Të dorëzuar përballë Partizanit

Stadiumi i Shkupit ‘Filip II’ pritet të mbushet spic nga tifozët shqiptarë, për t’i dhënë përkrahje Shkëndisë kundër Partizanit në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë të eliminatoreve për Ligën e Kampionëve.
Por, edhe pse do të kenë përkrahje të madhe të martën mbrëma, tetovarët tashmë janë dorëzuar pas humbjes së thellë në Beograd 4:0 dhe nuk besojnë se mundë të bëjnë mrekulli në ndeshjen e kthimit. Megjithëkëtë, kuqezinjtë objektiv kanë fitoren.
“Siç e dini, rezultati i ndeshjes së parë është i lartë 4:0 dhe është i vështirë të shkrihet. Realisht luajmë kundër një kundërshtari që e ka treguar vetën në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, gjatë këtyre ditëve jemi munduar t’i përmirësojmë gabimet që i kemi bërë në ndeshjen e parë dhe në takimin kthyes do ta japim maksimumin”, ka thënë trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani, për Express.
“Objektivi ynë është fitorja, duke marr parasysh që do të përkrahemi nga tifozë të të gjithave trevave shqiptare. Fundja ky është futboll dhe nëse na jepet rasti për ndonjë befasi, do ta shfrytëzojmë, pse jo”, shtoi Osmani
Grobarët në Shkup?
Policia maqedonase është futur në panik para ndeshjes së kthimit ndërmjet Shkëndisë dhe Partizanit. Edhe pse klubi serb pothuajse e siguroi kualifikimin pas fitores 4:0 në Beograd, në ndeshjen e kthimit, në Shkup pritet të arrijnë mijëra tifozë të Partizanit, ‘Grobari’, të cilëve mund t’u bashkohen edhe ata maqedonas që e pëlqejnë klubin serb.
Partizani ditë më parë i kishte lutur tifozët e vet të mos udhëtonin për në Shkup, por edhe ata maqedonas që mos të shkojnë në stadium për ta përcjellë këtë ndeshje, për shkak të sigurisë. “Ne ishim të befasuar me kërkesën e Partizanit. Ne do të jemi në stadium për ta përkrahur klubin. Nuk ekziston kurrfarë mundësie që të mungojmë në ndeshje me Shkëndijën”, ka thënë njëri prej fansave të Partizanit në Maqedoni për ueb faqen serbe alo.rs.
Ai nuk e di nëse tifozët e Partizanit do të shkojnë në mënyrë të organizuar në stadium, ngase do ta kenë të ndaluar që t’i veshin fanellat bardh e zi. Ky tifoz deklaron se i vetmi problem do të jetë ai i biletave, të cilat janë të shitura, por shton se do të gjendet rruga për të hyrë në stadium.
Tifozi i Partizanit pret që në stadium të valojë flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës. Por, ai nuk pret më shumë se 10 mijë tifozë nga Tetova, ngase, vijon ai, shqiptarët janë të vetëdijshëm se nuk mund të ecin përpara në këtë eveniment.
Tifozët tetovarë në ndeshjen e parë nuk ishin prezentë në Beograd, pasi të dy klubet ishin pajtuar që takimi të luhej pa tifozë mysafirë. Pa marrë parasysh se a do të ketë Groabari në Shkup, Ballsitët pritet që ta ‘kallin’ stadiumin.
Hyseni me padurim pretë të luajë kundër Partizanit
Pjesë e Shkëndijës në përballje me Partizanin do të jetë edhe shumuesi kosovar Genc Hyseni, i cili në takimin e parë kishte munguar pasi nuk ishte lejuar të udhëtojë drejt Beogradit me pasaportë të Kosovës.
“Genci do të jetë në 18’shin e skuadrës. Ai nuk do të luajë nga fillimi pasi nuk është i gatshëm të luajë 90 minuta, shkaku i gjendjes fizike pasi nuk ka qenë në përgatitje me skuadrën”, ka theksuar trajneri tetovar, Qatip Osmani.
Në anën tjetër, ish anëtari i Renovës me padurim pret që të luajë kundër Partizanit. Ferizajasi është i vetëdijshëm se ekipi serb ka epërsi të madhe nga takimi i parë, që është vështirë të arrihet nga kuqezinjtë.
“Të luash kundër një ekipi serb është ndjenjë e madhe. Të ishte rezultati më i ngushtë do t’u tregoja serbëve se kush jam pasi kam përvojë në gatrat ndërkombëtare. Pres që edhe kosovarët ta mbështesin Shkëndijën edhe t’u tregojmë serbëve se ne dimë të organizojmë dhe të festojmë”, ka thënë Hyseni për Express, i cili ka bërë gati një befasi nëse realizon gol.
“Ne do të mundohemi ta nxjerrim një rezultat pozitiv, edhe pse Partizani do të luajë pa ngarkesë pasi ka epërsinë prej 4:0”, përfundoi Hyseni i cili vëmendjen e ka te Superkupa e Maqedonisë, që do ta zhvillojë të shtunën kundër Metalurgut.