E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gara për kreun e RTSH, Bungo te “Media”: Ka patur paligjshmëri

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i Kuvendit mbylli pas disa orëve debat seancë dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Të pranishëm në seancë ishin kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo, zv/kryetari Gëzim Podgorica, anëtarët Genci Përmeti, Ilir Keko, Ardita Reçi, Milena Selimi, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani dhe Albert Minga.

Në fokus të diskutimeve në komision ishin procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së.

Në nisje të seancës, kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa tha se “RTSH është një aset publik, mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk është pronë e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe as pronë e drejtorëve, as pronë e asnjë individi që përkohësisht ka një pozicion, është pronë e shqiptarëve”.

“Ky komision ju jep buxhetin si RTSH, që nuk janë pak, janë 23 milionë euro. Ky komision ju zgjedh ju në funksionet tuaja si anëtarë të Këshillit Drejtues dhe ky komision ndjek ligjshmërinë e veprimtarisë së RTSH dhe tuajën,” tha Zhupa.

Zhupa tha se “kriteret për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm nuk janë as 100% dokumentacioni, kam parë çudira këtu, quani mosplotësim kriteresh se mungon një CV?! Nuk është kriter CV, ku e keni lexuar? Është dokument të cilit ju duhet t’i vini një afat për ta sjellë. Kualifikoni, skualifikoni në bazë të kritereve dhe më pas zgjidhni atë që doni ju sipas kritereve, jo në shkelje të ligjit, që bën më të mirën për RTSH. Këtë e kam qëndrim personal, jo të komisionit. Kjo ishte pika që derdh vazon, sepse vazon me paligjshmëri e keni mbushur. Të njëjtat shkelje keni bërë edhe kur keni zgjedhur Alfred Pezën, duke skualifikuar një kandidat që i kishte të gjitha kriteret”.

Ndërsa nënkryetarja e këtij komisioni, Evis Kushi theksoi se “fillimisht na kanë ardhur denoncime, por ne nuk duam t’ju paragjykojmë dhe gjithçka na ka ardhur edhe e dokumentuar dhe kemi lexuar në media, duam që t’ju kemi ju përballë të na informoni mbi çfarë po ndodh në lidhje me këtë proces dhe më pas të diskutojmë problematikat dhe zgjidhjet që do të japim”.

Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo tha se “lidhur me garën për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së mbas dorëheqjes së ish-drejtorit Alfred Peza, është koshiente, sepse nga gjithë dokumentacionet që unë kam këtu dhe mund të vë në dispozicion, të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues, e dinë, e njohin mirë, e kanë lexuar, ua kam dërguar edhe me shkrim, se zgjedhja e një kandidature, si konkretisht Aurora Polo, që është kandidate që u fut në garë bashkë me një tjetër, nuk plotësojnë kriterin kryesor për zgjedhjen e drejtorit të ri”.

“Por, kjo paligjshmëri ka filluar muaj përpara me të njëjtën personazh që është Aurora Polo, e cila e propozuar nga Peza për zv.drejtoreshë të Përgjithshme, për arsye të kundërshtimit të të njëjtit ligj nuk duhej zgjedhur zv.drejtoreshë e Përgjithshme. E kam refuzuar, deklaruar, është e inçizuar, megjithatë me shumicë votash në Këshillin Drejtues ajo u zgjodh zv.drejtore e Përgjithshme,” tha Bungo.

Ligji, vijoi Bungo, i cili e pengonte zgjedhjen e saj, është i njëjti ligj që vijon ta pengojë në zgjedhjen e postit të Drejtoreshës së Përgjithshme.

“Është një nen në statut që thotë zv.drejtori, Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesit  e njësive administrative të RTSH duhet të kenë të njëjtin suport ligjor. Duhet të kenë mbi 10 vite punë dhe jo më pak se 5 vjet në median e shkruar dhe audiovizive. Në rregulloren e RTSH është edhe një pikë tjetër që thotë që ata që konkurrojnë paraqesin platforma për çështje të tilla duhet të kenë diploma të arsimuara të profilit të tyre, në rastin konkret është e shkelur edhe kjo,” nënvizoi Bungo.

Duke folur për procedurat që u ndoqën në mbledhjet e fundit, Bungo tha se “e kam pasur dhe kam këtë mendim që në Këshillin tonë Drejtues ka pasur shpesh herë ngërçe, dhe për mendimin tim kanë qenë shumë subjektive, të cilat kanë penguar hera-herës punën dhe nuk kanë ndikuar për mbarëvajtjen e punës në institucion. Ka një kontradiktë të vjetër qëkurse ne jemi zgjedhur nga Kuvendi si anëtarë të Këshillit Drejtues, nëpërmjet këtij këshilli dhe administratës ekzekutive të RTSH. Mbështetur në dokumentacionin që unë kam janë 18 vendime të Këshillit Drejtues që nuk janë realizuar nga Drejtoria e Përgjithshme megjithëse për ta vendimet e Këshillit Drejtues duhet të jenë të zbatueshme”, vijoi Bungo.

Duke folur për mbledhjen e një jave më parë të Këshillit Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar zv.kryetari i këtij këshilli, Gëzim Podgorica tha se “ne nuk kemi menduar ndonjëherë që jemi të pavarur nga Kuvendi, jemi të përgjegjshëm, jemi njerëz institucionalë dhe eksperienca jonë nuk na lejon që të bëjmë gabime të kësaj natyre. Menjëherë kur sapo unë u kërkova anëtarëve të mblidheshim pas reagimit tuaj dhe të zonjës Kushi, të gjithë u përgjigjën pozitivisht dhe pro për ta ndërprerë procesin dhe për të vijuar me një diskutim të gjerë shterues, që të shkojmë aty ku duhet pa u vënë në ballafaqim jo korrekt me opinionin publik dhe me interesa të tjera”.

“Ky nuk është rasti i parë kur janë eliminuar kur janë plotësuar të gjitha kriteret. E tha edhe kryetari që ka një handikap ligjor, kur votohet, votohet edhe pro, edhe kundër, nuk votohet vetëm pro. Prandaj për sot, por duhet ta kemi edhe në perspektivë, ne duhet të shikojmë si duhet interpretuar kjo pikë, sepse mund të rikthehemi edhe një herë edhe ndodh ndonjë gjë dhe ju na konsideroni sikur kemi shkelur ligjin,” tha Podgorica.

Podgorica u shpreh se “ligji e thotë shumë qartë: “Me mbarimin e afatit të aplikimit Këshilli Drejtues bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura, të mbështetura në dokumentacionin e dorëzuar, vlerëson, verifikon dhe saktëson vërtetësinë e tyre dhe me votim të fshehtë vendos përfshirjen e tyre në konkurrim.” Pra ka mangësi ligji, pasi nëse e thotë që “votimi të bëhet në bllok”, të vijë dokumentacioni me mbështetje ligjore dhe vazhdon procesi”.

Duke iu drejtuar kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa, zv.kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Podgorica tha se “kam qenë dhe jam që të përfshiheshin të gjithë në garë, por nuk ndodhi kështu dhe ndodhi gjithë kjo gjë. Sot jam prapë i këtij mendimi, duhet saktësuar ajo pjesa e ligjit, se nuk është se e kemi ne”.

Zhupa tha se “ka një hierarki: është Kushtetuta, ligji i Medias dhe pastaj statuti juaj. Parimisht ju duhet të zbatoni të drejtat kushtetuese ato që jep Kodi i Procedurave Administrative, ligji i Medias dhe pastaj statuti. Ju gjithmonë e bëni mbrapsht, nuk është statuti as mbi Kushtetutën dhe as mbi Kodin e Procedurave Administrative”.

Disa anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së u shprehën se nuk kishin njohuri juridike për procedurat që u ndoqën në mbledhjet e fundit të këshillit, por kjo u kundërshtua nga nënkryetarja e Komisionit të Medias, Evis Kushi.

Anëtari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Ilir Keko u shpreh se “nuk mund të pranoj që kam votuar në kundërshtim me ligjin, aq më tepër me bindje. Vazhdoj t’i qëndroj mendimit që kam bërë dhe kam votuar duke menduar për më të mirën e atij institucioni. Kam votuar ndershmërisht. Nuk mendoj se kemi shkelur ligjin”.

Ndërsa anëtari tjetër, Genci Përmeti tha se Këshilli duhej të kishte asistencë juridike.

“Kryetari bëri një vetëfshikullim për një anëtar që votoi nga jashtë. Nuk është se nuk u pyet, por na u tha që ishte e ligjshme. Ndoshta ne kemi gabuar. Duhej ta kishim kontestuar, por “thembra e Akilit” duhej të ishte asistenca juridike. Këshilli e ka diskutuar dhe jemi të gatshëm ta diskutojmë këtë argument”.

Deputetja Kushi tha se “po e dëgjoj shpesh argumentin ‘nuk jam ekspert ligjor dhe nuk marr përgjegjësi’. Nuk është argument. Edhe njerëzit që janë në rrugë janë në shkelje të ligjit dhe kjo nuk do të thotë që dalin në gjykatë e thonë ‘e shkela, se nuk e njoh ligjin’. Për më tepër që je pjesë e një institucioni të rëndësishëm. Nuk është argument kjo. Dhe ne nuk jemi juristë, por miratojmë çdo ditë ligje. Çfarë do të thotë, që ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi? Ankoheni se statuti ka probleme. Keni përgjegjësinë ta ndryshoni. Është akoma më e rëndë që ta dini që statuti ka probleme e të mos merrni asnjë masë”.

Në përfundim të seancës dëgjimore, Zhupa tha se “anëtarët e Këshillit Drejtues të jenë të qartë për të gjitha shkeljet që janë bërë në këtë proces të zgjedhjes së drejtorit të ri të RTSH, të jenë të qartë në interesin e vetëm të këtij komisioni që është zbatimi i ligjit, mbrojtja e Kushtetutës, të drejtave të njeriut, barazia para ligjit, parimit të transparencës, të drejtësisë dhe i paanësisë. Ne si komision edhe kur kemi pëlqyer kandidatë të caktuar, nuk kemi ndërhyrë ndonjëherë në proces, përveç se kemi kërkuar zbatimin e kritereve dhe të ligjit. Në këtë rast mbajmë të njëjtin qëndrim, ju do të duhet të respektoni ligjin, ju bëjmë thirrje të respektoni ligjin. Dhe ne do të konsultohemi me shërbimet tona juridike dhe monitoruese në lidhje me procesin dhe mbarëvajtjen e Këshillit Drejtues”.

“Është e papranueshme nga ana jonë justifikimi i kahershëm i disa prej anëtarëve për mospasjen e njohurive juridike apo të votimit që i vë përpara kryetari i Këshillit, apo për mbajtjen e një pozicioni për të pranuar gjithçka në bazë të një tradite të Komisionit. Këto janë të papranueshme, sepse ligji është i tillë, nuk njeh shmangie nga përgjegjësia në rast padije apo shkelje tradite të mëparshme,” tha Zhupa.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›