E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gara presidenciale në Kroaci, Milanoviç kërkon një tjetër mandat, fituesi vendoset në raundin e dytë

Sot kroatët zgjedhin presidentin e ri. Në sondazhe kryeson  presidenti aktual, Zoran Milanoviç. Ndërkohë  Dragan Primoraç është rivali i tij kryesor në garën me tetë emra për këtë post.

Primoraç mbështetet nga partia konservatore në pushtet, HDZ. Këto zgjedhje po mbahen teksa shteti anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s, përballet me inflacion të lartë, korrupsion e mungesë të fuqisë punëtore.

Sipas një sondazhi të publikuar, Milanoviç ka mbështetjen e 37% të elektoratit, ndërsa Primoraç, të 20% të votuesve. Asnjë nga kandidatët nuk pritet të fitojë më shumë se 50% të votave dhe presidenti i ri pritet të zgjidhet në raundin e balotazhit, që mbahet pas dy javësh.

Gjatë fushatës, dy rivalët kryesorë kanë shkëmbyer akuza. Milanoviç thumboi Primoraç-in, duke e quajtur “të mërzitshëm”. Në Kroaci, presidenti është komandant i forcave të armatosura dhe ka peshë sa i përket vendimeve për politikën e jashtme.

Por, pavarësisht kompetencave të kufizuara, shumë besojnë se ky post është kyç për balancën e pushtetit politik në shtetin që më së shumti drejtohet nga HDZ-ja, prej pavarësisë në vitin 1991.

Milanoviç, 58 vjeç, politikan i krahut të majtë, në të kaluarën ka qenë edhe kryeministër e është një nga figurat kryesore politike për pothuajse dy dekada. Gjatë mandatit si president e ka shfrytëzuar këtë post për të sulmuar kundërshtarët politikë dhe zyrtarët e BE-së, shpesh duke përdorur retorikë fyese e populiste.

Ai dënoi pushtimin rus të Ukrainës, por ka kritikuar ndihmën perëndimore ushtarake për Kievin ndaj dhe kryeministri Andrej Plenkoviç e quan “prorus”, dhe e akuzon se po shkatërron besueshmërinë e Kroacisë në NATO dhe BE”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›