E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzuar harresën!

Share

Nga Ergys Mertiri

Festat e fundvitit sjellin me vete kaosin e përvitshëm në Shqipëri. Ai shfaqet jo vetëm në dyqanet ku blihen pa fund produkte nga më të ndryshmet, të nevojshme apo jo, por edhe në fishekzjarret e shumta, që, më shumë se përskuqjen e qiellit, kanë për qëllim adrenalinën e pashpjegueshme që përjetojnë shumë njerëz nga efekti zanor traumatik që shkakton zhurma e shpërthimit të tyre. Gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, vërehet zakonisht një ekzaltim masiv i njerëzisë, në padurim të pritjes së momentit të shpërthimit të madh në mesnatën e tridhjetëenjëtë, kur viti që kalon ekzekutohet barbarisht, në një batërdi krismash e shpërthimesh zbrazura si me komandë nga një togë gjigande pushkatimi. Në të vërtetë, në këtë ekzaltim duket se ka më shumë harbim se hare. Vështirë të hetosh shenja lumturie në fytyrat e njerëzve që gëzojnë në këtë mënyrë, pa kuptim, pa motiv, pa emocion. Eshtë më tepër një nevojë për të shfryrë e një shoqërie të mbingarkuar me tension, stres, varfëri, lakmi, babëzi

Raste të tilla përbëjnë më tepër shfaqje me interes observativ, nga ku mund të vëzhgosh devijacionet e larmishme që po shfaqen dendur në sjelljet e reja shoqërore. Megjithatë nuk po ndalemi të bëjmë një analizë të hollësishme, gjë që do të duhej të bëhej patjetër, nëse në këtë vend do të kishte qendra studimore të specializuara. Po përpiqemi thjesht të vëzhgojmë se si shoqëria i përgjigjet një realiteti që gjithnjë e më shumë po sundohet nga tregu dhe media. Në nivel të konsiderueshem, kjo katrahurë e ndërrimit të viteve është feedback-u që shoqëria shqiptare ofron përballë mënyrës sjelljes së tregut, duke përfshirë edhe atë mediatik.

Një prej tipareve më të spikatur, kryesisht në shoqëritë e pazhvilluara, është niveli i lartë i masivitetit që shoqëron ngjarjet publike dhe njëkohësisht ndikimi i madh që mediat kanë në mobilizimin dhe prodhimin e shfaqjeve të turmave. Të dhënat studimore tregojnë se vendet më të pazhvilluara kanë edhe nivele më të larta të shikueshmërisë televizive, si dhe nivelet më të larta të përpunueshmërisë mediatike. Institucionet e komunikimit masiv në vende të tilla kanë pushtet absolut në provokimin e sjelljeve shoqërore, duke u bërë edhe faktorët dominues në krijimin e efekteve kulturore. Për këtë arsye, në këto vende, zhvillimet kulturore nuk krijohen ashtu si kudo, si përgjigje ndaj ndryshimit të kushteve sociale që sjell moderniteti, si pasojë e ndryshimit të marrëdhënieve të prodhimit, komunikimit apo edukimit, por ato u imponohen artificialisht njerëzve, nëpërmjet modeleve të gatshme komerciale të ofruara prej medias. Ka studime që na tregojnë se psh, emigrimi rural drejt qyteteve, në Europën Lindore nuk vjen për arsye ekonomike, të kushtëzuara nga industrializmi, siç ka ndodhur natyrshëm kudo në vendet e zhvilluara, por ato simulohen kulturalisht prej efektit që televizioni krijon mbi botëkuptimet e të rinjve në zonat rurale. Kjo masë e madhe e të rinjve e braktis fshatin, jo për një jetë më të mirë, por për një jetë në përputhje me perceptimet që kanë krijuar për jetën nëpërmjet medias. Ata emigrojnë për shkak se mjedisi ku jetojnë nuk përputhet me mënyrën e jetës që duan të bëjnë. Pikërisht, një pjesë e madhe e turmave festive në ngjarje të tilla, mbushen nga ky kontigjent qytetarësh.

Dolli për tregun

Ajo që spikat në mënyrën e të festuarit këto raste është natyra kolektiviste, masovike e shoqëruar me mungesën e sensit të masës. Shoqëria shqiptare duket ende larg kultuës së kremtimeve në mënyrë të përmbajtur, qytetare e intime. Tipike në këtë mes është, nevoja për ti përfshirë e për tu përfshirë të gjithë, në pavarësi të plotë se kujt i drejtohet festa, e mbi të gjitha, në shpërfillje të plotë të motivit të saj. Njerëzit festojnë pa ditur çfarë dhe pse, dhe kjo tregon, ndër të tjera, përjashtimin e të menduarit në shoqërinë tonë, distancën prej nevojës meditative që duhet të shoqërojë çdo festë.

Për këtë arsye nata e  ndërrimit të viteve, pas një dëndjeje mbarëkombëtare me mish, yndyrë, alkool e humor televiziv, gjithçka shndërrohet në një harmagedon lëndësh plasëse të kalibreve nga më të rëndat, e cila terrorizon çdo kafshë shtëpiake që ka taksiratin të jetojë mes njerëzish, si dhe çdo foshnje, që nuk ka ende moshën e mjaftueshme për të kuptuar se, ajo që po ndodh është hare dhe jo tërbim. Asgjë meditative, reflektuese, sensibilizuese nuk ka në këtë ritual që procedon me përpikmëri itinerarin e vet nga stomaku deri tek pushka e ahengu. Gjithçka duket se kërkon vetëm sasi, harresë, tjetërsim. Të gjitha këto presupozohet të sjellin çlodhje dhe gëzim, por e vërteta është se në fund, mbetet vetëm rëndesë dhe lodhje nga pagjumësia dhe harbimi si dhe dhembje koke prej pijes, gjë që kërkon, të paktën një ditë tjetër për rekuperim. Eshtë një dëshirë e papërmbajtur e këtij tipi njeriu që po kultivohet në këtë vend, për tu strehuar në turmë e zhurmë, ndoshta për ti ikur sadopak vetvetes, për tiu vjedhur asaj për pak çaste.

Festa të tilla janë në të vërtetë produkt i konsumizmit. Gjithçka gatuhet prej fabrikës, supermarketit dhe medias, aleatët më të ngushtë të betejës midis mallit dhe njeriut në mejdanin e ashpër të tregut. Pikërisht këta agjentë determinues në transformimin e qenies njerëzore në qenie konsumatore, janë regjisorët kryesorë të kësaj shfaqjeje, e cila në Shqipëri duket më spektakolare se kudo, për vetë faktin se nënshtrimi i individit ndaj mrekullisë së tregut është shumë më i madh se kudo, në pavarësi prej nivelit ekonomik. Pra pushteti i tregut dhe sidomos i medias, ka krijuar tashmë totalitarizmin e ri, që ka zënë vendin e diktaturës së vjetër të proletariatit, duke riprodhuar rreshtoren kolektive të masave të transformuara tashmë nga masa punonjëse në konsumatore, por të mbetura revolucionare, ndonëse sipas formave të reja të revolucioneve dixhitale. Rama, Berisha dhe e gjithë armata e politikanëve, artistëve, analistëve, shoumenëve që përfshihen në këtë teatër, nuk janë vetëm se xhonglierët apo kllounët e rastit dhe të rradhës, të cilët i shërbejnë këtij sistemi, duke përfituar dhe bashkëvuajtur gjithashtu hisen e tyre prej tij.

Nuk po fantazojmë aspak. Studiues të shumtë janë përpjekur të na ndërgjegjësojnë për atë që disa prej tyre e quajnë totalitarizëm latent të modernitetit dhe tregut. Konsumi duket se i ka përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e tij. Ai është tashmë cezar edhe papë njëkohësisht, duke premtuar shpëtimin e amëshueshëm nëpërmjet çastit, i cili duket se e ka përfshirë përjetësinë, ashtu si turpi e ka përfshirë tashmë shpirtin. Gjithçka gjendet e përmbedhur tek malli, dhe parajsa ku ndodh e gjithë mrekullia është, pa dyshim, tregu.

***

Para pak javëve, Tirana dhe e gjithë Shqipëria, ishte dëshmitare e një prej shfaqjeve më spektakolare të gjithë kësaj që po themi. Hapja e një prej qendrave tregëtare që mendohet të jetë nga më të mëdhatë në Ballkan, rezultoi një dyndje masive e pamenaxhueshme e njerëzisë nga një rreze e gjatë distance gjeografike. Makina pa fund, të nisura deri nga rrethe jo fort të afërt me Kryeqytetin, e shndërruan ditën inagurimit të kësaj sipërmarrjeje në një mahsher të vërtetë. Turma që shtyheshin nëpër vitrina, trafik kilometrik, agjentë sigurie që përpiqeshin të mbanin turmat për të vënë sadop

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›