E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gates: Kontrabandë, 40% e cigareve në Shqipëri

Rreth 40 për qind e cigareve që shiten në Shqipëri hyjnë në treg përmes kontrabandës. Shifra skandaloze ka dalë në një studim të kryer nga disa ekspertë të universiteteve të njohura, nën Qendrën për Studimin dhe Monitorimin e Duhanit (Angli), me financimin e miliarderit të "Microsoft", Bill Gates. Shifra e lartë u referohet edhe disa vendeve të tjera, me ekonomi në zhvillim, si Bolivia, Uzbekistani apo Bosnja dhe Hercegovina. Nivelin më të lartë të kontrabandës rezulton ta ketë shteti i Gjeorgjisë, me rreth 50 për qind. Tjetër shqetësim për studiuesit, përveç rënies së të ardhurave nga evazioni fiskal, lidhet me shëndetin e konsumatorëve. Sipas studimit, duhani i futur në treg me anë të kontrabandës ka cilësi të dobët dhe kushton lirë, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e rreth 132 mijë personave. Fondacioni i financuar nga Bill Gates nuk jep detaje për tregtinë e cigareve në Shqipëri, por thekson se pjesa kryesore e tyre që hyn kontrabandë nuk janë të një cilësie të mirë.

Pak kohë më parë, "Shqip" botoi shifrat e fundit mbi nivelin e zhdoganimit të cigareve në pikat doganore, për periudhën janar-prill 2009. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganës paraqesin një nivel arkëtimi deri në 9.5 milionë dollarë, për periudhën janar-prill 2009. Në sasi, dogana raporton një nivel zhdoganimi rreth 954 tonë, afërsisht 200 tonë më pak se katër muajt e parë të vitit 2008. Si vlerë tregu, importi i duhanit xhiron rreth 20 milionë dollarë, ku gjysma shkojnë për taksat, si pasojë e rritjes së akcizës në vitin 2007.

Një tjetër projekt i financuar nga amerikanët, rezulton se janë pyetur 4000 persona në zona rurale dhe urbane të moshave të ndryshme, nga ku del se konsumi i duhanit është më i lartë sesa ajo që deklarohet, pasi rreth 27 për qind e duhanit futet kontrabandë në vendin tonë duke iu shmangur të gjitha detyrimeve fiskale dhe duke rritur riskun për shqiptarët. Çdo vit në Shqipëri ndodhin 3800 vdekje të parakohshme nga konsumi i duhanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›