Berisha, hero i Vikingut

Veton Berisha ka qenë hero i Vikingut në fitoren e rëndësishme minimale me rezultat 1:0 ndaj ekipit Aalesund, në kampionatin norvegjez të futbollit. 17 vjeçari është inkuadruar në lojë në fillim të pjesës së dytë në vend të Tommy Knarvik, për ta realizuar pas vetëm 12 minutash golin e parë në karrierë, me ekipin e parë të Vikingut.
Sulmuesi i ri kosovar ndihet i stërlumtur për këtë fakt. Ai debutoi me Vikingun në qershor, ndërsa deri tash ka zhvilluar afro 400 minuta me ekipin norvegjez. “Nuk është ndjenjë e keqe të jesh njeri i ndeshjes. Ishte ndjenjë e mirë që e shijova golin e parë. Kam pritur për këtë një kohë, pasi kam humbur disa raste në ndeshjet e kaluara, por më në fund arriti goli”, tha Berisha pas ndeshjes, e cila u zhvillua të dielën mbrëma.
Edhe trajneri i Vikingut, Aage Hareide, ka dhënë fjalë të mira për Berishën. “Ishte kënaqësi që Vetoni e shënoi golin e parë. Ai është lojtar i ri dhe me perspektivë, duke punuar në mënyrë fantastike. Ai e njeh mirë këtë sport. Ma kujton Emilio Butraguenon, është i aftë të krijojë raste. Goli i parë do t’ia shtojë besimin”, tha Hareide.
Edhe vëllai i madh i Vetonit, Valon Berisha, i cili po ashtu luan në Viking, e ka përshëndetur atë për këtë gol. “Ai e meritoi këtë gol, pas rasteve që pati në ndeshjet e kaluara. Ai e shfrytëzoi rastin dhe nuk kishte frikë”, tha Valon Berisha.