Shpërthejnë zjarret në pyjet e vendit, 10 dynym digjen në zonën e Pukës
Pukë- Stina e verës ka risjellë edhe problematiken e zjarreve në kurorat pyjore në vendin tonë. Mëngjesin e sotëm mësohet se me rritjen e temperaturave janë shfaqur edhe vatrat e para të zjarrit në sipërfaqet pyjore të Pukës.
Sipas Shërbimit Pyjor të zonës në Pukë janë evidentuar 8 vatra zjarri, konkretisht në sektorin pyjor Lak Rroshi.
Zjarrëfikësit e mbërritur në vendin e ngjarjes thonë se flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë që ka përfshirë zonën.
Raportohet se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej 10 dynymësh. Ndërkohë dy automjete zjarrëfikës që ndodhen atje thonë se po punohet intensivisht për vënien nën kontroll të flakëve të zjarrit.