E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Garantova Brukselin për vazhdimin e reformave dhe dialogun me opozitën”

28-06-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat se, ka informuar Partinë Popullore Evropiane, anëtarë të së cilës janë kryetarët e Qeverive të shumicës së vendeve anëtare të BE-së, lidhur me kursin e reformave dhe ftesën e mazhorancës për dialog me opozitën

“Qeveria shqiptare është e vendosur për të bashkëpunuar me opozitën duke respektuar ligjin si dhe do të vijojë përpara me reformat në zhvillimin e vendit”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha nga mbledhja tradicionale e grupit parlamentar demokrat.
Këtë premtim, Berisha ia komunikuar edhe anëtarëve të Partisë Popullore Evropiane në Bruksel, të cilët në masë dërrmuese janë kryetarët e qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke i informuar ata për zgjedhjet lokale në Shqipëri si dhe fitoren e Partisë Demokratike në rang vendi dhe në bashkinë e Tiranës.
Nga kryesia e Kuvendit, Berisha përsëriti se mazhoranca do bashkëpunojë ngushtë me opozitën për realizimin e reformave dhe “detyrave” të Brukselit, ftesë të cilën mazhoranca ia ka drejtuar opozitës që para 1 jave.
“Ishte një moment i shkëlqyer për t’i informuar pjesëmarrësit për zgjedhjet në Shqipëri dhe përgëzimet ishin të përzemërta. Unë dhashë garanci të plota se qeveria do të bëjë çdo gjë për të vazhduar reformat me vendosmërinë më të madhe dhe për të bashkëpunuar me opozitën në kuadrin e ligjeve të kushtetutës, me çiltërsinë dhe vendosmërinë më të madhe”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke informuar rreth samitit të Partisë Popullore Evropiane me rastin e 35 vjetorit të themelimit të saj, Berisha tha se në këtë takim morën pjesë 17 kryeministra nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në këtë samit janë ulur si kryeministra të rinj, kryeministri i Portugalisë si dhe kryeministri i Finlandës. E djathta Evropiane ka fituar edhe në vende si Qipro dhe Moldavia. Por, po ashtu edhe Partia Popullore Spanjolle shënoi një fitore të thellë në zgjedhjet lokale në Spanjë, e cila fitoi bashkinë e Madridit me 10 për qind më shumë se koalicioni majtë, aq sa edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, përfshirë edhe Tiranën, fitoi zgjedhjet në rang kombëtar.
“Samiti u mblodh duke pasur në tavolinë 17 kryeministra nga vende anëtare të Bashkimit Evropian, çfarë përbën një nga zhvillimet më pozitive e më të rëndësishme. Po kështu edhe në gjashtë vende të tjera, partitë simotra të aderuara në Partinë Popullore Evropiane (PPE) janë në pushtet. Faktikisht qytetarët e Evropës, në mënyrë plebishitare, po mbështesin qendrën e djathtë me besimin më të madh se kjo platformë u jep përgjigjen me të shkëlqyer problemeve të tyre. Në Samit u ulën si kryeministra të rinj, të 3 muajve të fundit, kryeministri i Portugalisë Pedro Passos Coelho, i cili në kulmin e fushatës kishte nënshkruan marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Komisionin Evropian për të gjithë kuadrin e reformave që do të ndërmerrte për nxjerrjen e vendit të tij nga kriza e thellë financiare në të cilën ishte zhytur, si dhe kryeministri i Finlandës, Jyrki Katainen, një arkitekt koalicionesh, një financier i shkëlqyer, mik i Shqipërisë, personalitet shumë i respektuar. Por aty u raportuan fitore të tjera të shumta. Me 10 përqind më shumë fitoi zgjedhjet vendore, përfshi dhe Madridin, Partia Popullore spanjolle. Me 10 për qind më shumë, përfshi dhe kryeqytetin, fitoi zgjedhjet lokale Partia Demokratike e Shqipërisë, çka u prit me kënaqësi shumë të veçantë. Partia simotër kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme në Qipro. Partia simotër kishte fituar zgjedhjet lokale në Moldavi”, deklaroi Berisha.
Kryeministri theksoi më tej se gjatë samitit ka zhvilluar takime me personalitete të rëndësishme të Brukselit si kancelaria Merkel, presidenti i KE Barroso, kryeministri Berluskoni etj,. 
“Pra nuk kishte moment më kuptimplotë dhe më besimplotë që të mund të festohej 35 vjetori i Partisë Popullore Evropiane se sa ky, kohë kjo në të cilën fitoret e partive anëtare të saj ndjekin me vendosmëri njëra - tjetrën. Ishte një moment i shkëlqyer për mua, për të informuar shkurtimisht që të gjithë pjesëmarrësit, nga Kancelarja Merkel, Presidenti i Komisionit Europian José Manuel Barroso, Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy, Kryeministrit italian Silvio Berluskoni dhe të gjithë kryeministrat që ishin aty, Kryetari i Parlamentit Europian, mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe rezultatin e tyre. Përgëzimet ishin shumë të përzemërta”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë vlerësoi punën e çmuar të Presidentit të Partisë Popullore Evropiane, Wilfried Martens, i cili drejton prej 20 vjetësh grupimin më të madh politik në Parlamentin Evropian.
“Ylli i të gjithë takimeve dhe festimeve ishte Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Wilfried Martens. Personalitetit të shquar që udhëheq prej 20 vitesh Partinë Popullore Europiane iu kushtuan fjalimet më të bukura nga Kancelarja Merkel, Presidenti Herman Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Europian José Manuel Barroso, Presidenti i Parlamentit Evropian Jerzy Buzek dhe Kryeministrit hungarez Victor Orban. Në fjalimet e tyre një gjë ishte e përbashkët: pa kontributin e këtij burri të shquar dhe të madh, këtij evropiani të vërtetë, Partia Popullore Europiane nuk do të ishte kjo që është sot. Ndërsa ata rendisnin meritat, në mendjen time si në një film shfaqej ndihma, mbështetja dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm për zhvillimet demokratike në Shqipëri, në të gjitha sukseset e mëdha të Partisë Demokratike. Presidenti Wilfried Martens dhe bashkëpunëtorët e tij kanë qenë mbështetës kryesor dhe të pranishëm. Ndaj dhe unë pata kënaqësi që i shpreha mirënjohjen më të thellë Presidentit Martens për atë mbështetje të madhe që i ka dhënë Partisë Demokratike të Shqipërisë edhe në kohërat më të vështira, për vizitat e tij në Shqipëri, për fjalën e tij në sheshin ‘Skënderbej’ në zgjedhjet e vitit 2009, të cilën qytetarët shqiptarë e pritën në mënyrën më miqësore”, tha më tej kryeministri Berisha, duke bërë një rezyme të përgjithshme rreth samitit për 35 vjetorin e themelimit të Partisë Popullore Evropiane.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›