Garazhet te QKUK as pas shtat vjetësh s’janë askund

Punët në projektin e garazheve te QKUK kanë nisur para shtatë vjetëve, por ende nuk janë as afër të përfundojnë. Përkundër opozitarëve që kanë shumë kritika për zvarritjet e pafund të këtij projekti me partneritetit publiko-privat, zyrtarët komunalë thonë se punët po shkojnë mirë.
Derisa këta të fundit, thonë se punët po shkojnë normalisht, gjatë vizitës që i bëmë objektit nuk shihet se ka përparime, dhe se po punohet, pasi ditën e vizitës sonë aty shiheshin vetëm dy punëtorë gjoja duke punuar.
Për të mësuar më shumë se deri ku kanë shkuar punimet, tentuam të kontaktojmë me Shpresa Bekteshin, përfaqësuese e kompanisë “Jeta” por ishte e pamundur, pasi që edhe numri i telefonit të saj, sikurse edhe të gjithë numrat tjerë që gjendeshin në tabelën e informimit të kësaj kompanie, ishin jashtë funksionit.
Ajo që na u tha jozyrtarisht nga disa persona, te vendi i punimeve, ishte se tash nuk është më kompania “Jeta” ajo që po e ndërton objektin, por është një kompani tjetër, “N.N Lenti-B”nga Rahoveci. Përfaqësues nga kjo kompani, përveç që thanë se nga pranvera e këtij viti kanë filluar punimet në këtë objekt, nuk deshën të flasin më gjatë, shruan gazeta Zëri.
Zëdhënësi komunal, Asdren Osaj, thotë se punët për këtë projekt po shkojnë mirë. Sipas tij, “në fillim janë paraqitur disa pengesa, si konteksti pronësor dhe zhvendosja e infrastrukturës nëntokësore, sidomos e gypave të ngrohtores së qytetit “Termokos”. Këto pengesa kanë bërë që realizimi i këtij projekti të vonohet për pak kohë, por të gjitha këto probleme Komuna i ka zgjidhur dhe ka dy vite që aty po punohet normalisht”.
Rreth asaj se a ka marrë masa Komuna ndaj kompanisë për vonesat e cekura Osaj tha se pasojat i bart vetë kompania “Jeta” e cila ka fituar tenderin pasi që koncesioni i është dhënë për 25 vjet dhe koha numërohet që nga nisja e punimeve. “Kompania përgjegjëse ka në dispozicion vetëm edhe 18 vjet për të shfrytëzuar objektin, pasi që koha e humbur do të llogaritet në afatin e koncesionit.
Kompania “Jeta”, që nga momenti i hapjes së garazheve është e obliguar t’ia paguajë Komunës taksën prej tetë mijë euro në muaj”, tha Osaj. Partitë opozitare në KK të Prishtinës thonë se përveç zvarritjeve në këtë projekt, kompania e cila e ka fituar tenderin në atë lokacion ka prodhuar beton dhe e ka shitur atë.
“Me vendim aty është dashur të ndërtohen garazhe për të cilat ka nevojë kryeqyteti, e jo qendër tregtare apo lokale afariste pasi, me sa unë kam informacion është përmendur të ndërtohen lokale”, tha Shemsi Veseli, shef i grupit parlamentar të PDK-së.
Edhe sipas Sadri Ramabajës nga “Vetëvendosja” më herët është përfolur se objekti i garazheve është shndërruar në “fabrikë” për përpunimin e betonit dhe, sipas tij, kjo është njëra nga arsyet pse ky projekt nuk është kryer me kohë.
Objekti që po ndërtohet afër QKUK-së do të ketë 905 garazhe dhe një aneks të një qendre tregtare. Rreth asaj se a ka të drejtë kompania “Jeta” të kontraktojë kompani tjetër, për t’i kryer punimet, Osaj tha se Komunës nuk i intereson kjo pasi që është komplet çështje e tyre. /Indeksonline/