E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për kreun e ri të PD-së, Kryesia e partisë mblidhet në orën 13:00

TIRANE- Kryesia e Partisë Demokratike pritet të mblidhet sot në orën 13:00, për të shqyrtuar kandidaturat për kreun e ri të partisë, pas dorëheqjes nga detyrat partiake të liderit Berisha.

Që kur Berisha pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe shpalli largimin e vet nga drejtimi i PD-së, gjatë kësaj jave vetëm dy politikanë të rëndësishëm të saj kanë dorëzuar kërkesat për kandidim. I pari u paraqit ministri aktual i punëve publike, Sokol Olldashi dhe më pas kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Në media janë dëgjuar edhe emra të tjerë më pak të rëndësishëm.

Olldashi e Basha u paraqitën njëlloj në zyrat qendrore të partisë së tyre, dorëzuan projektet e tyre dhe kërkesën për kandidim, dhe mbajtën nga një deklaratë për shtyp, ku theksuan njëlloj nevojën për një fillim të ri në PD, që ajo të kthehet me dinjitet në pushtet, krenare për qeverisjen e deritanishme dhe ndihmesën e shquar që ka dhënë kryetari i saj Sali Berisha.

Ministri Olldashi, 4 herë deputet, tha se synon të rindërtojë themelet morale, mbi të cilat PD do të duhet të rikthehet në pushtet. Ndërsa kryebashkiaku Basha nuk është deputet në sallën e parlamentit dhe nëse fiton, do ta drejtojë grupin parlamentar nga bashkia, ashtu si bëri për shumë vite edhe kryetari i PS-së dhe kryebashkiaku Rama.

Kryetari i ri i PD-së do të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë, proces që shndërrohet për herë të parë si një sfidë për të shfaqur demokracinë e brendshme të kësaj partie.

(er.nu/voa/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›