Gardisti Llupo kërkon lirimin, për procedurë
Agim Llupo, i vetmi efektivë i Gardës së Republikës, që ndodhet i izoluar në qeli si i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi, kërkon nga Gjykata e Shkallës së Parë të lirohet nga qelia, me pretendimin e mbarimit të afateve të hetimit të çështjes. Ka qenë avokati mbrojtës i gardistit Llupo dhe vetë ky i fundit, që i janë drejtuar gjyqtarit Shkëlqim Mustafa me kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë, me pretendimin se kanë mbaruar afati 12 mujor i hetimit.
Kjo kërkesë që mban nr.384 të datës 7 Shkurt 2012, pritet të shqyrtohet mesditën e sotme, konkretisht në ora 13:00 nga gjyqtari Mustafa. Kërkesa e gardistit Llupo pritet të lexohet nga avokati Gëzim Veleshnja, pas dorëheqjes së avokatit Genc Gjokutaj, i cili do të mbrojë interesat ligjore të Komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Mësohet se gardisti Llupo kërkon të lirohet, pasi sipas tij, afati hetimor i çështjes ndaj tij sipas procedurës penale është 12 mujor, kohë kjo që tashmë përfundon pasditen e sotme.
Nga ana tjetër, janë prokurorët e çështjes të cilët i janë drejtuar gjyqtarit Mustafa me një kërkesë tjetër, për zgjatjen e afateve hetimore ndaj gardistit Llupo edhe për tre muaj. Kjo zgjatje, mësohet se nuk është pranuar nga avokati dhe vetë Llupo, bazuar në precedentin Basha të dosjes hetimore Durrës-Kukës. Sipas kërkesës së prokurorisë, avokatët dhe Llupo nuk kanë pranuar zgjatjen e hetimeve, duke iu drejtuar kështu togave të zeza për lejimin e kësaj zgjatje hetimore. Kjo kërkesë e përfaqësuesve të akuzës, pritet të shqyrtohet mesditën e sotme në ora 12:00 po nga gjyqtari Mustafa.