Gashi: Bosnja do të njohë dokumentet e Kosovës
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Ibrahim Gashi, në vizitën e zhvilluar në Bonje e Hercegovinë, ka diskutuar për çështjen e njohjes së dokumenteve të së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, theksohet se në takimet e zhvilluara ai ka ngritur shqetësimin se shkëmbimet tregtare nuk mund të vazhdojnë pa njohjen e dokumenteve.
“Kjo sepse pengesat e para do të paraqiten pasi maunet me mallra nga Bosnja do të mund të hyjnë në Kosovë, por maunet me mallra nga Kosova që drejtohen nga shoferët që kanë dokumente të Kosovës, nuk do të mund të hyjnë në Bosnje”, ka thënë Gashi, duke shtuar se Kosova nuk është e gatshme që pa njohjen e dokumenteve të vazhdojë me zbatimin masës së reciprocitetit. Në këtë drejtim ai ka theksuar se i njëjti problem është edhe me Serbinë.
“Por kam marrë pëlqimin edhe të autoriteteve tona më të larta se nuk mund të vazhdohet më tutje me mosnjohjen e dokumenteve sepse është pengesë shumë serioze për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka thënë Gashi, gjatë takimeve në Sarajevë.
Zëvendësministri po ashtu ka prezantuar edhe një varg argumentesh të tjera, siç janë fakti që Kosova nuk është njohur edhe nga disa shtete të tjera, por të cilat kanë gjetur modalitete për të njohur dokumentet e Kosovës, si Greqia, Qipro,Rumania, Egjipti, madje edhe Kina, duke e quajtur paradoks të llojit të vet që Bonja, një shtet me të cilin tradicionalisht kemi marrëdhënie intensive, nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë.