Gara për në universitet, maturantët japin sot provimet me zgjedhje
Tiranë- Afro 50 mijë maturantë i nënshtrohen sot provimeve me zgjedhje në garën për në universitete publike në vend. Provimi pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 13:00 të mesditës.
Në këtë provim maturantët do ti nënshtrohen testit të dy lëndëve me zgjedhje nga 26 që kanë qenë në dispozicion për ta.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka njoftuar më herët se testi do të përmbajë 20 pyetje në total, 10 prej të cilave do të jenë me alternativa e do të kenë vetëm 1 pikë, kurse 10 të tjera me zhvillim, të cilat kanë në total 30 pikë. Pra testi i plotë ka 40 pikë.
Sakaq MASH-i bëri me dije se nesër do të dalin rezultatet e testit të matematikës, të cilit maturantët iu nënshtruan më 14 qershor.
Ndërkohë sërish në këtë test janë vendosur bllokuesit e valëve, edhe pse në dy provimet e mëparshëm, pjesë e maturës shtetërore pati raportime se teza ka dalë jashtë ambientëve para se provimi të mbyllej zyrtarisht.