Nju Jork, Jahjaga vazhdon takimet me diplomatët ndërkombëtar

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Nju Jork, mori pjesë në pritjen vjetore për liderët botërorë, të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama.
Bëhet e ditur se gjatë kësaj pritjeje, presidentja Jahjaga u takua me presidentin Obama, ndërsa mori pjesë edhe në pritjen e organizuar nga ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, në kuadër të aktiviteteve të “Clinton Global Initiative”.
Jahjaga thuhet se ka zhvilluar edhe takime me ish-të dërguarin e Uashingtonit zyrtar në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadorin Frenk Uizner, me të cilin “diskutoi njohjet e shtetësisë dhe rrjedhën e reformave të brendshme të nevojshme për arritjen e synimeve strategjike” të Kosovës.
Në kuadër të takimeve që Jahjaga po zhvillon me diplomatët ndërkombëtar gjatë vizitës së saj në Nju Jork, hyn dhe ai me ish-sekretaren amerikane të shtetit, Medllin Olbrajt.
Temë e diskutimeve me Ollbrajt thuhet të kenë qenë zhvillimet e fundit në Kosovë, procesi i njohjeve të shtetësisë së vendit, ai i reformave demokratike, planet e Kosovës për integrim euro-atlantik dhe përpjekjet për ngritjen e imazhit të Kosovës në botë.