Gara për kosovarët
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po has në vështirësi për të rekrutuar talentet kosovarë, pasi në garë për ta janë edhe përfaqësuese të ndryshme evropiane.
Pas Ylli Sallahit, i cili mund të luajë për Austrinë dhe Adnan Januzajt, që mund t’i bashkohet Belgjikës, Kombëtarja shqiptare mund ta humb edhe një tjetër talent. Bëhet fjalë për futbollistin e ri të Arsenalit, Alban Bunjaku, i cili është bërë epiqendër e ‘luftës’ ndërmjet Shqipërisë dhe Anglisë.
Tabloidi britanik dailymail.co.uk shkruan se 17 vjeçari nuk ka nënshkruar ende kontratë profesioniste me ‘Topçinjtë’, por ai qysh tash është në radar të Anglisë. Sipas tyre, anglezët duhet ta mposhtin Shqipërinë, e cila po ashtu po e përgatit terrenin, pasi që e sheh mesfushorin ofanziv si të ardhmen e ekipit kuqezi.
“Ne kemi kontakte me Albanin. Kjo është në dorën e tij, se për cilën kombëtare ai do të luajë. Ne nuk jemi aq të fuqishëm që të konkurrojmë me Anglinë, por nëse ai dëshiron të luajë me Shqipërinë, e mirëpresim”, tha për Express Redi Jupi, shef i zyrës së talenteve në FSHF.
Ekipin kuqezi ditë më parë e ka refuzuar talenti kosovar i Bayern Munchenit, Ylli Sallahi. Ndërsa, përgjigje të njëjtë duket se do të japë edhe Adnan Januzaj, i cili para disa javësh u transferua te Manchester United.
“Ylli ka marrë pasaportë austriake dhe automatikisht nuk ka të drejtë të luajë për Shqipërinë, pasi që Austria nuk e lejon dyshtetësinë. Gjërat janë vështirësuar edhe për Adnan Januzajn, pasi që ai mund të luajë për Belgjikën. Mirëpo, kjo e fundit nuk e ndalon dyshtetësinë, kështu që ky talent mund të luajë me ne”, shtoi ai.
Bunjaku është lindur nga prindër shqiptarë, por është rritur në Angli. Ky fakt ia bën atij mundësinë e përshtatshme për të luajtur për ‘Tre Luanët’. Federata e Futbollit e Shqipërisë po e përshpejton procedurën dhe thuhet se është në ‘pole-position’ për ta marrë Bunjakun.
Mirëpo, Federata e Futbollit e Anglisë ka konfirmuar se talenti po ndiqet që një kohë nga rrjeti i skautëve të këtij vendi. Tash, trajnerët anglezë do ta kenë për detyrë të promovojnë talentin kosovar, ngase ai shihet si e ardhme e përfaqësueses angleze.
Bunjaku vlerësohet lart nga stafi i trajnerëve të Arsenalit. Pritet që futbollisti i ri ta nënshkruajë kontratën e parë profesioniste pasi t’i mbushë 18 vjet. Vetëm para disa muajsh, Shqipëria i humbi edhe vëllezërit Taulant e Granit Xhaka, të cilët e zgjodhën Zvicrën për ta përfaqësuar. Mirëpo, drejtuesit e futbollit shqiptar kanë humbur edhe disa talente me dorën e tyre, pasi nuk ua kishin bërë hyzmetin si duhet për t’i afruar ata në ekipin kuqezi.