Gara presidenciale në SHBA, Obama kryeson sondazhet

Amerikanët e shohin të ardhmen me pesimizëm, por kjo nuk reflektohet ndaj vendimit për të pasur në krye presidentin Barack Obamas, i cili ka kaluar në epërsi krahasuar me kandidatin republikan për president, Mitt Romney.
Vetëm tre muaj nga dita e zgjedhjeve në 6 nëntor, presidenti amerikan, Barack Obama është në avantazh me shtatë pikë ndaj rivalit të tij republikan, Mitt Romney.
Ata janë përkatësisht 52 me 45 për qind, sipas një sondazhi të CNN. I njëjti studim vëren se shumica e të anketuarve, rreth 64 për qind, besojnë se ish guvernatori i Massachusetts përfaqëson interesat e klasës më të pasur të vendit.
Edhe në një tjetër sondazh të realizuar nga agjensia e lajmeve Reuters, pavarësisht se 2/3 e të anketuarve thonë se SHBA-ja është në drejtim të gabuar presidenti amerikan Barak Obama kryeson me 49% ndaj 42% që ka kadidati tjetër Mitt Romney.
Sipas sondazhit pavarësisht rritjes së papunësisë, nga 8,2% në 8,3% amerikanët mendojnë se Obama është ai i cili di të përballet më mirë me zgjidhjen e problemeve ekonomike, sesa kandidati republikan. Ekonomia amerikane dhe shifrat e papunësisë janë dy cështejet kryesore që kanë sunduar fushatën elektorale të dy kandidatëve per president të SHBA-ve.