E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pagave, modeli “Berisha” për kapërcimin e krizës ekonomike

28-06-2011 / Gazeta 55

Në prag të rishikimit të buxhetit dhe përkundër rekomandimeve të FMN-së, mazhoranca ka shpallur si prioritetet rritjen e menjëhershme të pagave dhe pensioneve, si dhe refuzimin e apeleve për rritjen e taksës së sheshtë. Rritja e performancës ekonomike vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i investimit të arsyeshëm tek individi, si investimi më i drejtë në mijëvjeçarin e ri


Një javë më parë shefi i FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell, kërkoi nga Ministria e Financave që, pas rritjes së pagave dhe pensioneve, të bëhej edhe një rritje e lehtë e taksave. Por, reagimi i ministrit të Financave ishte i qartë: jo rritje të taksave, por rritje të pagave dhe pensioneve. Të njëjtën gjë ka konfirmuar dje edhe kryeministri Sali Berisha, i cili garantoi se Qeveria do rrisë performancën e saj në mbajtjen e premtimeve para qytetarëve, por kurrsesi rritje të taksave.


“Fondit Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për rritjen e rrogave dhe ky shqetësim është i kuptueshëm. Por çështja është se rritja e rrogave ka të bëjë me investimin në burimet njerëzore. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë politikën tonë të rritjes së rrogave. Kjo jo vetëm se është një zotim i palëkundur elektoral, por sepse unë besoj se investimi më i rëndësishëm dhe më frytdhënës është investimi te njeriu. Ka forma të ndryshme investimi. Por edhe ky është një investim kryesor. Rritja e pensioneve është një çështje dhembshurie njerëzore. Asnjë vend nuk ka dyfishuar gjatë këtyre viteve pensionet e ulëta si Shqipëria. Por përsëri ne do të vazhdojmë politikën e rritjes së pensioneve, sepse pensionistët, pavarësisht nga pensioni që marrin, çdo ditë përballen me dhembjen e mospasjes, me dhembjen e përballimit të një vështirësie që krijon tregu dhe kërkesat e tij. Është në detyrimin tonë të bëjmë gjithçka për një zbutje gjithnjë e më të madhe të kësaj dhembje”, u shpreh kryeministri Berisha, duke shtuar se “ne do të rrisim performancën dhe jo taksat. Ne kemi nevojë për lulëzimin e biznesit dhe jemi dhe vendi me taksat më të ulëta në Europë”.


Ai rikonfirmoi objektivin e qeverisë për të rritur pagat e pensionet jo vetëm gjatë këtij viti, por edhe gjatë viteve të ardhshme. Duke iu referuar diskutimeve në Bruksel në samitin e PPE-së, për krizën ekonomike në eurozonë, Berisha tha se “kjo krizë ka përmasa shumë të thella dhe është shoqëruar me një papunësi që shkon në 43 për qind në këto vende të prekura thellë”. “Në Samitin e Partisë Popullore Evropiane temë qendrore ishte një dhe vetëm një: kriza ekonomike në zonën euro. Kjo krizë ka përmasa shumë të thella, është shoqëruar me një papunësi që shkon nga 23 - 40 për qind në këto vende të prekura thellë nga kriza e borxheve në zonën euro. Në diskutimet e tyre u bë një analizë e thellë e situatës, por u shpreh dhe një vendosmëri e madhe për të mobilizuar fonde, për të bërë çdo ndërhyrje në ndihmë të tre vendet më të prekura eventualisht, Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën. Natyrisht, u theksua se jetike dhe vendimtare nuk janë paketat që ofrohen. Ato janë shpëtimtare të momentit. Falimentimi do të jetë i pashmangshëm në qoftë se nuk ndërmerren reformat më të thella, privatizimet më të plota, kufizimi i shpenzimeve, reduktimi i administratës dhe sektori publik më të gjithë maksimumin e mundshëm. Kriza është jashtëzakonisht e thellë. Është shumë më e thellë nga sa mund të mendohet dhe imagjinohet. Në Samit u shpreh vlerësim për seriozitetin me të cilin qeveritë e këtyre vendeve e kanë marrë procesin e reformave dhe angazhimin e tyre”, tha kryeministri, ndërsa shtoi se e kundërta ka ndodhur në Shqipëri ku reformat ekonomike ishin reforma suksesi.


Berisha theksoi se Shqipëria është ndër vendet me rritjen më të madhe ekonomike në Europë. “Dua të theksoj në këtë moment se një nga arritjet më historike të këtij vendi është suksesi i reformave ekonomike. Është suksesi i madh i këtyre reformave ekonomike, të cilat bëjnë që sot Shqipëria jo të ketë rritje papunësie, por të ketë rënie të ndjeshme të papunësisë, duke qenë ndoshta i vetmi vend në Evropë, ose ndër të paktat vende në Evropë dhe në botë. Reformat bëjnë që Shqipëria të vazhdojë projektet e saj transformuese të vendit; të vazhdojë në mënyrë persistente politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, ndërkohë kur këto vende i kanë ulur rrogat e pensionet nga 25 – 39 për qind dhe u kërkohet të vazhdojnë me ulje të tjera shumë më të mëdha. Ndërsa Shqipëria vazhdon rritjen më të madhe”, deklaroi kryeministri.


Ai tha se reformat ekonomike janë sukses i madh i qeverisë demokratike. “Shqipëria e ka administratën publike dy herë më të vogël se rajoni. Ne u angazhuar me privatizime të thella që sollën sukses. Investimet private janë shumëfishuar në një kohë më të vështirë. Modeli ekonomik i vendit është i suksesshëm. Në pesë muajt e parë të këqij vendi janë regjistruar 20 kompani fasone”, tha kryeministri.


Gjithashtu, kreu i ekzekutivit tha se Qeveria ka konsoliduar një model ekonomik të suksesshëm. “Pra, modeli ynë ekonomik ka qenë model i suksesit. Ne kemi ndërmarrë investimet më të mëdha në infrastrukturë. Dhe infrastruktura moderne gjeneron rritje. Ajo në vetvete shndërrohet në një levë të rëndësishme të rritjes ekonomike. Kjo po ndodh”, u shpreh më tej kryeministri Berisha, duke shtuar se kjo ka sjellë rritjen e investimeve në kohërat më të vështira ekonomike, ndërsa e ardhmja do njohë lulëzimin e vërtetë ekonomik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›