E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për kreun e PD, Olldashi: Kundërshtari politik po përpiqet të ndërhyjë në proces

LUSHNJE - Kandidati për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi kërkoi nga baza e demokratëve të qëndrojnë larg spekulimeve të së majtës, që sipas tij po kërkojnë të ndikojnë procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike. Olldashi deklaroi në Lushnjë se “ka një përpjekje të qartë të segmentëve të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces”.

“Ka një përpjekje të tmerrshme nga vektorë të majtë, brenda shtypit shqiptar. Po ti shikoni takëmet e analistëve, të cilët nuk gjejnë kurrë asgjë, janë të njëjtët që e luftuan me të gjithë breshërinë e tyre Partinë Demokratike, para zgjedhjeve. Janë të njëjtët që tani po përpiqen të bëjnë diversion. Janë të njëjtët që na vodhën votat me paratë e pista që vodhën gjatë pushtetit tonë, të cilët po përpiqen të ndërhyjnë në këtë proces. Në Lushnjë, Berat dhe gjetkë ka një përpjekje të qartë edhe nga segmente të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces. Mbajini larg ! Kjo parti është parti e demokratëve. Kjo parti është e grave dhe burrave të lirë që vendosin vetë me mendje të ftohtë se cila duhet të jetë e ardhmja e kësaj strukture, ku bëjnë pjesë të gjithë.”- deklaroi Olldashi.

Gjatë takimeve në Lushnjë, Berat, Kucovë dhe Polican, Olldashi theksoi se zgjedhjet për pasuesin e liderit historik të demokratëve, janë një proces vlerash, një garë dinjitoze që i jep peshë vendimmarrjes së anëtarësisë.

Sokol Olldashi u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në këtë proces dhe të gjithë bashkë të nisin veprimin më të fortë opozitar për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike.

“Kundërshtari politik ende pa marrë pushtetin, koalicioni që ringjalli PPSH-në po rrezon programin e vet. Shqiptarët nuk do të pranojnë qe themelet e shtetit të shkatërrohen nga blerja e votës dhe pazaret politike.”– deklaroi Olldashi gjatë bashkëbisedimit me anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në Lushnjë.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›