Tre pistat e prokurorisë për vrasjen e laborantes Eleni Basho

Vendi i vrasjes
Flamur Vezaj
TIRANË- Vrasje për motive morale, vrasje gjatë një grabitjeje dhe vrasje për shkak të shitjes së biznesit familjar. Këto janë tre pistat që organi i akuzës në bashkëpunim me Policin e Shtetit kanë ngritur vetëm katër ditë nga vrasja e laborantes dentare Eleni Basho në periferi të Tiranës, 30 metra larg banesës së saj. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, mësohet se prokuroria është përqendruar në tre këto pista, për të arritur deri tek gjurmët e autorit të vrasjes së kryer mbrëmjen e datës 2 Shkurt 2012 në zonën e Shkozës. Hetimet tashmë janë përqendruar në tre pistat kryesore, duke mbledhur materiale operative e hetimore në teren, si në pyetjen e personave konkret apo edhe të dyshuarve të mundshëm. Pista e parë që po hetohet, por, që ka shumë kontradikta është ajo e grabitjes së farmacistët 35 vjeçare. Por, këto dyshime zbehen disi, pasi autorët pas vrasjes nuk i kanë grabitur asnjë send apo vlerë monetare që Basho kishte me vete. Gjithashtu, dyshohet që kjo pistë mund edhe mos të qëndrojë, për faktin se vrasja është kryer me tre plumba, çka në rastet e grabitjes autorët përgjithësi nuk shkrepin disa plumba, por mjaftohen me një,- thuhet nga të dhënat e prokurorisë.
Pista e dytë, që mendohet se mund të jetë është ajo e vrasjes për çështje morali mes çiftit, por, edhe kjo pistë sipas akuzës, është zbehur pasi asnjë nga fqinjët apo familjarët nuk dyshon se marrëdhëniet e çiftit ishin të acaruar. Ndërsa, pista e tret që për hetuesit është pak më e besuar është ajo që ka të bëj me biznesin që çifti Basho kishin. Nga pyetja e disa personave, mendohet se çifti Basho donte të shiste biznesin me një shumë të lartë financiare, të cilët blerësit nuk pranonin duke mos rakorduar në shumën e shitjes, çka mund të ketë sjell një përplasje mes tyre,- thuhet nga prokuroria. Sipas tyre, këto shifra kapin shumën e miliona eurove, por, rasti është në verifikim e sipër, pasi edhe vetë bashkëshorti i 35 vjeçares së vrarë nuk ka pranuar këtë problem si një konflikt mes tyre dhe personave të tretë.
Gjithashtu, burimet e prokurorisë saktësuan se 35 vjeçarja është qëlluar me tre plumba pas kokës, në momentin që sapo afrohej pranë banesës së saj. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Eleni Basho rreth dy orë para vrasjes së saj ka qenë ulur së bashku me një shoqen e saj në një lokal, ku është ngritur për të iku në banesë. Sapo është ngritur nga lokali ka komunikuar me vajzën në telefon, duke i treguar kësaj të fundit se po vinte në shtëpi. Nga qendra, mendohet se 35 vjeçarja ka udhëtuar me urban deri në stacionin e fundit të Shkozes dhe më pas është nisur në këmbë për në shtëpi,- thuhet nga prokuroria. Sipas tyre, dyshohet që autori ka qenë duke e pritur në errësirë, por, ka dyshime që ai edhe mund ta ketë ndjekur nga pas deri tek vendi i ekzekutimit. Vrasja e gjirokastrites mësohet se është bërë nga prapa shpinës, duke lënë të vdekur në vend.
Policia nis kontrollet në Tiranë
Pak ditë pas dy vrasjeve të ndodhura në kryeqytet dhe ndërrimit të krerëve të policisë, uniformat blu kanë nisur një plan masash që parashikon kontrolle të shumta në të gjithë Tiranën. Lajmi u bë i ditur nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët thanë se janë parashikuar masa të ndryshme kontrollesh në objekte dhe akse të ndryshme rrugore, me qëllim ndalimin dhe arrestimin e njerëzve të ndryshëm të kërkuar apo që lëvizin të armatosur. Burimet thanë se në këtë plan masash janë përfshirë efektivë të Forcës së Posaçme të Policisë së kryeqytetit, si dhe ata forcave speciale në mbështetje të strukturave bazë. Gjatë këtyre kontrolleve dhe masave policia ka ndaluar dy persona me armë pistoletë, ndalime të kryera nga komisariati i Policisë nr.1, si dhe disa persona të tjerë nga komisariati i Policisë nr.6.
Pyetet për herë të dytë bashkëshorti i Eleni Bashos
Për të dytën herë brenda tre ditësh bashkëshorti i laborantes dentare të vrarë në kryeqytet është marrë në pyetje nga policia. Ilia Basho është thërritur nga hetuesit e ngjarjes për të dhënë sqarime në lidhje me marrëdhëniet me të shoqen Eleni, si dhe ngjarje që kanë lidhje me të. Lajmi i u bë i ditur nga burime të drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët thanë se se Ilia Basho, 42 vjeç, banues në Shkozë, u thirr sërish prej hetuesve për tu pyetur për herë të dytë në lidhje me rrethanat e vrasjes së bashkëshortes së tij. Burimet thanë se Ilia Basho, është pyetur për herë të parë të premten në mbrëmje vonë nga oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve mbi rrethanat të cilat ai kishte marrë vesh krimin ndaj së shoqes dhe motive të mundshme që sipas tij mund të kishin shkaktuar vrasjen. Por ai është thërritur sërish për të dhënë shpjegime dhe për të ballafaquar thëniet e tij me provat e tjera të gjetura nga policia.