Humbësi Rama ndërsehet ndaj të akuzuarve si humbës të rretheve
Dje Edvini e ka shkarkuar paranojën e vet në Elbasan, qarkun që regjistroi një plebishit në favor të mazhorancës qeverisëse, ndërkohë që paniku i partiakëve të provincës, rritet me rëndimin e gjendjes së kryesocialistit ende në detyrë
Edi Rama hidhet në sulm në takimin-monolog të radhës në Elbasan.
I shoqëruar edhe nga Kryetari i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi dhe deputetë të qarkut të Elbasanit, kryetari i PS-së, kryehumbësi Edi Rama, zhvilloi dje monologun e radhës, me dyer të mbyllura me drejtuesit dhe të zgjedhurit vendorë në Elbasan, ku zgjodhi t’ju kërkojë llogari humbësve të provincës.
I vënë në një pozitë, jo të këndshme, në kryqëzimin që i bënë drejtuesit e të zgjedhurit vendorë në Berat, Edi Rama, ka zgjedhur të bëjë në Elbasan, rolin e socialistit nga Kuçova, i cili i kërkoi llogari kryesocialistit në Berat, pse ai (kryesocialisti) e kishte përçarë partinë dhe pse ai nuk kishte ditur të zgjidhte kandidatura fituese.
Pikërisht, këto ishin armët që përdori dje Edi Rama në Elbasan.
Pa ju lënë mundësi drejtuesve e të zgjedhurve vendorë, ti kërkojnë atij llogari (sikurse në Berat), pse e ka përçarë partinë dhe pse ka zgjedhur kandidatura humbëse edhe në Elbasan, Edi Rama, i ka përdorur vetë së pari këto “argumente”.
Në një analizë të mosfunksionimit të strukturave të selisë rozë, Edi Rama është ndalur jo pak te mosmarrëveshjeve brenda këtyre strukturave.
Pjesë e sulmit të Edi Ramës, lidhur me mos përzgjedhjen saktë të kandidaturave, ishte kandidimi si rival i “Aleancës për të Ardhmen”, i kreut të PS-së në Cërrik.
Duke u ndalur te ky precedent, Edi Rama, nuk është mjaftuar me kaq, ndërsa ju ka kërkuar llogari më pas, drejtuesve e të zgjedhurve vendorë të PS-së, për humbjen e një pjese të konsiderueshme njësish vendore në Elbasan. Në këtë kontekst, Edi Rama nuk e ka fshehur pakënaqësinë ndaj humbjes së PS-së në Elbasan, ndërsa është ndalur në fitoren e vetëm dy bashkive, Gramshit dhe Elbasanit. Ndërsa në zgjedhjet e viti 2007-2011, Partia Socialiste drejtonte 5 bashki si Elbasanin, Cërrikun, Përrenjasin, Librazhdin dhe Belshin, tashmë kryeson në vetëm dy, Gramsh dhe Elbasan, çka tregon që ka një rënie të grafikut të votave në drejtim të Partisë Socialiste.
“Për të arritur një fitore në të ardhmen, duhet të kemi një bashkëpunim të fortë me strukturat dhe përçarjet në parti të lihen mënjanë”, ka deklaruar Rama.
Duke u ndalur gjatë në këto humbje, si edhe në refrenin e “mirëfunksionimit” të këshilltarëve vendorë të PS-së, Edi Rama, një kryehumbës i sprovuar vetë, ia ka dalë dje në Elbasan, që nëpërmjet taktikës së hedhjes në sulm i pari, të shmangë llogaridhënien para pjesëmarrësve në monologun e radhës së kryesocialistit, në Elbasan.