Odiseja 9-vjeçare e Vilson Mellarajt në gjykatat shqiptare

Kreu i trupit gjykues për të cilin flitet në akuzën e Prokurorisë, Gani Dizdari dhe një nga anëtarët e trupit të Kolegjit Penal, Fatos Lulo, Majtas, poshtë, faksimile e vendimit të Gjykatës së Lartë për Vilson Mellaraj
Ened Janina
Vilson Mellaraj është dënuar nga gjykatat shqiptare me 20 vjet burg për veprën penale të vrasjes me paramendim të një shtetasi shqiptar në Greqi dhe tentativës për të vrarë një tjetër. Kjo çështje ka dalë nëntë herë përpara gjykatës dhe dy herët e para vendimi ka qenë në favor të Mellarajt. Kështu, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin nr. 94, datë 26.02.2003, ka vendosur: Të pushojë çështjen penale në ngarkim të të pandehurit Vilson Mellaraj. Më pas, Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 134, datë 22.04.2003, ka vendosur: Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Vilson Mellaraj, pasi nuk provohet që i pandehuri të ketë kryer këto vepra, për të cilat akuzohet. Por në tetor të vitit 2003, çështja ka marrë një tjetër rrjedhë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur: Prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe Apelit Durrës duke urdhëruar kthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Durrësit, por me tjetër trup gjykues.
Në gjykimin e dytë, Gjykata e Durrësit ka vendosur dënimin e Mellarajt me 20 vjet burg në vitin 2005. Por një vit më pas, më konkretisht në datë 09.10.2006, Apeli ka vendosur prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues. Ndërkohë, Gjykata e Lartë në datë 02.11.2007, ka vendosur të mos pranojë kërkesat e mbrojtjes dhe prokurorisë. Çështja është kthyer në shkallën e parë ku në vitin 2009 Mellaraj është dënuar këtë herë me 25 vite burg. Në vitin 2010, Apeli i Durrësit e ka ndryshuar sërish vendimin duke e dënuar këtë herë Vilson Mellarajn me 20 vite burg. Ky vendim nuk është pranuar nga mbrojtja, e cila ka bërë rekursin në Gjykatën e Lartë.
Mbrojtja ka pretenduar se gjykatat nuk kanë zbatuar porositë e Gjykatës së Lartë, dokumentet ligjore të dosjes janë të mangët dhe shkelje të tjera. Gjykata e Lartë shqyrtoi pretendimet e palëve, si dhe vendimet e gjykatave të mëparshme dhe u tërhoq për vendim. Në këtë moment, prokuroria pretendon se janë realizuar përgjimet telefonike të tre të arrestuarve të djeshëm, të cilët kanë ndikuar tek gjykata për të ndryshuar vendimin. Në përfundim, Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Apelit duke mbyllur përfundimisht në burg Vilson Mellarajn për 20 vjet.
Vrasja e Sulës pas sherrit për një femër
Gjatë vitit 1999, Vilson Mellaraj dhe viktima Dorjan Sula kanë qenë me vendqëndrim në qytetin e Athinës, Greqi. Viktima ka pasur një të dashur, shtetase shqiptare me emrin Juli, e cila është ngacmuar nga Vilson Mellaraj. Për të shmangur ngacmimet e mëtejshme, Sula është takuar me Mellarajn dhe në debat e sipër ata janë përplasur fizikisht.
Po atë ditë, datë 31.07.1999, Vilson Mellaraj pretendohet se ka marrë një armë zjarri dhe është vënë në ndjekje të viktimës. Në rrugën Ahrnon, viktima ka qenë duke ecur me dy miqtë e tij Fotaq Risto dhe Stavri Lalo. Pretendohet se në këtë moment Mellaraj është afruar, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të viktimës disa herë. Nga qitja është plagosur në këmbën e djathtë dhe shtetasi Stavri Lalo. Ndërkohë, viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri.
Pas regjistrimit të çështjes nga ana e prokurorisë shqiptare, janë pyetur në cilësinë e deklaruesve shtetasit Fotaq Risto dhe Stavri Lalo. Këta të fundit kanë përsëritur dinamikën e ngjarjes, duke e identifikuar autorin si një personin që thirrej Coli. Ndërkohë, babai i viktimës ka deklaruar se prej këtyre deklaruesve ka ardhur në dijeni të faktit se personi që kishte vrarë të birin thirrej Coli.
Përplasja për fotografinë e vrasësit
Gjatë hetimeve të prokurorisë nuk rezulton të jetë kryer ndonjë paraqitje për njohje e Vilson Mellaraj me dy dëshmitarët në vendngjarje, pavarësisht se këta persona ishin shprehur se mund ta identifikonin autorin e vrasjes.
Gjatë gjykimit të çështjes për herë të parë në Gjykatën e Durrësit, kjo e fundit ka urdhëruar kryerjen e njohjes nëpërmjet fotografisë, në përfundim të së cilës dy dëshmitarët nuk e kanë identifikuar të gjykuarin si autorin e veprës. Mbi këtë bazë, kjo gjykatë vendosi pushimin e çështjes penale në ngarkim të të gjykuarit, ndërkohë që gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë vendimin dhe ta deklarojë të gjykuarin si të pafajshëm. Çështja u dërgua për gjykim në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal i së cilës vendosi prishjen e vendimeve dhe dërgimin e çështjes për rigjykim, duke caktuar detyrat përkatëse.
Mbi detyrat e lëna nga ana e Gjykatës së Lartë, u kërkuan nëpërmjet letër-porosisë të gjitha aktet e hetimit të hartuara nga ana e prokurorisë greke, të cilat u bënë pjesë e dosjes. Këto akte përfaqësonin procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekspertimit balistike të gëzhojave të gjetura në vendngjarje, si dhe akte të ekspertimit biologjik. Në dosjen gjyqësore është administruar dhe kopje e një të përditshmeje greke, ku pasqyrohet ngjarja dhe një fotografi e personit të pretenduar se kishte kryer vrasjen. Gjatë rigjykimit, mbi urdhërimin e gjykatës së shkallës së parë është kryer një akt ekspertimi me anë të fotografisë, ku dy ekspertë të IPSH kanë ardhur në konkluzionin se në fotografinë e të përditshmes greke dhe në fotografitë e të gjykuarit të vëna në dispozicion duhet të ketë dalë i njëjti person.
Gjykata e Lartë: Vendimi konform ligjit
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka reaguar dje pas njoftimit të prokurorisë duke thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me të pandehurit Agron Lumeshi, Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj për lirimin e të burgosurit për vrasje, Vilson Mellaraj. Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë çështja në ngarkim të Mellaraj është shqyrtuar pa asnjë ndikim dhe është vendosur konform ligjit. Kolegji Penal përgënjeshtron pretendimin e Prokurorisë se gjoja për shkak të përgjimit telefonik dhe zbulimit të ndikimit u mor edhe vendimi për lënien në fuqi të dënimit të Vilson Mellaraj nga Gjykata e Lartë.
Tre në gjyq, korruptuan anëtarët e Gjykatës së Lartë
Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq tre persona të akuzuar se kanë tentuar të korruptojnë anëtarët e Gjykatës së Lartë për të liruar një të dënuar me 20 vjet burg. Përmes një hetimi të gjatë që përfshin dhjetëra përgjime telefonike dhe ambientale, prokuroria pretendon se ka zbuluar një nga skemat e rënda të korrupsionit në gjyqësor. Gjithçka, sipas dosjes së prokurorisë do të realizohej përmes një personi i afërm me kryetarin e trupit gjykues, Gani Dizdari. Tre personat e akuzuar për këtë çështje janë Agron Lumeshi, (i afërm i gjyqtarit); Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj, i afërm i të dënuarit.
Në bazë të veprimeve hetimore me mjete speciale të hetimit, duke realizuar përgjime telefonike, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar lirimin nga burgu të shtetasit Vilson Mellaraj, i dënuar me 20 vite burgim për vrasje. Çështja ndaj shtetasit Vilson Mellaraj, i cili akuzohej se në vitin 1999 në Athinë, kish vrarë me armë zjarri shtetasin Dorjan Sula dhe kishte plagosur shtetasin Stavri Lalo, – thuhet në dosjen e prokurorisë. Sipas saj, Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj, interesohen tek të njohurit e tyre për të mbledhur shuma të konsiderueshme të h