dhe kur kemi vërejtur se jemi matanë kemi dalë nga barku i deleve, kemi ndenjur tek tanët dhe jemi kthyer nKosov
